Aktualitet

PROTAGONISTI I DITËS: Enkelejd Alibeaj, vota pro SPAK-ut një votë pro perëndimit dhe jo kundër Berishës!

Shkruar nga Liberale
PROTAGONISTI I DITËS: Enkelejd Alibeaj, vota pro SPAK-ut një votë

Këshilli i Mandateve dhe i Imuniteteve rrëzoi sot me 6 vota pro kërkesën e avokatëve të Sali Berishës, duke i hapur rrugë Kuvendit të Shqipërisë, për miratimin e kërkesës së SPAK, që akuzon ish-kryeministrin për përfshirje në afera korruptive. E ndërsa do të jetë gjykata ajo që do të japë verdiktin, institucionet e reja të drejtësisë, kanë tagrin të hetojnë cilindo në Shqipëri: deputetë, kryebashkiakë, ministria, ish-ministra, kryeministra dhe ish-kryeministra. Jo vetëm qytetarë të thjeshtë. Demokracitë e konsoliduara nuk përjashtojnë askënd nga hetimi dhe të gjithë kanë të drejtën të provojnë të kundërtën e akuzës.

Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje në mbledhjen disa-orëshe të Këshillit të mandateve ishte vota nga Enkelejd Alibeaj. Përveç 5 votave të socialistëve, ish-kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, doli kundër argumenteve të mbrojtësve të ish-kryeministrit Berisha. Alibeaj u shpreh se përfaqësuesit ligjorë të Berishës mund t’a çonin çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke votuar kështu “pro” vazhdimit të mbledhjes së Këshillit të Mandatave dhe Imunitetit.

Alibeaj me votën e tij u bë sërish protagonist i një tjetër qëndrimi kundër njeriut-parti dhe partisë-shtet, për t’i hapur rrugë një standardi të ri në shtet-formim. I njohur në arenën ndërkombëtare, por jo në atë shqiptare. Alibeaj nuk votoi sot për arrestimin e ish-kryetarit të partisë së tij, por për hetimin e ish-kryeministrit. Ishte një votë pro institucionale, një votë që shkon në favor të pushteteve të pavarura të demokracisë shqiptare, sado e brishtë qoftë ajo.

Mund të interpretohet dhe në fakt është interpretuar politikisht votimi i Alibeajt si një bashkim ose shkrije me PS-në. Rithemelimi siç ka vepruar me sulmet sistematike politike ndaj çdo kujt që del kundër interesit dhe vullnetit të liderit të kësaj force, duke njohur si legjitim vetëm institucionin e “njeriut-shtet”, përdori sërish “argumentin” përçarës, vetëm e vetëm që interesi i tij të mos preket.

Deputeti i Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj megjithatë i pyeti avokatët e Sali Berishës nëse i kishin kërkuar atij të heqë dorë vullnetarisht nga mandati. Alibeaj doli kundër avokatëve të ish-kryeministrit për të pezulluar ose shtyrë mbledhjen teksa u shqyrtua nga Këshilli i Mandateve dhe u aprovua kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha. Ndonëse vota kundër e tij ka përkuar me ato të maxhorancës, qëndrimi i Alibeajt dhe i pjesës zyrtare të Partisë Demokratike është i qartë. Është një qëndrim që konfirmon distancimin e kësaj force politike, me të kaluarën e saj. Është një qëndrim properëndimor, por institucional, një qëndrim pro të ardhmes së vetë Partisë Demokratike.

Kjo parti, dhe e djathta në përgjithësi, është thënë dhe është stërthënë dhe po vërtetohet çdo ditë e më shumë se jo vetëm që nuk kanë të ardhme, por mund të shkrihen si forcë politike, nëse nuk do shkojë në sinkron me politikën e madhe ndërkombëtare. Me pjesën ndërkombëtare, në të cilin Shqipëria është tërësisht e varur dhe ka lidhur fatet e saj pas rrëzimit të regjimit komunist, që nga anëtarësimi në NATO dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Opozita në përgjithësi dhe Partia Demokratike në veçanti nuk do të kenë kurrë të ardhme pa mbështetjen e perëndimit. Kjo mbështetje është e kushtëzuar në respektin e institucioneve kushtetuese. Institucioni kushtetues, me besueshmërinë më të lartë nga publiku sipas një sondazhi të Euronews Albania, është SPAK dhe sigurisht, është ngritur me mbështetjen dhe ka përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Bashkimit Europian.

Është një qëndrim pro organeve të reja të drejtësisë. Jo një qëndrim pro maxhorancës, as krahas maxhorancës. Nëse maxhoranca ka ditur të mbajë një linjë me politikat properëndimore, në këndvështrimin ose projeksionin që ato kanë mbi sistemin e drejtësisë, dhe ndoshta për këtë arsye mban prej vitesh pushtetin, opozita kurrë nuk do të jetë alternativë për të ardhur në pushtet nëse do të refuzojë të njohë pavarësinë e institucioneve të reja kushtetuese.

Prokurorët e SPAK u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t'i hiqnin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk respektoi urdhrin për t'u paraqitur dhe për të raportuar çdo dy javë mbi akuzuat e ngritura. Ai u ndalua edhe të mos udhëtojë jashtë vendit ndërsa është duke u hetuar për korrupsion.

Në fund të fundit, ish-kryeministri është nën hetim siç mund të jetë çdo qytetar tjetër i këtij vendi.  Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme këtu. Nuk është e jashtëzakonshme as vota e ditës së sotme në Këshillin e Mandateve nga Enkelejd Alibeajt. Sot Alibaj ishte protagonisti i ditës sepse ashtu si vota e tij edhe kërkesa e SPAK për të hetuar cilindo qytetar të Shqipërisë, me ose pa pushtet, është tërësisht e ligjshme, pavarësisht komplekseve dhe dëshirës politike të njërit apo tjetrit. /Liberale.al

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH