Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për mbylljen e disa portaleve dhe faqeve online, duke e konsideruar një kërcënim për median dhe gazetarët. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha theksoi se Edi Ramës i ka mbetur vetëm kjo mënyrë për të mbytur zërin e qytetarëve dhe të vërtetës që vjen përmes medias dhe portaleve të ndryshme. Basha i bën thirrje prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për dhunim të fjalës së lirë nga qeveria.
Shënimi i plotë i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha:
Reagim i Kryetarit te PD pas mbylljes se disa portaleve dhe kercenimit te vazhdueshem ndaj gazetareve.
“Të shfrytëzosh këtë fatkeqësi për të mbyllur portale, faqe fb e rrjete të tjera sociale dhe të kërcënosh gazetarët nga mëngjesi në darkë vetëm pse janë kritikë me qeverinë dhe sjellin zërin e qytetarëve të lënë në harresë dhe pa asnjë ndihmë, është kriminale. Kjo është mënyra për të mbytur zërin e qytetarëve dhe të vërtetës që vjen përmes medias dhe portaleve të ndryshme. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për dhunimin e fjalës së lirë nga qeveria. Me Kushtetutë dhe ligj kjo përbën një krim të rëndë që duhet ndëshkuar.”