Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e Shoqatës ‘Mikrofinanca Shqiptare’.
Gjatë fjalës se tij, Basha theksoi se fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja dhe mbështetja e bujqësisë, janë prioritet i PD-së.
"Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, ndërsa për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.", tha Basha.
Ai vijoi më tej duke thënë se "Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë."
[gallery columns="1" size="full" gss="1" ids="1148342,1148343,1148344"]
Mesazhi i Bashës:
Fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja kryesisht nga të rinjtë dhe punësimi i tyre, mbështetja e bujqësisë, janë prioritet i imi dhe i Partisë Demokratike.
Gjatë takimit me drejtuesit e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, znj. Arlinda Muja Presidente dhe znj. Brunilda Isaj Sekretare e Përgjithshme, diskutuam ndër të tjera dhe për vështirësitë që po kalon ekonomia dhe financat shqiptare, të rënduara dhe më shumë nga pandemia. Gjatë takimit i falenderova për zbatimin e moratoriumit e cila ndihmon kredimarrësit në këtë situatë të vështirë.
Ndamë shqetësimin për mungesën e likuiditetit, krizën ekonomike për tejkalimin e së cilës nëse nuk veprohet shpejt do të vërë në pozitë të vështirë sistemin bankar dhe veçanërisht institucionet e mikrokreditit, pasi do të rritet pamundësia e qytetarëve dhe bizneseve për t’i shlyer kreditë.
Vonesa në ripagimin e kësteve dhe shtyrjet e detyruara kanë ulur me 60% arkëtimet vetëm në institucionet e mikrokreditit. Deri më sot janë 175.000 vende pune të krijuara nga bizneset e financuara prej institucioneve të mikrokreditit, ku vetëm gjatë 2019 këto institucione kanë mbuluar 68% të të gjithë kërkesave për kredi në vend.
Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, ndërsa për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.
Në këtë kuadër, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të Partisë Demokratike.
Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë.
Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për bizneset e vogla, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eliminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lirë e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar. /Gazeta Liberale