Me sytë nga Brukseli për përgjigjen e negociatave, Basha po vë bastin e tij për zgjedhjet e parakohshme, kësaj here të dyfishta. Në mbledhjen me ish-deputetë dhe anëtarë të kryesisë së PD-së, kryedemokrati e sheh zgjidhjen tek zgjedhjet e parakohshme, jo vetëm parlamentare por edhe lokale. Me nëntë kushtet e Bundestagut gjerman për qeverisë shqiptare, që përkojnë edhe me ato të opozitës, Basha e sheh krizën në fazën e saj finale dhe zgjidhjen aq të shpejtë sa për të bërë gati strukturat për zgjedhje
Suadela Balliu
Nga Bundestagu pak ditë më parë i kërkohej qeverisë shqiptare, si një prej kushteve në “po”-në e votuar për çelje negociatash, vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa nga Venecia, Komisioni i shquar i çështjeve të së drejtës kushtetuese në opinionin e dhënë mbi dekretet e presidentit për anulim e më pas shtyrje të zgjedhjeve lokale, i legjitimonte ato si një e drejtë themelore e njeriut për të votuar, por edhe respektimi i periodicitetit. Mes dy këndvështrimeve perëndimore, në mes, kreu i opozitës Lulzim Basha vijon të flasë për zgjedhje të parakohshme, si fokusi kryesor i aksionit të nisur qysh në muajin shkurt.
Në mbledhjen e së dielës me ish-anëtarë të grupit parlamentar dhe me kryesinë e PD-së, ku ishte lajmëruar më herët se fokusi do të ishte edhe mbi Reformën Zgjedhore, si një nga kërkesat e para të vendosura nga parlamenti gjerman, shumë e rëndësishme në rrugën drejt integrimit europian të vendit, Basha do të thoshte se kriza zgjidhet duke iu drejtuat sovranit, me zgjedhje të lira e të ndershme.
I angazhuar publikisht, edhe në emër të PD-së se do të bëjë gjithçka që Shqipërisë t’i çelen negociatat më 18 tetor, Basha do ta shihte këtë periudhë si skanim të situatës, ndërsa fillimi i shtatorit ishte lajmëruar prej kohësh si rifillim i protestave. “Raporti i OSBE/ODIHR dhe rezoluta e Bundestagut, duke shpresuar se deri në tetor nuk ka ndërhyrje negative nga vendet skeptike, është skanimi i situatës”, do të thoshte kryedemokrati, ndërsa do të vijonte se tanimë opozita kishte hyrë në fazën finale të zgjidhjes së krizës edhe pse nga shumica qeverisëse ka pasur ftesa për dialog vetëm rreth Reformës Zgjedhore.
Ashtu siç do të propozonte presidenti Meta kohë më parë kur nxori dekretin e 27 qershorit, duke caktuar si datë të re për zgjedhjet e qeverisjes vendore atë të 13 tetorit, edhe pse PD nuk shfaqi asnjë përpjekje për t’u regjistruar në KQZ si disa prej aleatëve të saj, dje Basha do të thoshte se partia duhej të përgatitej për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore në një ditë.
Po nga Bundestagu do të kërkohej qartë se nëse Gjykata Kushtetuese do të merrte vendimin përfundimtar për përsëritjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, ato do të duhet të zhvilloheshin sipas Ligjit të ri Zgjedhor, i cili do të duhej të ishte miratuar parapraktisht në mënyrë gjithëpërfshirëse nga palët politike. “E gjithë partia, jo vetëm forumet, zbret në terren dhe nis përgatitjet dhe kontaktin me qytetarët për zgjedhjet si zgjidhja e krizës”, iu është drejtuar Basha anëtarëve të kryesisë, duke e theksuar se kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje. Edhe pse nuk ka dhënë data konkrete në mbledhjen e djeshme, debatet dhe diskutimet e së cilës u zbardhën më pas në media, Basha është ndalur edhe tek protestat, por fokusi duket se ka qenë alternative e PD-së, që do të duhet të vijë si qeverisja e së nesërmes.
Edhe më herët, kreu i selisë blu ka deklaruar se PD nuk është vetëm një grup që organizon protesta, por edhe që ofron edhe platforma dhe alternativa për daljen nga kriza, jo vetëm politike por edhe ekonomike, ndërsa nga opozita e bashkuar pritet ende të bëhet publik programi i Platformës Kombëtare.
Pjesëmarrja e PD-së në tryezën e thirrur nga OSBE rreth Reformës Zgjedhore, ku u parashtrua edhe propozimi për një strukturë ndërkombëtare që do të përgatiste ligjin e ri, por edhe më pas deklaratat e përfaqësuesit të PD-së Ivi Kaso se PD do ta mirëpriste ftesën për aktivitete të ngjashme me fokus reformën, nëse do të kishte nga maxhoranca ajo do të vinte e sinqertë, duket se i ka lënë disi të hutuar demokratët edhe brenda kryesisë.
“Situata politike sot për ne nuk është e favorshme, paqartësia e krijuar prej pjesëmarrjes ne komisionin e reformës na dëmton”, mësohet të jetë shprehur Tritan Shehu, i cili ka mbajtur qëndrimin e rrugës së revolucionit të premtuar nga opozita, që në nisje të lëvizjes së saj thuajse shtatë muaj më parë. “Nuk duhet të tolerojmë që të bëhen zgjedhje pa u bërë njëkohësisht me ato lokale ndryshe do të jetë fatale për ne”, ka qenë mendimi i Shehut, ndërsa Komisioni i Venecias – delegacioni i të cilit u takua edhe me përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare në Tiranë -, në raportin e saj për çështjen e anulimit dhe shtyrjes së zgjedhjeve nga presidenti ka theksuar se zgjedhjet e rregullta nuk mund të parandalohen nga bojkoti elektoral, edhe sikur partitë të përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të zgjedhësve, për të mos lejuar kështu krijimin e precedentit që do të ndalonte më pas çdo lloj zgjedhjesh.
Megjithëse opozita vetëm i bojkotoi, por në fund u tërhoq nga pamundësimi i procesit, krerët e bashkive të djathta kryesuar nga Voltana Ademi depozituan në Gjykatën Kushtetuese padinë për 30 qershorit, duke i konsideruar ato antikushtetuese. Gjithashtu, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR theksoi se në këto zgjedhje lokale nuk u mor fare parasysh interesi i elektoratit dhe se qytetarët nuk patën mundësi reale zgjedhjeje, ku në 31 nga 61 bashkitë Partia Socialiste nuk pati asnjë kundërshtar duke garuar e vetme.
Edhe ish-deputeti Ervin Salianji ka shprehur shqetësimin rreth paqartësisë së krijuar rreth pjesëmarrjes në Komisionin e Reformës Zgjedhore, megjithëse publikisht dhe zyrtarisht PD e ka refuzuar ftesën për të çuar një përfaqësues të saj aty, me të drejtë vetoje.
“Duhet ta qartësojmë mirë që ne nuk jemi tërhequr nga kushtet për zgjedhje të parakohshme dhe për largimin e Ramës, ndryshe pjesëmarrja në komision dhe zgjedhjet me Reformë Zgjedhore mund t’i kishin propozuar që para zgjedhjeve lokale, pa lëshuar bashkitë”, është shprehur Salianji. Ndërsa PD dhe kreu i saj Basha u zotua se asnjë nga 12 kryebashkiakët e opozitës nuk do t’i dorëzonte zyrat për fituesit e zgjedhjeve lokale, tashmë të rinjtë kanë marrë detyrat zyrtarisht, veç bashkisë së Shkodrës ku Valdrin Pjetri u tërhoq nga marrja e saj për shkak të skandalit me të shkuarën e tij dhe ende në detyrë qëndron Ademi.
Reforma Zgjedhore
Salianji ka propozuar për mendime gjithëpërfshirëse sa i përket diskutimeve për Reformën Zgjedhore, nëse PD do të marrë pjesë, duke hedhur idenë e ndryshimit të sistemit zgjedhor, ide e sugjeruar më herët edhe nga deputetët e opozitës parlamentare, të përfshirë tashmë edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Megjithëse prej muajsh ka kritikuar shitblerjen e votave, edhe përmes shembujve të dalë nga përgjimet e dosjeve “339” dhe “184”, Basha nuk ka artikuluar qartë idenë e ndryshimit të sistemit, duke u ndalur vetëm tek kritikat për ndryshimet kushtetuese të 2008-s, mes paktit Berisha -Rama, që sipas tij e mbushën parlamentin me kriminelë. “Qartazi ne duhet të propozojmë pa kompleks ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe të çojmë votën tek qytetarët dhe ta kalërojmë ne si betejë ndryshimin me listat e hapura”, është shprehur Salianji.
Në tryezën e parë rreth Reformës Zgjedhore organizuar nga OSBE, përfaqësuesi i PD-së hodhi disa kushte, të cilat lidheshin kryesisht me mungesën e legjitimitetit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, mosnjohjen e opozitës parlamentare, kërkesa për procedime penale rreth autorëve të shitblerjes së votave, por edhe presionit mbi punonjësit e administratës në zgjedhje. Një kërkesë të ngjashme hartuan e më pas miratuan deputetët gjermanë, duke kërkuar procedime penale rreth dosjeve mbi shitblerjen e votave dhe rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në radhët e zyrtarëve të lartë, përmes institucioneve të Reformës në Drejtësi.
Edmond Spaho ka hedhur idenë e ndryshimeve kushtetuese, që mund të shkojë si propozim në Komisionin e Reformës Zgjedhore, për të ruajtur balancën e pushteteve.
Rreth nevojës për ndryshime kushtetuese, pak ditë më parë ka folur edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, që e sheh si zgjidhje edhe për evitimin e krizave të ardhshme.
I pakënaqur me rrugën e ndjekur deri më tani të aksionit opozitar duket se ka qenë Genc Pollo, që sipas tij do të duhej të pranohej se strategjia e ndjekur çoi në humbjen e bashkive të djathta. “Kjo krijon një inkoherence që përcillet në bazë dhe që bën që anëtarët të humbin shpresën dhe të kenë pak besim”, është shprehur Pollo.
Më e ashpër në kritika ka qenë ish-deputetja Grida Duma, duke thënë se PD nuk mund të llogaritë ardhjen në pushtet me votat kundër ndaj Edi Ramës, një metaforë që vite më parë vetë Rama do ta përdorte duke i cilësuar “1 milion shuplaka” ndaj qeverisë Berisha, votat e shqiptarëve që e sollën në pushtet, më 2013-n.
Edhe Duma ka folur për mungesë strategjie dhe paqartësi në aksionin opozitar, ndërsa ka kërkuar më shumë informacion rreth grupeve të punë që po punojnë me hartimin e reformës ekonomike dhe asaj zgjedhore.
“Thamë protesta dhe i ndaluam, thamë morëm pjesë në nivel teknik në tryezën e reformës dhe ky dokument teknik nuk dihet cili është. Duhet doemos të kemi qartësi dhe të respektojmë sakrificën e madhe të bërë deri tani. Kjo do ta ndërtojë me siguri frymën e fitores”, është shprehur Duma, ndërsa edhe Tomor Alizoti ka pranuar se situata është e turbullt. “Duhet të pranojmë se misionin që nisem nuk e përfundojmë dot”, ka thënë Alizoti, ndërsa opozita e nisi lëvizjen e saj më 16 shkurt, me djegien e mandateve parlamentare duke kërkuar largimin e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Ne duhet ta ndajmë nëse do shkojmë në zgjedhje me reformën elektorale apo do shkojmë me Ramën ne zgjedhje. Ne lidhje me armiqtë ne parti ata t’ia lemë Enver Hoxhës”, ka përfunduar Alizoti, duke iu referuar edhe mendimeve ndryshe brenda kryesisë rreth rikthimit të ish-figurave të Partisë Demokratike, ish-minsitra apo ish-deputetë të të gjitha legjislaturave apo edhe ish-krye bashkiakë.
Megjithë debatet brenda mbledhjes së kryesisë, që fokusin e pati tek Reforma Zgjedhore, Basha u siguroi demokratëve as asgjë nuk kishte ndryshuar dhe se opozita i qëndronte kërkesave si më parë. “Kriza sot është një realitet i pranuar dhe nga ndërkombëtarët”, do të shprehej kreu i selisë blu, ndërsa kërkesat e opozitës u potencuan në Bundestagun gjerman, i cili ia dërgoi qeverisë shqiptare si kushte që duheshin plotësuar në dy konferencat e para të anëtarësimit. Në dy kërkesat e para, atë të formimit të gjykatës Kushtetuese dhe së Lartës si edhe miratimi i Reformës Zgjedhore gjithëpërfshirëse PD-së i duhet të luajë rolin e saj konstruktiv, ndërsa kohët shtrëngojnë pasi megjithë “po”-në e kushtëzuar nga Bundestagu, më 18 tetor Shqipëria do të përballet me përgjigjen zyrtare të të gjitha vendeve të BE-së për çeljen ose jo të negociatave me BE-në.
Megjithëse Basha ka deklaruar se shpreson, por edhe ka lobuar, për çeljen e negociatave për anëtarësim, një “jo” që mund të vinte nga skeptiket europiane si Franca apo Holanda, do të sillte më pas rindezjen e protestave opozitare, që do t’ia atribuonin dështimin qeverisë Rama.
Basha do t’i cilësonte nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania, si tregues i dështimit të qeverisë Rama. Por edhe me çeljen e negociatave, presioni ndërkombëtar tanimë peshon më shumë mbi Ramën, i cili pas 30 qershorit ka në dorë pushtetin qendror dhe atë lokal.
Ashtu si Basha dhe opozita kanë deklaruar se nuk do të ketë dialog për zgjidhje krize, pa u ndëshkuar më parë autorët e shitblerjes së votave të dalë nga përgjimet e dy dosjeve, të lidhura me zgjedhjet në Dibër më 2016 dhe në Durrës më 2017, ku mes tyre janë lakuar emrat e ish-ministrit Gjiknuri dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit, Dako.
Me presionin gjerman, që kërkon rezultate nga strukturat si SPAK për hetimin e zyrtarëve të lartë në korrupsion dhe krim të organizuar, duket se edhe opozita e ka zbutur qëndrimin anatemues ndaj Reformës në Drejtësi, që më parë e kanë cilësuar të kapur nga Rama. Nëse kryeministri do e kalojë me sukses konferencën e parë të anëtarësimit me plotësimin e kushteve, do t’i duhet që para së dytës të çojë rezultate për çështjen e shitblerjes së votave, edhe pse ai vetë në daljet e tij publike i ka cilësuar përgjimet “llafe kafenesh” dhe se janë vetëm indicie e nuk përbëjnë asnjë fakt.
Ndërsa Rama thekson 2021, si vit zgjedhor, Basha flet për krijimin e trurit zgjedhor, përmes strukturave organizative dhe juridike-elektorale. “Zgjidhja e krizës vjen nëpërmjet zgjedhjeve te parakohshme”, ka theksuar sërish ai, por pa hequr dorë nga instensifikimi i aksionit “me të gjitha mënyrat”.
