Globi

"Armiqtë tuaj janë të etur për të dëmtuar Serbinë", Orbani i lutet Vuçiqit t’i lirojë tre policët e Kosovës

Shkruar nga Liberale
"Armiqtë tuaj janë të etur për të dëmtuar

Ashtu edhe siç kishte premtuar gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.

“Me respekt, iu lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, ka thënë Orban në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

Ai ka shtuar se kjo do t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e vet”. “Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, ka thënë Orban.

Më 14 qershor, tre policë kufitarë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Serbia ka thënë se ata u arrestuan brenda territorit të saj, por Kosova ka deklaruar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq. Policëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe ata po mbahen në një burg në Kralevë.

Orban po ashtu tha se Hungaria, që e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe Beogradi ende refuzon ta pranojë, po përcjell ngjarjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne po e shohim se çfarë po iu bëhet serbëve. Mendoj se është e papranueshme që komuniteti ndërkombëtar të pranojë zgjedhje, ku kanë marrë pjesë rreth 4 për qind e votuesve, dhe t’i konsiderojë ato ligjore dhe të njohë rezultatet. Kjo është ajo që ne shohim dhe është e qartë për ne”, ka shtuar Orban.

Vuçiq ka përsëritur se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas ftesës që u është dërguar dy liderëve nga Bashkimi Evropian për një takim për menaxhimin e krizave, shkruan REL.

Lideri serb ka përsëritur kërkesat e Serbisë, në mënyrë që të zhvillohet takimi me Kurtin: tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe ndalimin e arrestimit të serbëve.

Ftesa e Brukselit për Vuçiqin dhe Kurti erdhi pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH