Aktualitet

Ardi Veliu e trajton rendin si fasadën e Kryeministrisë

Shkruar nga Liberale
Ardi Veliu e trajton rendin si fasadën e Kryeministrisë

Reldar Dedaj

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, fatkeqësisht, po jep shenja të përditshme që sigurinë e vendit po e trajton ashtu siç qeveria socialiste sillej vetëm pak vite më parë me fasadat e Kryeministrisë, videot e spitaleve apo palmat e autostradës, me populizmin propagandistik: si ka qenë dhe si është. Por kjo nuk është asgjë tjetër veçse njëra anë e medaljes, ana tjetër është akoma dhe më e rëndë, është dyshimi se përdorimi politik ka kapur edhe vetë kokën e Policisë së Shtetit, pikërisht atë institucion që mendohej se mund të ishte i depolitizuar. Në këtë pikë të krijohet përshtypja se atje ku merren vendimet më të larta të uniformave blu, është menduar se ndoshta është më mirë që policia t’i shërbejë qeverisë, sesa qytetarit të vet.

Për hir të së vërtetës, shenjat e para të këtij përdorimi u dhanë atëherë kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, shoqëroi Eskobarin e Ballkanit, nga streha e tij drejt policisë. Disa e rendisin këtë tek sukseset e tij dhe si arsyen pse gjeneral Lleshi e mbajti akoma në detyrë. Por në sytë e publikut, policia mori një goditje, pasi agjencia më e rëndësishme e zbatimit të ligjit dhe ofrimit të sigurisë në vend, tregoi dobësi, u shndërrua në taksi për një shumë të kërkuar.

Përgjatë drejtimit të tij të policisë, Ardi Veliu nuk ka munguar të ofrojë asnjëherë shërbimet e tij politike dhe partiake. Ai është treguar i ashpër me protestuesit e opozitës dhe në kohën e tij policia u fut edhe në universitete për të shantazhuar studentët që ngritën krye ndaj qeverisë. Si për të mos mjaftuar as kjo, Veliu është akuzuar edhe nga opozita si i përfshirë në manipulimin e dëshmitarëve, si, në rastin e njohur si “Babale”.

Kjo lehtësi në të menduar, që për arsye nga më të ndryshmet i shtohet mungesës së vullnetit për të sqaruar ngjarjet me profesionalizëm, pa kompromis dhe pa ngjyrë politike, rrit dyshimet për përdorim politik të Policisë së Shtetit nga qeveria. Dyshimet u bënë akoma edhe më të forta, pasi në pikun e debatit politik dhe shoqëror në lidhje për mos hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian, filmi u pre, dhe në mes të kësaj pakënaqësie popullore ndaj qeverisë, mediat e përqendruan fokusin e tyre si me magji drejt një lajmi që s’lidhej as me Europën dhe as me zemërimin e shqiptarëve, por tek diçka akoma edhe më e zezë se kaq, pra, tek frika e tyre.

Megjithatë, në një studio televizive, Ardi Veliu i cilësoi aludime të kota, pyetjet e ngritura, nëse celula terroriste që u bë publike nga policia disa ditë më parë, ishte një strategji për të shmangur vëmendjen nga dështimi i Shqipërisë për mos hapjen e negociatave me BE-në. Mirëpo, dyshimet shkojnë akoma edhe më tej, gjithashtu edhe hamendjet dhe kjo është e kuptueshme. Sepse njeriu pyet, si ka mundësi që asnjë person nuk është arrestuar, ndërsa policia flet për një parandalim krimi dhe a mos është kjo një skenar Hollivudian, ku në mungesë të ngjarjeve me seks, drogë, përdhunim dhe të vrarë, vjega qeveritare tërheq nga arkivi një histori me luftë dhe terrorizëm, kjo jo vetëm për t’i çorientuar shqiptarët, por shumë tepër se kaq, për t’i frikësuar ata deri në palcë; me tahmin të dalë ku të dalë kjo punë, as shkoi në dreq Europa, ne vetëm shëndetin të kemi? Ndërkaq, policia në vend që të bëjë detyrën që i takon, shndërrohet në buratin dhe maskë në shërbim të qeverisë dhe fatkeqësisht për të as kjo s’mjafton, duke harruar se krimi vjen një ditë dhe e ndjen kur shteti e ka seriozisht luftën kundër tij dhe zakonisht, kur ka ndryshime të mëdha, ai tërhiqet për të vrojtuar dhe testuar vendosmërinë dhe vullnetin e Policisë së Shtetit.

Në kohën e Ardi Veliut, i cili u ngjit në postin më të lartë të Policisë së Shtetit prej Fatmir Xhafës, kanë ndodhur disa prej përplasjeve më të rënda kriminale dhe disa prej vrasjeve më të forta mafioze. Në Vlorë, në Durrës, në Elbasan, në Shkodër, në Lezhë dhe, sigurisht në Tiranë. Në mes të bllokut, në zonën që duhej të ishte më e sigurta. Grupet kriminale kanë ekzistuar gjithnjë. Por në vitet e fundit, ato kanë treguar se nuk e llogarisin policinë në punët dhe hesapet e tyre.

