Aktualitet

A ka nevojë Shqipëria për një politikë të jashtme?

Shkruar nga Liberale

Titulli: Boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme

Autor: Agim Nesho

Ose politika e jashtme si lojë pasqyrash

Virgjil Muçi

Këtu e shtatë vjet më parë, kur Agim Nesho botoi librin e tij të parë “Në mirëbesim”, shpalosi para lexuesve përvojën e gjatë si ambasador i Shqipërisë në OKB, duke riprodhuar një udhëtim në kohë dhe hapësirë mjaft interesant e intrigues nëpër skenat dhe prapaskenat e diplomacisë ndërkombëtare, si dhe duke përshkruar me penelata ekspresive e ngjyra të ndezura një sërë ngjarjesh që, sotmë, janë ngulitur fort në kujtesën kolektive të shekullit të njëzetë dhe atij të njëzetenjë. Kësodore, mund të themi që autori ia doli të ngërthejë në shtratin e Prokustit një lëndë të pasur e të larmishme që zhvendosej me zhdërvjelltësi sa nga njëri regjistër i shprehjes në një tjetër: kujtime, shënime, refleksione, vëzhgime, përsiatje dhe, përmbi të gjitha, një galeri të pazakontë personazhesh po aq të pazakontë, protagonistë të dorës së parë të skenës së politikës dhe diplomacisë shqiptare e asaj botërore.

Sot Nesho shfaqet para lexuesit me një libër të dytë “Boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme”, titull që shoqërohet prej nëntitullit kuptimplotë “Për një diplomaci aktive në shekullin XXI”, i cili ndryshon jo vetëm në trajtë, por, siç do të shohim në rrjedhën e këtij shkrimi, edhe nga përmbajtja. Gjithsesi, ajo çka është thelbësore, autori nuk shkon e flirton, por i qëndron besnik asaj çka edhe është dashuria e jetës së tij, diplomacisë. Thënë me fjalë të tjera, Nesho kuturis të eksplorojë territore që shembëllejnë gati-gati futuristike për diplomacinë shqiptare, sot e gjithë ditën të kapërthyer nga rutina e përditshme e një farë tulatjeje që vjen si rrjedhojë e agresivitetit që shfaq politika në raport me të, por edhe një gjendje nënshtrimi e apatie prej kompleksit të inferioritetit përkundrejt të mëdhenjve me të cilët ka fatin të ulet si e barabartë në tryezat e forumeve ndërkombëtare.

Siç ngjet rëndom në kësi rastesh - dhe për këtë i referohemi asaj çka na kumton autori në hyrje të librit kur flet për takimin e zhvilluar me një personalitet të huaj dhe pyetjes së shtruar prej tij në bisedë e sipër: “Apo mendoni se duke qenë kaq mirë e “përshtatur”, në thelb, nuk ka një politikë të jashtme për shtetin shqiptar?” - ngjan sikur edhe ky libër është fryt i atyre keqkuptimeve fatlume që bëhen shkas për të nxjerrë në dritë vepra që mbasi i kemi lexuar e kuptojmë se kanë ardhur bash në kohë. Tekefundit, edhe pse me gjysmë zëri dhe më së shumti në biseda krejt informale jo rrallëherë është hedhur si me të patëkeq pyetja: “E për çfarë u duhet politika e jashtme dhe, për rrjedhojë, diplomacia vendeve të vegjël që janë duke u integruar në bashkësi gjigantësh si BE e NATO?” S’do mend që, përtej një farë naiviteti, pyetja në fjalë nuk është se përbën ndonjë sakrilegj. Gjithsesi, Nesho në punimin e vet hedh një vështrim zhbirilues dhe shkel në këtë farë terreni rrëshqitës për të argumentuar bash të kundërtën dhe shtjelluar nevojën e domosdoshmërisë jo vetëm e thjesht të një veprimi normal diplomatik, por të shkathët e dinamik, për të mos thënë agresiv, për t’iu përgjigjur kësisoj sfidave të shekullit në të cilin kemi hyrë.

Autori merr e kryen një analizë të hollësishme kritike të çdonjërit prej aktorëve më me peshë në skakierën globale, si dhe të marrëdhënieve që Shqipëria lypset të ndërtojë me çdonjërin prej tyre. Duke bërë, s’do mend, specifikat dhe dallimet e duhura nisur nga një sërë faktorësh historikë e bashkëkohorë, parimorë e pragmatikë, strategjikë dhe gjeopolitikë, autori parashtron rrugët e kahet që duhen ndjekur për t’u orientuar me sens realist në zhvillimet e vrullshme të botës së sotme. Ajo çka të bie në sy në gjykimet dhe vlerësimet e Neshos është njohja deri në hollësi të imta e dinamikave diplomatike në politikën e jashtme të çdo vendi, si dhe perceptimi realist e i esëllt i konceptit të marrëdhënieve me të mëdhenjtë e politikës europiane e amerikane. Ndoshta si rrallëkush nga analistët dhe studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, Nesho shpalos një qasje pragmatiste nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, gjithë dinjitet, edhe pse është i vetëdijshëm për përmasat dhe peshën modeste në skenën botërore për një shtet i vogël si i yni.

Në punimin e vet, autori u përkushton një vëmendje të veçantë marrëdhënieve që lypset të ndërtojë shteti dhe politika shqiptare me vendet fqinje në veçanti dhe ato të rajonit në përgjithësi në suazë të konteksteve të krijuara pas viteve nëntëdhjetë, shembjes së mureve të diktaturave njëpartiake dhe përfundimit të konflikteve të përgjakshme në hapësirën e ish-Jugosllavisë, duke i hedhur sytë nga perspektiva që ofron shekulli XXI dhe zhvillimet e pritshme në të. Ashtu si edhe në këqyrjet e mëparshme, ai rreket t’i ridimensionojë këto politika, duke e parë orientimin e tyre larg voluntarizmit të individëve të veshur me pushtet, skematizmit, dogmatizmit dhe amatorizimit, shkurt e shkoqur sëmundjeve të vjetra e të reja prej të cilave ka hequr e ka vuajtur politika jonë e jashtme, duke u dhënë një përmasë emancipuese dhe duke i shtrirë ato për kah interesat madhore të të gjithë shqiptarëve, kudo që ata gjenden në rajon; më shkoqur me një theks që rreh për kah zhvillimet dhe bashkëpunimin ekonomik, kulturor e social, duke i konsideruar ata faktor paqeje e stabiliteti në rajon e në krejt kontinentin europian e më gjerë. Duke hedhur një vështrim përimtues lidhur me rolin e mbarë faktorit shqiptar, si dhe duke e këqyrur atë në mënyrë evolutive falë arritjeve të shënuara përgjatë këtyre viteve të fundit, arritje që kulmuan me pavarësinë, ngritjen dhe njohjen e shtetit të Kosovës si një entitet i ri shtetëror në botë, por edhe Marrëveshjen e Ohrit, marrëveshje që i dha fund konfliktit në Maqedoni mes shqiptarëve dhe maqedonëve, por që nuk i ka dhënë ende fund trajtimit si qytetarë të dorës së dytë të shqiptarëve në trojet e tyre, autori shpalos pikëpamjet e tij kundër një nacionalizmi anakronik që do ta kthente Ballkanin pas në periudhën e errët të luftrave të përgjakshme etnike e religjioze, si dhe realizimin e asaj që ai shkon dhe e quan unifikim të faktorit shqiptar brenda procesit të integrimit europian përmes zhvillimit të infrastrukturës, intensifikimit të lidhjeve kulturore, njësimit të natyrshëm të gjuhës dhe sistemit arsimor për të mbërritur në nisma të përbashkëta rajonale e europiane. E megjithatë autori nuk ndalet këtu, por e shpie më tej idenë e tij kur parasheh një konfiguracion shtetëror me trajta federative midis Shqipërisë dhe Kosovës, si një proces që nuk prish as drejtpeshimet gjeopolitike, as cenon stabilitetin rajonal.

Teza e Neshos lidhur me boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme, tezë që përbën edhe strumbullarin e këtij libri, sjell një risi në politikën tonë të jashtme, si dhe i shërben instrumentit të aplikimit të saj, diplomacisë, e cila, për hir të së vërtetës, është e konsumuar dhe e shterruar idesh. Autori përpunon dhe hedh idenë e tri boshteve ku mund e duhet të mbështetet politika jonë e jashtme: së pari, boshti, Gjermani-Austri-Shqipëri, si një dukuri e re e aplikueshme kryesisht në proceset integruese europiane, por duke e  këqyrur edhe si një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Sipas Neshos, Shqipëria e ka humbur dy herë shansin për ta sendërtuar këtë bosht; herën e parë pas dëbimit gati të dhunshëm të Princ Vidit, ndërsa herën e dytë pas refuzimit të OstPolitikës së Willy Brandt-it, ndaj dhe nuk mund t’i lejojë vetes luksin të lajthisë edhe një herë të tretë, por as të tolerojë kokëtrashësinë dhe dritëshkurtësinë e klasës politike për ta shpërfillur këtë shans. E megjithatë, duke i këqyrur gjërat në një perspektivë shumërrafshëshe rajonale, kontinentale e globale, Nesho i bashkëngjit politikës sonë të jashtme edhe një bosht të dytë: atë të gjallërimit dhe fuqizimit të linjës strategjike për një politikë, por jo vetëm, aktive me vendet e pellgut të Mesdheut brenda suazës së Unionit për Mesdheun, ku deja jemi anëtarë. Teksa boshti i tretë, sipas këndvështrimit të Neshos, është ai ku Shqipëria shkon e bashkohet me një aleat strategjik e fuqi globale, SHBA-ja dhe një superfuqi rajonale, Turqia. Ky bosht synon ruajtjen e drejtpeshimit të forcave në rajon, ndërkohë që mund të këqyret si një vlerë e shtuar në sytë e NATO-s për një rol më të gjallë e aktiv në Lindjen e Mesme e Kaukaz, por edhe si një bosht sigurie e garancie i vlerave të demokracisë dhe qytetërimit perëndimor në juglindje të kontinentit europian.

Libri është i pajisur me një bibliografi të pasur artikujsh dhe botimesh nga autorë shqiptarë, por kryesisht të huaj, ndër të cilët të bien në sy emra me mjaft reputacion në lëmë të studimeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkombëtare, gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë, çka na jep të kuptojmë jo vetëm e  thjesht punën skrupuloze që ka kryer autori në fushë të kërkimit dhe të përzgjedhjes së mendimit më të fundit lidhur me politikën e jashtme dhe diplomacinë, por edhe prurjet e reja që e bëjnë edhe më të ngutshme nevojën e përplotësimit të bibliotekës në gjuhën shqipe nga kjo fushë botimesh me emra dhe tituj ende të panjohur si për lexuesin e specializuar ashtu edhe atë të gjerë në Shqipëri.

Thënë me fjalët e një figure me emër në fushë të politikës së jashtme, në këtë punim Agim Nesho përpiqet të bashkojë e të harmonizojë realizmin me idealizmin, duke i këqyrur si dy elementë që nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por që, përkundrazi, janë përplotësues në mënyrë të ndërsjellë. Tekefundit, realizmi i ndërthurrur me idealizmin, a nuk mund e duhet të jenë edhe motoja e diplomacisë sonë? /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH