Detaje të reja janë zbuluar për vrasjen e 27-vjeçarit Mehmet Qema, mbrëmjen e kaluar. Sipas BW, 28-vjeçari, Marjus Dema, ka thënë para hetuesve se nuk kishte dijeni që arma kishte plumba brenda, ndërsa është shprehur se atë e kishte sjellë në tavolinë vetë viktima.
“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën”, mësohet të ketë thënë 28-vjeçari në polici.
Ndërkohë, në pamjet e siguruaran nga mediat, dukej se 27-vjeçari shfaqej i ulur në tavolinë dhe disa herë komunikonte me shokun e tij, që mbante armën dhe i kërkonte atij ta ulë atë.
Nga ana tjetër, Marjus Dema që qëndronte në këmbë, bënte lëvizje të pa kontrolluara, duke e mbushur pistoletën disa herë, derisa ajo qëlloi dhe plumbi kapi në gjoks Mehmet Qemën, i cili bie menjëherë në tokë.