Nuk ka qytetar në Tiranë që nuk e ka marrë vesh se seriali i krimeve të fundit në kryeqytet, është pasojë e përplasjes së përgjakshme të dy bandave, në luftë për territor. Edhe pse goditjet, krimet ndodhin pa ndalur, krerët e këtyre bandave vazhdojnë aktivitetin të lirë. Dhe mungon rezultati që duhej të vinte prej planeve, masave që merr policia për të marrë nën kontroll terrenin dhe për të vënë para drejtësisë bosët e krimit.

Vetëm gjatë këtij viti, në veri dhe jug të vendit, për qytetarët është e qartë se policisë i mungon dimensioni i vullnetit të pa kompromis kundër krimit. Ndonëse nuk thuhet publikisht, në çdo rreth pranë politikës përflitet për favorizime ndaj individëve të caktuar që dyshohen për aktivitet kriminal, drejtues policie mbajnë lidhje kompromentuese me grupe të caktuara dhe godasin grupe të tjera. E nëse krimi nuhat që selektiviteti shtrihet edhe në botën e tij, atëherë bëhet agresiv dhe adresohet edhe në emra të përveçëm.

Një rast emblematik për ta sqaruar një panoramë të tillë është edhe vrasja në Lushnjë. Lajmi se viktima e atentatit të fundit atje kishte lajmëruar policinë për rrezikun që i kanosej dhe po ashtu u kishte dorëzuar edhe të dhënat, emrat dhe fytyrat e atyre që më pas e vranë, e bën edhe më tronditëse ngjarjen. Ky është një tregues brutal se policia ka dështuar në misionin e saj kryesor, që është mbrojtja e jetës dhe parandalimi i një krimi të tillë. Viktima, pavarësisht të shkuarës së tij, apo problemeve që mund të ketë patur, e ka bërë detyrën e tij. Është paraqitur në zyrën më të rëndësishme të shtetit dhe ka dhënë informacionin vital. Ai që ka dështuar në këtë rast, që nuk ka bërë detyrën, është Ardi Veliu. Sepse, Drejtori i Përgjithshëm i policisë është përgjegjës se si reagon policia në raste të tilla. Ai është përgjegjës për integritetin, për standardet etike dhe profesionale të uniformave blu.

Janë ngjarje si kjo që kanë bërë që besimi i njerëzve te policia të jetë sot në kuotat më të ulëta. Kjo ngjarje të rrëzon dhjetëra statistika pas të cilave kapet qeveria kur mburret për treguesit e rendit. Po edhe statistikat në vetvete janë të rënda, kemi deri para ca ditësh të paktën 50 të vrarë për këtë vit. Mbi 20 krime të tilla, janë pa autor.

Por a i thamë të gjitha? Sigurisht, që jo… Gjithkush e di mirë, se një krim i rëndë, por i heshtur jo vetëm po ndodh çdo ditë, por ka lulëzuar dhe ka prekur qindra e mijëra biznese në Tiranë. Është pikërisht gjobëvënia. Është e vështirë të gjesh një sipërmarrës që nuk paguan sot taksën tek një grup kriminal, sipas zonës që ata mbulojnë.

Ky është një krim i vështirë për t’u hetuar e provuar, pasi do të duhej patjetër që personat e dëmtuar të denonconin. Problemi është se ata që paguajnë haraçin, nuk kanë besim. Në këto kushte, është policia, drejtori i saj, që merr masa, krijon teknika dhe mundësi, përshtatet në rrethanat e krijuara, për ta kapur fenomenin. Bën disa shembuj, disa histori suksesi, në mënyrë që njerëzit më pas të drejtohen në zyrat e komisariateve kur kërcënohen ose shtrëngohen për të dhënë pasurinë.

Për të mos shkuar akoma më larg se kaq, atje tek krimi zgjedhor, ku Ardi Veliu s’ofroi asnjë mundësi për garantimin e zgjedhjeve të lira, një proces jetik për vendin dhe integrimin europian, ku policia ka një rol kyç, parësor.

Këto shënime japin ngjarje të përditshme e të veçuara ashtu siç kanë ndodhur ditë pas dite, gjatë këtyre viteve. Ndërsa i kundron, një pas një, të gjitha, i shfleton dhe i merr hera-herës në duar, a s’të vjen së brendshmi të thërrasësh me sa fuqi të kesh: ç’prisni më… A nuk ju bën përshtypje ky bilanc negativ i Policisë së Shtetit dhe me ç’arsye e shpjegoni jetëgjatësinë e tij në krye të këtij institucioni. Por me kë të flasësh sot, askush s’dëgjon./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH