Një apartament në katin e katërt të një pallati në qytetin e Durrësit është përfshirë nga flakët.
Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës në zonën e ish-lulishtes ”1 Maji”. Kanë qenë qytetarët që kanë njoftuar se nga një apartament po dilte tym dhe dukeshin flakë.
Në apartament nuk ka pasur familjarë në çastin e zjarrit që paraprakisht deklarohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Si rezultat ka pasur dëme materiale vetëm në njërën nga dhomat e banesës.
Njoftimi i policisë:
Më datë 30.01.2021, në orën 16:20, në lagjen nr.11, Durrës, në katin e katërt të një pallati, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit B. B., nga e cila ka vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë dhe shërbimet e zjarrfikëses kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.