Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se do të kërkojë “drejtësi” për të vrarët në bordin e një aeroplani ukrainas, i cili u rrëzua javën e kaluar nga Irani, ku mbetën të vdekur 176 persona.
Trudeau foli në Edmonton, në një vigjilje për 57 kanadezët që humbën jetën në tragjedi. Ai premtoi se do të kërkojë përgjigje nga Irani, i cili pranoi se ushtria e tij e ka rrëzuar aeroplanin gabimisht.
“Kjo tragjedi nuk do të duhej të ndodhte kurrë. Dua t’ju siguroj se e keni mbështetjen time të plotë gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë. Nuk do të pushojmë derisa të ketë përgjigje”, tha Trudeau, duke iu adresuar një turme prej rreth 2,300 njerëzish.
Rrëzimi i avionit ndodhi pak orë pasi Irani sulmoi me raketa balistike bazat ushtarake amerikane në Irak, më 8 janar./Gazeta Liberale