Kuvendi do të mblidhet javën e ardhshme më 9 qershor, për të vendosur për shkarkimin e Presidenti Ilir Meta. Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist, tha këtë të hënë se konferenca e kryetarëve u njoh me raportin e Komisionit Hetimor, që sipas tij është shumë konsistent.
“Jemi njohur me raportin e Komisionit Hetimor. Është një raport shumë konsistent prej rreth 100 faqesh dhe që natyrshëm deputetët e Kuvendit do të marrin kohën e duhur për ta shqyrtuar. Kemi rënë dakord që seanca plenare për shqyrtimin e raportit dhe më pas votimin e shkarkimit të Presidentit të zhvillohet me datën 9 qershor ora 10:00”, tha Balla.
Balla ka përsëritur qëndrimin e kryeministrit Rama se PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit të Metës për të marrë Presidencën. Sipas Ballës, nëse Meta shkarkohet, emri i një Presidenti të ri do të kërkojë kohën e vet dhe mund të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën që do të rikthehet në Kuvend.
“Rama ka qenë i qartë. Ajo që është e nevojshme është që PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit Meta si nevojë për të pasur një përfaqësues të vetin në Presidencë. Iniciativa për shkarkimin e Presidentit ka ardhur si nevojë për ta çliruar nga një pengmarrje dhe abuzimi nga presidenti aktual. Procedura e presidentit të ri do të kërkojë kohën e vet dhe pse jo të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën që do të rikthehet në kuvendin e Shqipërisë Në shtator. Besoj se me opozitën këto çështje mund t’i adresojmë së bashku për të pasur një dialog konstruktiv mazhorancë-opozitë”, tha Balla.
Po nëse nuk shkarkohet Meta do të betohen ministrat e qeverisë së re Rama tek ai? Balla tha se do të zbatohet Kushtetuta.