Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Agron Shehaj shprehet se me këtë lidership që ka PD, demokratët nuk do të njohin fitore.
Gjatë një takimi të zhvilluar në njësinë nr.11 në Tiranë, Shehaj tha se ai kandidon që të bëhet kryetar i Partisë Demokratike, pasi po nuk ndryshoi PD, do të rrezikojnë të gjithë.
Shehaj tha se Basha nuk arriti që ta rrëzonte Ramën as me bojkote dhe as me protesta, por sipas tij duke punuar me PD-në dhe duke përmirësuar këtë parti, do të mund ta rrëzojnë Ramën me votë nga pushteti.
Vetëm me votë mund të rrëzohet, vetëm duke punuar me PD-në, duke e përmirësuar Partinë Demokratike. Sepse PD është alternativa e vetme në Shqipëri.
Unë e thash, duhet të futemi në parlament, e thashë, vjedhje ka pasur, por kjo nuk është e vetmja arsye. Po të mendoja që ishte e parakohshme nuk do të futesha në garë. Unë mendoj që ishte gjëja e duhur për të bërë, nuk mund të heshtnim të gjithë e të thoshim që s’ka diskutime. Unë jam realisht i bindur që po kandidoj për t’u bërë kryetar i PD, sepse po nuk ndryshoi PD rrezikojmë të gjithë. Kjo është arsyeja që u futa në garë. Kjo të jetë e qartë.
Jam në PD, do të jem e do të mbetet, gara e forcon PD. Kjo është demokracia, demokracia është garë. Mund të zgjidhja të jepja kontributin tim brenda PD, të hidhja mendimin tim e ai të mos përfillej. Mendoj që ky lidership s’i çon demokratët në fitore.
Nëse kryetari aktual i PD rikonfirmohet, do të shohim nëse kam pasur unë gabim apo mirë. Shpresoj ta kem unë gabim. Këtë vendim e kam marrë sepse mendoj që PD ka nevojë për më shumë kontribut nga unë. Një prej elementëve kryesore që duhet të denoncojmë. Të gjithë e dimë që në Shqipëri s’ka zhvillim ekonomik, e punësim, është sepse Shqipëria është e korruptuar. Këtë e dinë të gjithë. Të qenit kryetar i një dege, s’do të thotë që s’je i përshtatshëm për t’u kandiduar.
Strategjia është e qartë, opozitë e fortë, opozitë mbi vjedhjet duke e çuar deri në fund. Nuk mund të ketë kauza që lihen rrugës, kauzat çohen deri në fund. Duhet t’i qëndrojmë besim kauzave. Do të krijohet platformë online, ku do të përfshihen anëtarët, në vendimmarrje, në referendumet që do të bëhen brenda PD.’- tha Shehaj.