Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann ka kërkuar dyfishimin e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për integrimin e vendit në BE.
Në takimin e Këshillit të Integrimit, ku u prezantua nisja e edicionit të 7-të të Shkollës së Integrimit Europian, Hohmann vlerësoi se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk është vetëm një proces teknik, por duhet përfshirja e të gjithë shoqërisë civile dhe qytetarëve.
“Proces i anëtarësimit në BE është shumë më shumë se sa procesi teknik, është një proces që duhet të përfshihet e gjithë shoqëria. Të gjithë duhet ta kuptojnë se çfarë po ndodh. Duhet parë se çfarë duhet bërë më tepër me reformat dhe prandaj raporti vjetor për Shqipërinë është i rëndësishëm. Të gjithë mund të shikojnë se çfarë ka ndodhur”.
Duke folur për progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ambasadorja e delegacionit të BE theksoi se duhet të ketë udhëheqje të fortë politike në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ajo që shikojmë në raport është shqyrtuar agjenda e reformave, ecuria e Shqipërisë. Ju keni lexuar që vlerësimi i përgjithshëm është që Shqipëria ka vijuar të përqendrohet tek agjenda e reformave në BE. Por ato detyra që janë formuluar në raport duhet që të merren përsipër me përgjegjshmëri jo sa i përket zbatimit, por një proces i tërë që është e përfshirë jo vetëm qeveria, por edhe shoqëria civile, edhe Kuvendi, edhe opozita. Presim të ketë udhëheqje të fortë politike sa i përket kësaj agjende dhe që vendi të drejtohet për të ecur sa më shpejt që të jetë mundur”.
Ndërkohë, ambasadorja Hohmann përmendi edhe lirinë e fjalës, si një aspekt për të cilin tha se është bërë shumë pak përparim dhe që duhet të përmirësohet.