“Sot të gjithë janë te qartë që ndërkombëtarët janë vetëdijesuar nga lëvizja jonë nga ana tjetër ne kemi bërë çdo përpjekje që negociatat të hapen, kemi lobuar, që negociatat janë për shqiptarët dhe jo për Ramën”, është shprehur kryedemokrati, i cili në sytë e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve e ripozicionon opozitën si konstruktive, ndërsa muaj më parë është kritikuar për protestat e dhunshme. Në përpjekjet e opozitës për cceljen e negociatave hyn padiskutim roli i PS-së në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku praninë në tryezën e OSBE-së, si përfaqësitë e huaja diplomatike ashtu edhe vetë maxhoranca e panë si sinjal dialogu, megjithëse kushtet e artikuluara nuk u mirëpritën nga kryeministri, i cili u kujtoi opozitën në parlament, e nevojshme sipas tij për të miratuar ndryshimet sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Por reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse që qeveria federale e Gjermanisë ta quajë kusht të përmbushur nga qeveria shqiptare. Angazhimi i qeverisë shqiptarë për përmbushjen e nëntë kushteve mund ta bënin edhe opozitën të tërhiqej nga disa prej kushteve, deri dje të patjetërsueshme, nëse do të bindeshin se kështu adresohen edhe kërkesat e saj.
“Ne duhet ta trajtohem çdo ditë si fushate elektorale dhe do ndërtojmë shtabet në çdo njësi”, ka bërë thirrje Basha, i cili ua ka bërë të ditur pjesëmarrësve dje në mbledhje se Reforma Zgjedhore ka rëndësi për PD-në, një ndryshim në qëndrimin e tij dhe të PD-së në unison me kushtet gjermane, pasi pak kohë më parë kryedemokrati vinte në radhë të parë vullnetin politik për zgjidhjen e krizës. Me sytë nga Brukseli për përgjigjen e negociatave, Basha po vë bastin e tij për zgjedhjet e parakohshme, kësaj here të dyfishta.
Rikthimi i ish-ëve ndeshet me skeptikë në kryesi
Ndërsa nga aleatët e PD-së është vënë theksi tek Reforma Zgjedhore, ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, por edhe krijimi i një senati me figura të vjetra të rëndësishme të PD-së, tanimë të larguar nga jeta politike, duket se për këtë Basha ka hasur në kundërshti brenda kryesisë së PD-së.
“Partia Demokratike duhet që të ketë kujdes nga elemente që e kanë nisur që në 2009 bashkëpunimin me Ramën dhe e vazhdojnë edhe sot”, deklaronte Jemin Gjana, ndërsa e ftonte kryetarin të shihte edhe opsionin e zgjedhjeve më 2021-shin, sipas afatit kushtetues.
Në ftesat e tij publike drejtuar Bashës por edhe kryetarëve të partive të tjera opozitare, kryeministri Rama ka theksuar nevojën e dialogut për Kodin e Ri Zgjedhor, i cili do të implementohej në zgjedhjet parlamentare pas dy vitesh. Rama nuk e sheh aq të largët ditën e zgjedhjeve, ndërsa Reforma pret ende të miratohet, duke llogaritur edhe kohën që u duhet partive për përgatitje.
Ndërsa ka denoncuar intensivisht që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryebashkiakë socialistë me të shkuara kriminale, Gjana e ka paralajmëruar Bashën të ketë kujdes nga elementë që mund të kenë probleme me ligjin, brenda partisë. Por për Spahon, hapja e partisë ka sjellë suksese në përvojat e mëhershme. Një nga pikat që propozonin aleatët e PD-së ishte edhe afrimi i figurave intelektuale në kauzën opozitare. Një prej figurave të vjetra të Partisë Demokratike, që kreu Basha takoi të shtunën, ishte Eduard Selami, i cili u pa edhe si rivali që mund t’i merrte atij postin e kryetarit të PD-së dy vjet më parë. /Gazeta Liberale