Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka treguar sot vendimet që pritet të merren në Kuvendin Kombëtar.
Në fjalën e tij, Basha tregoi disa nga kategoritë e personave që nuk do të lejohen që të militojnë në radhët e PD. Sipas tij siç do jetë PD sot do të jetë dhe Shqipëria nesër.
“Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër. Që ne të bëhemi bindës për shqiptarët, që ne të rikthejmë besimin e shqiptarëve tek Partia Demorkatike, duhet të guxojmë tu themi atyre se “si do jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër”.
Ky është një akt i madh i guximshëm, pasi do të na duhet ta provojmë sot se çfarë do Shqipëria. Dhe ne do tua provojmë. Do të jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj, duke mos lejuar në radhët tona dhe në ekipet drejtuese të PD, njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare. Dhe duhet të biem dakord sot për këtë standard i cili do të përfshijë këto kategori.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme të shqiptarëve që ka qenë diktatura komuniste. Historia e gjenocidit komunist në Shqipëri, nuk do gjejë kurrë jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim dhe atë parti. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz të inkriminuar, në çfarëdo veprimtari kriminale gjatë këtyre tridhjetë viteve, që janë bërë objekt i dënimeve penale, për krime ndaj qenieve njerëzore, krime ekonomie, vepra penale apo përfshirje në organizata kriminale. Dhe këto jo vetëm për që do bëhen të zgjedhurit e popullit shqiptar por dhe të zgjedhurit brenda PD. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionalizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD duhet të jetë garancia e shqiptarëve që do të jetojnë në një vend me sytë mendjen dhe trupin në Perëndim. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër”.