Suplementi “Universitas” vjen çdo të shtunë në Gazetën Liberale, me rubrika të larmishme, zhanre të ndryshme, jo vetëm analiza politike, por edhe analiza për çështje të rëndësishme.
Në rubrikën “Polemika” do të gjeni një shkrim nga Klementin Mile me titull: "A kemi mbërritur në ekstremistan?".
"Zgjedhjet e 25 prillit e gjejnë vendin tonë në një situatë politike të paprecedentë. Asnjëherë më parë në historinë e pluralizmit politik nuk ka patur një ndasi kaq të qartë të qeverisë dhe opozitës. Në qofshin të vërteta akuzat e opozitës, sot qeveria zotëron tërësisht “industrinë” e prodhimit të votës popullore: pushtetin qendror, atë lokal, mediat, oligarkët, të fortët, gjykatat, ambasadorët. Pra, për t’u marrë votën, qeveria mund të trokasë disa herë në derën e votuesve – me ligje, me premtime për favore, me para, me kërcënime, me propagandë e kështu me radhë. Opozita, nga ana tjetër, nuk ka asgjë nga këto. Asaj i mbetet vetëm karta morale dhe mund të trokasë vetëm një herë në derën e votuesve. Po të kishin efekt vetëm sasitë, zgjedhjet e ardhshme tashmë do të ishin vendosur. Fitorja e qeverisë do të ishte thjesht formalitet. Por, siç na e dëshmon mendimtari i shquar libanezo-amerikan Nassim Nicholas Taleb te libri i tij “Mjellma e Zezë”, gjithçka mund të ndryshojë nga fuqia e së papriturës", shkruan Mile.
Ndërsa pas tij vjen një opinion nga Agustin Palokaj me titull: "Dialogu ia ktheu Serbisë të drejtën e vetos për fatin e Kosovës".
"Përmes dialogut në Bruksel, Kosova ka rënë në një kurth nga i cili më nuk mund të dalë. Në një proces dhjetëvjeçar Serbia gradualisht ka ndërtuar një situatë në të cilën i tërë procesi është udhëhequr drejt kërkimit të një oferte që do të ishte e pranueshme për të. Sepse Kosova deri atëherë kishte pranuar gjithçka. Kishte pranuar Marrëveshjen e Rambouilletit, pastaj negociatat në bazë të Udhëzimeve të Grupit të Kontaktit, Propozimin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit, pastaj edhe konkludimin e “Trojkës” BE-SHBA-Rusi", e nis shkrimin Palokaj.
Më pas do të lexoni edhe një opinion tjetër, por këtë herë nga Genc Pollo: "Sikleti me mësuesin e gjimnazit, ministren për Europën e ca të tjerë".
Në rubrikën aktualitet do të gjejmë: "Koronavirusi, a do t’i mbyllin sërish kufijtë vendet e BE-së?".
"BE do të aplikojë një certifikatë për vaksinimin, por kjo fillimisht do të vlejë si dokument mjekësor. Se si mund të kushtëzohen avantazhe për lirinë e lëvizjes përmes saj, mbetet të vendoset në muajt e ardhshëm".
Ndërsa në “Campus” sot do të gjeni: “Departmanet’s Book Review/ Balla rrëfen të vërteta e tij për 21 janarin.
"Një dekadë pas 21 janarit 2011, gazetari Sokol Balla sjell në dritë librin e tij më të fundit “Dëshmia e Puçit”, botim i UET Press, me rrëfime dhe dëshmi të disa prej atyre që u bënë protagonistë të ngjarjes së përjetësuar në historinë politike shqiptare, përmes vdekjes së 4 protestuesve. Libri u prezantua për herë të parë këtë të enjte në Departament’s Book Review, ciklin e bisedimeve që tashmë zhvillohet prej javësh në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, nën respektimin e masave anti-Covid."
Po në këtë rubrikë do të gjeni edhe: "A duhet të ndjekin universitet globale parime globale?"
"A duhet të zbatohet parimi i barazisë arsimore për të gjithë studentët në mbarë botën apo vetëm për disa studentë në veçanti – më saktësisht, studentë të cilët kanë shtetësi dhe të drejta të përhershme të qëndrimit?", shkruan Stuart Tannock.
Dhe për ta mbyllur me shkrimtarin Ernest Koliqi: "Mâ parë ideja, mandej njerzit".
"E kemi fjalën ke Shqipnija e ardhëshme. Vizatimi a sajimi i saj lodhë trûnin e çdo burri të kuptueshëm i cili ndien nevojën me jetue shqiptarisht në nji truell shqiptar tue gëzue në liri të drejtat qi kënaqin hovet e gjakut trashëgue prej stërgjyshave. Asnjâna ndër trajta jetese të përbashkët qi shqiptarët njoftën deri sot nuk i u përgjigj dëshirave të ligjëshme të të gjitha gjymtyrve të kombit. Sejcila prej atyne trajtave pat gjymtime e mungesa. E dijmë se s’do të kemi kurr mundësi të ndërtojmë nji Shqipni idealisht të përsosun. Përsosja nuk âsht e arrijtëshme në kët botë. Shum rrethana, mandej, të mbrêndëshme e të jashtëme, pengojnë sendërtimin (réalisation) qind për qind të dëshirave tona kombtare. Por, ndër caqe të mundësive reale, na merr mêndja se, tue veprue urtisht, mund t’i a dalim me hjedhë themelet e nji atdheu i cili të përfshîjë në votrën ngushulluese të vet, pa dallim shkalle shoqnore, të gjithë bijt e Shqipes.", shkruan shkrimtari Koliqi. /Gazeta Liberale