Florian Çullhaj PhD
Me rastin e 80 vjetorit të Luftës së Dytë Botërore, Parlamenti Evropian nisi një reflektim mbi ideologjitë dhe politikat që kanë shoqëruar pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë. Nëpërmjet një rezolute të titulluar; Mbi Rëndësinë e Kujtesës Evropiane për të Ardhmen e Evropës, të votuar më 19 nëntor 2019. Nëpërmjet kësaj rezolute Parlamenti Evropian nënvizoi disa pika themelore të një historie që ka qenë, e ende është temë e hapur debati. Rëndësia e këtij dokumenti është polivalente, por qëllimi i saj primar është kritika ndaj politikave agresive dhe vrastare të Bashkimit Sovjetik. Rezoluta fillon duke argumentuar se si pakti Molotov-Ribbentrop, solli më pas shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.
Në nivel Evropian pika më e nxehtë e kësaj rezolute është barabitja e BRSS së Stalinit me Gjermaninë naziste. Ja si shprehet rezoluta në lidhje me këtë aspekt: Duke marrë parasysh se, pas humbjes së regjimit nazist dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, disa vende evropiane ishin në gjendje të vazhdojnë me rindërtimin dhe të ndërmarrin një proces pajtimi, ndërsa për gjysmë shekulli vendet e tjera evropiane mbetën subjekt i diktaturave, disa prej të cilave janë uzurpuar drejtpërdrejt nga Bashkimi Sovjetik ose i nënshtroheshin ndikimit të tij, dhe kanë vazhduar të privohen nga liria, sovraniteti, dinjiteti, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi socio-ekonomik; ndërsa, megjithëse krimet e regjimit nazist janë gjykuar dhe ndëshkuar përmes gjyqeve të Nurenbergut, ekziston ende një nevojë urgjente për të rritur ndërgjegjësimin, për të bërë gjykime morale dhe për të kryer hetime gjyqësore në lidhje me krimet e Stalinizmit dhe diktaturave të tjera.
Në plan të parë kjo barabitje mund të duket reduktuese, pasi rezoluta veçon disa fakte duke i zhveshur ato nga mundësia për një interpretim më gjithëpërfshirës që mund ta pasuronte edhe më tej argumentin. Në anën tjetër, kritikët shprehen se, nëpërmjet miratimit të kësaj rezolute Parlamenti Evropian shfaqi një formë padurimi në dëshirën për të adresuar këtë çështje që lëngonte prej kohësh në agjendën e saj vendimmarrëse. Një tjetër faktor me rëndësi që buis prej rezolutës është dhe qartësimi i disa pikave që e bëjnë delikate sot detyrën e politik-bërësve për krijimin e një ndërgjegje qytetare. Veçanërisht për një politikan, i cili e sheh veten si të paaftë për të imponuar një interpretim politik zyrtar, për disa fakte historike të së shkuarës. Një tjetër aspekt që ka ndezur më së shumti debat është aludimi mes rreshtave i Parlamentit Evropian se ndaj komunizmit po bëhet një lloj apologjie, e cila shfaqet me përdorimin e vazhdueshëm të simboleve të regjimeve totalitare në sferën publike.
Në Shqipëri si zakonisht nuk u zhvillua asnjë debat konstruktiv mbi këtë rezolutë, e cila për herë të parë vë në të njëjtin plan fashizmin me komunizmin. Historia prej kohësh e ka vendosur pretencën e saj mbi regjimet totalitare por, duke qenë se sovjetikët ishin ndër fituesit e Luftës së Dytë Botërore, u desh më shumë kohë për të hedhur dritë mbi krimet Staliniste. Megjithatë, Parlamenti e ka njohur sakrificën e Rusisë dhe e ka integruar këtë në rezolutë duke u shprehur se Rusia "mbetet viktima më e madhe e totalitarizmit komunist".
Në përpjekje për të ndërtuar një memorie të përbashkët Evropiane, Parlamenti nënvizon rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtimeve të së kaluarës, "sepse nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetën e kujtesës". Ne si shqiptarë, viktima të drejtpërdrejta të njërit prej regjimeve me brutale në histori e Evropës së shekullit të njëzetë, nuk mund ta lëmë këtë kujtesë në kontingjencat e humoret politike të pushtetarëve të radhës. Të cilët, të verbuar nga pragmatizmi politik, e për të nxjerrë një grusht votash më shumë kuturisën pa kriter në qëndrime politike aspak në përputhje me parimet e familjes Evropiane, së cilës pretendojnë se ju përkasin. Në përpjekje për ta parandaluar këtë fenomen, Parlamenti vë në dukje se "asnjë organ ose parti politike nuk ka monopol në interpretimin e historisë dhe që organe dhe parti të tilla nuk mund të pretendojnë se janë objektive". Për më tepër, Parlamenti vëren se "interpretimet zyrtare politike të fakteve historike nuk duhet të imponohen me vendime të mazhorancave parlamentare dhe që një parlament nuk mund të ligjësojë mbi të kaluarën". Nga ana tjetër, ai thekson se "interpretimet e shtrembëruara të historisë mund të ushqejnë politika përjashtuese, duke nxitur kështu urrejtjen dhe racizmin".
Si përfundim, nëse kemi frikë nga instrumentalizimi politik, atëherë nuk duhet të fshihemi pas gishtit por të përballemi me historinë tonë pa bërë përjashtime. Çdo iniciativë në këtë drejtim, siç është rasti edhe i kësaj rezolute është e mirëseardhur. Ne kemi vetëm një formë qeverisjeje për të ndjekur, atë të demokracisë-liberale, e cila duke qenë se në konstitucionin e saj është e deleguar, pra përfaqësuese, nuk është e pagabueshme. Si e tillë, duhet punuar në përditshmëri nga të gjithë ne për mirëfunksionimin e saj. /Gazeta Liberale