Sport

8 tifozë të tjerë vihen në hetim për dëmtimin e stadiumit 'Air Albania', pas derbit Tirana- Partizani

Shkruar nga Liberale
8 tifozë të tjerë vihen në hetim për dëmtimin e

Policia e Tiranës ka vënë në hetim edhe 8 tifozë të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e grupit të tifozëve të cilët dëmtuan stadiumin pas derbit Tirana- Partizani. Një ditë më parë u arrestuan 4 tifozë, u vunë 3 nën hetim dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim

“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me ndeshjen mes ekipeve Tirana dhe Partizani, të zhvilluar më datë 03.12.2023, në stadiumin “Air Albania”, sqarojmë se në vijim të veprimeve hetimore për situatën e krijuar, gjatë dhe pas kësaj ndeshjeje, janë identifikuar dhe shoqëruar shtetas të tjerë që dyshohet se kanë hedhur flakadanë në fushë dhe kanë ushtruar veprime të dhunshme.

Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. S., 21 vjeç, E. D., 19 vjeç, G. S., 19 vjeç, L. B., 20 vjeç, E. Q., 19 vjeç, G. H., 35 vjeç, D. I., 36 vjeç dhe A. Sh., 36 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, informoi sot policia e Tiranës", thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tirana dhe Partizani u luajt ditën e diel, në stadiumin "Air Albania" dhe përfundoi me rezultatin 1:1. Edhe pse ishte parashikuar të niste në orën 19:00, ndeshja u shty dhe filloi 8 minuta me vonesë, për shkak të rrëmujës së shkaktuar nga tifozët.

Në nisje të duelit futbollistët dhanë një mesazh kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave, teksa kishin veshur të gjithë fanella ngjyrë portokalli. Edhe në fundin e ndeshjes pati përleshje mes tifozëve dhe u desh ndërhyrja e Forcave Speciale.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH