Dr. Ing. Maksim Çipi
Ushtrimi i profesionit të inxhinierit në Shqipëri
Aktualisht, profesioni i inxhinierit në Shqipëri, si një nga tipologjitë e profesioneve të rregulluara, sipas ligjeve në fuqi është i mundshëm të ushtrohet nëpërmjet regjistrimit dhe marrjes së Licensave përkatëse, si Individ apo Shoqëri, në Studim Projektim apo Zbatim të Punimeve e Mbikqyrje.
Ky regjistrim dhe marrje e Licensave në Kategoritë përkatëse, mund të bëhet në vijim të përfundimit të studimeve në fusha të caktuara, në Sistemin BA apo MSC, dhe në funksion të viteve të ushtrimit të aktivitetit professional etj., me dorëzimin e dokumentave të specifikuara.
Është i mjaftueshëm e i plotë ky sistem i regullimit të ushtrimit të profesionit të inxhinierit?
Ka nevojë ai për regullime, plotësime, modifikime për përmirësim të mundshëm të tij apo duhet ndryshuar e zëvendësuar me një tjetër sistem të ushtrimit të profesionit të inxhinierit?
Në këtë drejtim, prej disa kohësh janë bërë e po bëhen përpjekje nga grupe, shoqata apo individë të ndryshëm, për një riorganizimi të mënyrës së rregullimit të ushtrimit të profesionit të inxhinierit në Shqipëri, nëpërmjet themelimit e funksionimit të Urdhërit Profesional.
Cilat janë disa probleme e shqetësime që kanë dalë e dalin përpara Inxhinierëve?
Përpara inxhinierëve qëndrojnë mjaft probleme, të shumta në numër po aq edhe të rëndësishme e urgjente. Kështu, duke u përqëndruar në fushën e Inxhinierisë së Ndërtimit, nga tërësia e problemeve të ndryshme, mund të veçohen disa, si:
- Mungesa e Kushteve apo Normave Teknike të Projektimit, Zbatimit, Mbikqyrjes etj., të përditësuara e ligjërisht të zyrtarizuara;
- Mungesa e Manualeve e dokumentave të tjerë tekniko-ekonomikë në përputhje me kushtet e nivelin aktual të zhvillimit të ndërtimeve në vend;
- Mungesa e një Regjistri dixhital, të konsultueshëm on-line, i të gjithë inxhinierëve e jo vetëm atyre të ndërtimit, ku gjithkush mund të verifikojë për cilindo inxhinier, në përputhje me ligjet mbi të drejtën dhe ruajtjen e të dhënave personale, pasjen apo jo të Licensës si dhe Kategoritë përkatëse, etj.;
- Mungesa e mundësisë së informimit e formimit të vazhdueshëm për çdo profesionist, pra edhe të thellimit të njohurive të fituara nga vitet e studimeve universitare;
- Mungesa e një Organi përfaqësues për gjithë inxhinierët profesionistë, të njohur zyrtarisht dhe të aftë për të çuar përpara kërkesat e ndryshme të kategorisë së Inxhinierëve;
- Mungesa e një Organi kontrollues, të njohur zyrtarisht dhe të aftë për të marrë në shqyrtim e marrë vendime në lidhje me ankesat apo mosmarrëveshjet e ndryshme ndërmjet kolegëve inxhinierë apo ndërmjet inxhinierëve dhe palëve të treta, etj.
Cilat mund të jenë mjetet dhe rrugët e mundëshme të zgjidhjes së tyre?
Zgjedhje e vlerësime personale
Personalisht, për arsye të jetesës e ushtrimit të aktivitetit professional si inxhinier jashtë shtetit, konkretisht në Itali, prej vitit 2005, në mënyrë vullnetare, duke e vlerësuar si mjaft pozitiv, kam zgjedhur e kërkuar të bëj pjesë e të regjistrohem në një prej Urdhërave të Inxhinierit në Itali –Ordine degli Ingegneri della Provincia di Roma. Për këtë më është dashur ti nënshtrohem “Provimit shtetëror” sipas ligjit Italian në fuqi.
Në vijim, si anëtar i këtij urdhëri, veç të tjerave si marrja pjesë në evente, seminare, kurse etj., jam i rregjistruar e bëj pjesë në një nga Komisionet funksionale të tij, në Komisionin “Rete d'ingegneri per l'estero”.
Nga kjo eksperiencë personale dhe në bazë të vlerësimit që i kam bërë dhe i bëj regjistrimit në Urdhërin e Inxhinierëve në Itali si dhe arritjeve në fushën profesionale nëpërmjet pjesmarrjes e aktivizimit në të, kam qenë dhe jam për regullimin e ushtrimit të profesionit të inxhinierit edhe në Shqipëri nëpërmjet themelimit e funksionimit të Urdhërit Profesional të Inxhinierit.
Konkluzione e vlerësime të ngjashme
Nga sa në dijeninë time, në “konkluzion të ngjashëm” në fushën e inxhinierisë, kanë arritur edhe mjaft kolegë të tjerë, të cilët edhe janë angazhuar e impenjuar mjaft duke arritur të paraqesin kërkesa e materiale konkrete, si
- Propozim “Projekt-ligj për krijimin e Urdhërave Profesionale”, nga inxh. Gaqo Apostoli, viti 2013;
- Kërkesë për “Krijimin e Urdhërit Profesional të Gjeodetit në Republikën e Shqipërisë”, nga z. Bledi Stefa, viti 2015;
- Nismë për miratimin e “Projekt-ligj për Urdhërin e Inxhinierit Hidroteknik në Republikën e Shqipërisë”, i paraqitur në Kuvend nga z. Ismet Beqiraj dhe z. Andrea Marto, viti 2020;
- Propozim “Projekt-ligj për krijimin e Urdhërit Profesional të Inxhinierëve”, i paraqitur në vitin 2018 nga z. Gëzim Beqaj dhe i propozuar në Kuvend nga zj. Luljeta Bozo, viti 2022.
Urdhëri i Inxhinierit në Shqipëri... i cilit inxhinier?... tani?... – Pro e Kundër
Por a është e nevojshme apo domosdoshmëri ndryshimi i sistemit të rregullimit të ushtrimit të profesionit të inxhinierit në Shqipëri, tani?
A është e nevojshme apo e domosdoshme zëvendësimi i sistemit të Licensimit me sistemin e Urdhërit Profesional të Inxhinierit, një e të vetëm për të gjitha kategoritë e tyre, apo disa syresh sipas kategorive të veçanta, mekanik, hidroteknik...?
A janë në dijeni e “bashkëdakordësi” inxhinierët e të gjitha kategorive, ndërtues, mekanikë, elektrikë... përsa më sipër?
A janë “pjekur” e “siguruar” të gjitha kushtet për organizimin e plotë dhe me sukses të kalimit në këtë sistem të ri, pa humbur kohë... në të gjitha aspektet e tij, etj.?
Dhe, në rradhë të parë e mbi të gjitha, a është ky aspekti e problemi kryesor përpara inxhinierëve në vendin tonë?
Sepse, sa edhe në dijeninë time, si më përpara edhe aktualisht, të shumtë janë individët profesionistë etj. që kanë shtruar e shtrojnë probleme e problematika të ndryshme që kërkojnë zgjidhje bile edhe urgjente.
Gjithashtu, edhe përsa i përket sistemit të rregullimit të ushtrimit të profesionit të inxhinierit, jo të gjithë profesionistët janë dakort e mbështesin apo pranojnë një zgjidhje të tillë, pra: nuk pranojnë heqjen e njohjes ligjore të ushtrimit të profesionit të inxhinierit nëpërmjet sistemit aktual të Licensimit dhe kalimin në njohjen ligjore të ushtrimit të profesionit të inxhinierit nëpërmjet sistemit të Urdhërit të Inxhinierit.
Në mënyrë “absolute” apo edhe vetëm “për momentin”.
Urdhër Inxhinieri apo Kolegj/Shoqëri/Institut
Për këtë situatë të krijuar, pa u ndalur në pika të veçanta të trajtuara e vëna në dukje nga mjaft kolegë në diskutime të ndryshme apo edhe në komunikime zyrtare drejtuar institucioneve përkatëse etj., paraqes më poshtë organizimin e mundshëm të ushtrimit të profesionit të inxhinierit sipas sistemit të rregulluar apo të pa rregulluar, nga eksperienca e vëndeve të ndryshme europiane.
Kështu, në disa prej këtyre vendeve si Itali, Greqi, Portugali dhe Spanjë, ushtrimi i profesionit të inxhinierit është i regulluar dhe i organizuar e strukturuar në formën e Urdhërave të Inxhinierit, pra në këto vende ushtrimi i aktivitetit ose i tërësisë së aktiviteteve që bëjnë pjesë në Profesionet e regulluara si ai i Inxhinierit, nënkuptohet i lejuar vetëm me kusht regjistrimin në Urdhër Profesional.
Në vende të tjera europiane ushtrimi i profesionit të inxhinierit është i paregulluar dhe është i strukturuar nëpërmjet Kolegjeve/Shoqatave/Instituteve.
Për të njohur disi më thellë secilën prej këtyre dy sistemeve, më poshtë renditen disa informacione, hollësi e karakteristika nëpërmjet trajtimit për secilin sistem nga një rast përfaqësues.
Urdhëri i Inxhinierit në Itali
Në Itali profesioni i Inxhinierit është i regulluar nëpërmjet regjistrimit në Urdhërin e Inxhinierit, të themeluar me Dekret Mbretëror në vitin 1923, me qëllim mbrojtjen e Titullit Profesional të Inxhinierit dhe Arkitektit. Regjistrimi në Urdhër bëhet pa asnjë diskriminim, në mënyrë të lirë dhe vullnetare, me kusht përfundimin e studimeve përkatëse dhe zotërimin e një kualifikimi profesional.
Në Itali funksionojnë rreth 110 Urdhëra Inxhinieri Provincialë, nga 1 për çdo Provincë Italiane, ku janë të rregjistruar në mënyrë vullnetare dhe pa asnjë diskriminim rreth 340.000 inxhinierë. Urdhërat Provincialë të Inxhinierit janë të pavarur nga njëri tjetri e secili prej tyre drejtohet nga Këshilli Drejtues i përbërë nga 15 anëtarë, të zgjedhur me votim nga inxhinierët e registruar në Urdhërin përkatës.
Këshilli Kombëtar i Inxhinierëve / CNI – Consiglio Nazionale Ingegneri
Enti përfaqësues i interesave më kryesore të kategorisë profesionale të inxhinierëve italianë është CNI, që është edhe institucion i të drejtës publike nën mbikqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Koordinator i gjithë Urdhërave Profesionale në Itali, detyrat institucionale të CNI-së parashikojnë edhe rolin e një gjykate të shkallës së dytë kundrejt ankimeve e reklamimeve të të regjistruarve në Urdhërat Provincialë të Inxhinierëve, përveç dhënies së mendimeve përsa i përket propozimeve ligjore dhe Regulloreve e Normave Teknike, etj. që kanë të bëjnë me profesionin, si dhe me promovimin, zhvillimin, ngritjen profesionale dhe përforcimin e rolit të inxhinierit në shoqëri.
Këshilli Drejtues i CNI përbëhet nga 15 anëtarë.
Kushtet për Rregjistrim në Urdhër
Regjistrimi në Urdhër mund të bëhet nga kushdo profesionist inxhinier që ka përfunduar studimet përkatëse 3 apo 5 vjeçare, si edhe ka kaluar pozitivisht Provimin e Shtetit.
Çdo Urdhër është i strukturuar në dy grupime kryesorë:
- A: për inxhinierët që kanë mbaruar studimet MSC;
- B: për inxhinierët që kanë mbaruar studimet BA.
ku secili grupim ndahet në 3 sektorë:
- 1: Inxhinieria civile dhe ambientale;
- 2: Inxhinieria industriale;
- 3: Inxhinieria IT.
Detyrimi për tu regjistruar dhe i të regjistruarve në Urdhër
Regjistrimi në Urdhër është mbi bazë vullnetare. Ai përfaqëson një detyrim për këdo që ushtron profesionin e inxhinierit në formë të lirë, pra me kërkesën e vendosjes së Vulës e Firmës në projekte, kolaudime, etj. si dhe me të drejtën për të marrë pjesë në gara publike, etj., i “prezantuar” me titullin “Inxhinier”.
Ndërsa për këdo që ushtron profesionin e inxhinierit në formë të varur, si pranë Institucioni, Studio teknike etj., regjistrimi në Urdhër nuk është i detyruar. Por, nëse ky profesionist në mënyrë vullnetare zgjedh të regjistrohet në të, përfiton mundësinë e “prezantimit” me titullin “Inxhinier”, përfiton mundësinë për të marrrë pjesë në evente të organizuara nga Urdhëri si edhe mundësinë për të marrë pjesë në gara publike etj.
Në rast të kundërt, në mungesë të një regjistrimi të tillë në Urdhër, ai mund të “prezantohet” vetëm me titullin “Inxhinier i diplomuar” si edhe humbet mundësinë e marrjes pjesë e përfitimit në garat e ndryshme si më sipër, etj.
Informimi dhe formimi - përditësimi i vazhdueshëm profesional
Nga ana tjetër regjistrimi në Urdhër, veç mjaft kërkesave me karakter organizativ, ka si obligim edhe informimin dhe formimin e vazhdueshëm profesional, nëpërmjet përditësimit të kompetencave, me pjesmarrjen në evente e aktivitete të ndryshme të organizuara nga institucione të çertifikuara apo atyre të ofruara nga vetë Urdhëri, në këtë rast, në përgjithësi falas për çdo anëtar të rregjistruar në të.
Ky kusht e kërkesë i informimit dhe formimit të vazhdueshëm, pra i përditësimit të vazhdueshëm të kompetencave, bëhet në bazë e përputhje me dispozitat ligjore nga CNI, që nga viti 2013.
Urdhëri i Inxhinierëve të Provincës së Romës
Urdhëri i Inxhinierëve të Provincës së Romës ka të regjistruar në të aktualisht rreth 26.000 inxhinierë, duke e bërë kështu urdhërin më të madh jo vetëm Italian por edhe në Europë. Këshilli Drejtues i tij përbëhet nga 15 anëtarë.
Urdhëri i Inxhinierëve të Provincës së Romës, për të realizuar një pikë të qëndrueshme referimi teknik, shkencor e kultural, me qëllim informimin dhe formimin Teknik të kategorisë së Inxhinierëve, ka vendosur krijimin e 98 Komisioneve Teknikë, secili me një specifikë të veçantë. Këto komisione janë të strukturuar në dy tipologji:
- “Komisione Teknike - CT”, të cilët shërbejnë për ti dhënë Këshillit të Urdhërit këshilla në mbështetje të zhvillimit të aktiviteteve ose eventeve të nevojshme për profesionin e inxhinierit;
- “Komisione të Hapura - CO”, të cilët shërbejnë për të krijuar lidhje e bashkëpunim ndërmjet të regjistruarve në Urdhërin e Inxhinierëve, nëpërmjet trajtimit të temave jashtë fushës së profesionit të vetë inxhinierit.
Në përgjithësi këto komisione kanë për detyrë e mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme si:
- Studim dhe thellim i normave teknike, etj.;
- Shqyrtim i problematikave të aktiviteteve profesionale;
- Botimi i artikujve të ndryshëm në kanalet informativë të Urdhërit;
- Organizim i eventeve të ndryshme si seminare, takime teknike, konventa, kongrese, vizita në kantiere apo vende me interes të përbashkët, etj.
Çdo i regjistruar në Urdhër mund të kërkojë të bëjë pjesë në një komision me një tematikë të caktuar, për të dhënë kontributin e tij specifik në mbështetje të aktivitetit të Këshillit të Urdhërit.
Pagesa apo shpërblimi i Anëtarëve të Këshillave Drejtues
Të gjithë anëtarët e Këshillave Drejtues, si në nivel Urdhëri ashtu edhe në nivelin e CNI, sidhe të gjithë anëtarët e Komisioneve, CT apo CO etj., aktivizohen e veprojnë në mënyrë vullnetare, pra pa patur apo pretenduar ndonjë pagesë, shpërblim etj.
Kolegj/Shoqëri/Institut në Hollandë
Ndërkohë, në mjaft prej vendeve të tjera të Europës si Franca, Anglia apo Gjermania etj., profesioni i inxhinierit është i paregulluar dhe në to nuk janë themeluar e nuk ekziston sistemi i Urdhërit të Inxhinierit, por sistemi i Kolegjeve/Shoqërive/Instituteve. Një nga këto vende europiane është Hollanda, ku funksionon Shoqëria Mbretërore Hollandeze e Inxhinierëve / KIVI - Royal Netherlands Society of Engineers, e themeluar me Urdhër Mbretëror në vitin 1847.
KIVI përfshim të rregjistruar në të, në mënyrë vullnetare e pa asnjë detyrim apo diskriminim, rreth 20.000 inxhinierë dhe studentë të inxhinierisë.
Organet Drejtues, të përbërë prej Këshilli Qendror me 8 anëtarë sidhe Bordit të Drejtorëve, përfaqësojnë Shoqërinë Mbretërore të Inxhinierëve (KIVI). Ata i propozojnë anëtarësisë politikën e zhvillimit, duke kërkuar në vijim, pas aprovimit të tij, ta vënë atë në jetë e zbatim.
Qëllimi i themelimit dhe veprimtarisë të KIVI është:
- Të zgjerojë rrjetin e bashkëpunimit dhe takimit ndërmjet profesionistëve të të njëjtit nivel apo edhe të niveleve të ndryshme;
- Të mbajë të përditësuara njohuritë e profesionistëve;
- Të organizojë evente, aktivitete, vizita, seminare etj.;
- Të krijojë mundësinë e shfrytëzimit të revistës së Shoqërisë;
- Të ndihmojë në zgjidhjen e vështirësive dhe problematikave të zhvillimit në vend, etj.
Organizimi në Filiale e Departamente
KIVI është i përfaqësuar në gjithë vendin nëpërmjet 12 filialeve rajonalë.
Gjithashtu KIVI është i strukturuar në mbi 50 departamente që organizojnë evente e aktivitete të tilla si konferenca, vizita në kompani dhe seminare etj., duke promovuar kontaktet ndërmjet anëtarëve dhe rajoneve, në kuadër të shkëmbimeve të njohurive, debateve teknikë dhe përforcimit të rrjetit të bashkëpunimit. Nëpërmjet këtyre departamenteve të ndryshme (profesionale) KIVI u jep anëtarëve të tij mundësinë të jenë të informuar me zhvillimet më të fundit në fushën e tyre.
KIVI ka departamente që promovojnë profesionistët dhe studentët e rinj, si Departamenti për Inxhinierë të rinj KIVI dhe ai për Studentë KIVI. Të dy departamentet, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve, konferencave etj., që synojnë posaçërisht të rinjtë, duke i frymëzuar dhe mbështetur inxhinierët e rinj në fillimet e karrierës së tyre. Përveç sa më sipër ju ofrohen atyre trajnime, seminare dhe kurse që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale të tyre.
Struktura e regjistrimit profesional
KIVI ofron regjistrimin në të nëpërmjet dy titujve profesionalë:
- C-Eng - Inxhinier i autorizuar / Chartered Engineer, duke bërë njohjen e kompetencës dhe angazhimit si Inxhinier Profesional për ata inxhinierë që kanë përfunduar studimet 5 vjeçare, Master Shkencor;
- I-Eng - Inxhinier i Inkorporuar / Incorporated Engineer, për ata inxhinierë që kanë përfunduar studimet 3 vjeçare, Bachelor.
Një inxhinier profesionist i rregjistruar në KIVI përfiton:
- Kualifikim të njohur ndërkombëtarisht për inxhinierët, C-Eng ose I-Eng;
- Strukturë/ambjent si vend i nevojshëm për shkëmbimin e njohurive dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional në fusha dhe disiplina të shumta inxhinierike;
- Njohje të inxhinierit të regjistruar si “të veçantë”, në dallim nga inxhinierët e tjerë që nuk janë të regjistruar në KIVI;
- Dëshmi të kompetencës, angazhimit dhe mbajtjes të një standardi të cilësisë profesionale;
- Marrje pjesë e pranim në projekte interesante dhe punë më të mira.
Pagesa apo shpërblimi i Anëtarëve të Këshillit apo Bordit drejtues
Të gjithë anëtarët e Këshillave apo Bordit Drejtues etj., aktivizohen e veprojnë në mënyrë vullnetare, pra pa patur apo pretenduar ndonjë pagesë, shpërblim etj.
Sistemi i formimit të vazhdueshëm të kompetencave
E qartë edhe nga sa më sipër se sistemi i formimit të vazhdueshëm të kompetencave zhvillohet edhe në vendet me sistem të paregulluar të ushtrimit të profesionit të inxhinierit e ndoshta, shpesh, sipas mendimit të tyre, edhe me interes e rezultate më të mira sepse zhvillohet ndërmjet pjesëtarëve të të njëjtit grup interesi.
Internacionalizimi dhe njohja e punësimi i inxhinierëve nëpër Europë
Në një numër gjithnjë e më të madh vendesh europiane egziston mundësia e punësimit të ndërsjelltë, gjithmonë në përputhje me rregullat e ligjet respektive në fuqi, me veçoritë e kërkesat specifike në secilin prej tyre.
Në një numër të madh e gjithnjë në rritje të tyre, për të marrë pjesë në gara e përvetësuar projekte të nivelit të lartë, merr vlerë e kërkohet regjistrimi si C-Eng, që nga sa më sipër shfaqet si karakteristikë e vendeve me sistem të paregulluar të ushtrimit të profesionit të inxhinjerit.
Për këtë arsye, aktualisht, për internacionalizimin e njohjes dhe punësimin edhe në vendet e tjera të Europës të inxhinierëve prej vendeve me sistem të regulluar të ushtrimit të profesionit, p.sh. si Italia, përveç Urdhërit të Inxhinierit është themeluar dhe funksionon edhe mundësia e regjistrimit vullnetar në Komision Çertifikimi të Kompetencave - “Cert-Eng”, sipas kategorive specifike.
Konkluzione mbi zhvillime, modifikime, plotësime të rregullimit të profesionit të inxhinierit në Shqipëri
Patur parasysh, përveç sa më sipër, edhe:
- se nuk ka asnjë kërkesë apo kushtëzim nga Komuniteti Europian, kundrejt cilitdo vendi qoftë, për regullimin e zhvillimit të profesionit të inxhinierit sipas njërit apo tjetrit sistem;
- ekzistencën e sistemeve të ndryshme të organizimit të ushtrimit të profesionit të inxhinierit në vende të ndryshme në Europë;
- se aktualisht ushtrimi i profesionit të inxhinierit në Shqipëri zhvillohet i regulluar në rrugë ligjore nëpërmjet sistemit të Licensimit;
- se Licensimi sipas kategorive të ndryshme mund të përngjasojë mjaft me Çertifikimin e Kompetencave;
- se gjithë propozimet e deritanishme për Krijim Urdhër Profesional Inxhinieri në Shqipëri nuk janë gjithpërfshirëse, pra nuk janë realizuar në bashkëpunim dhe as janë pranuar në bashkëbisedim, marrëveshje etj. ndërmjet të gjitha kategorive, drejtimeve e profileve inxhinierike, si ndërtim, mekanik, elektrik, etj.;
- se nuk ka akoma asnjë mendim të konkretizuar mirë mbi strukturimin dhe mënyrën e organizimit dhe vlerësimit të informimit dhe formimit të vazhdueshëm profesional – qoftë ky institucion apo dhe person çertifikues apo i çertifikuar, etj.
Jam i mendimit se:
- Regullimi i ushtrimit të profesionit të Inxhinierit në Shqipëri të vazhdohet të realizohet si deri më sot, nëpërmjet Licensimit me Kategoritë e ndryshme, si parashikuar në ligjin në fuqi;
Ky sistem Licensimi, ku secili profesionist i regjistruar ka edhe një çertifikim sipas një apo më shumë Kategorive Profesionale, është mjaft i ngjashëm me sistemin e Çertifikimit të Kompetencave, karakteristikë e mjaft vendeve europiane me sistem të paregulluar si më sipër por edhe tendencë drejt të cilës po orientohen edhe vendet me sistem të regulluar të ushtrimit të profesionit të inxhinierit;
Kjo mënyrë e sistem rregullimi i ushtrimit të profesionit të inxhinierit aktualisht në vendin tonë, mund e duhet të kërkohet të perfeksionohet akoma më tepër, në mënyrë që të arrijë të njihet e bëhet i njëvlefshëm me “Cert-Eng” europian;
- Domosdoshmëri për arritjet si më sipër është dixhitalizimi i Regjistrit të Licensave Profesionale, në mënyrë që të jetë i shfrytëzueshëm dhe i konsultueshëm edhe on-line, në përputhje me ligjet në fuqi mbi të drejtën e ruajtjes së të dhënave personale, etj., si nga vetë profesionistët e regjistruar në të, ashtu edhe nga kushdoqoftë i interesuar për të marrë informacion të lejuar mbi të;
Në këtë “Regjistër dixhital të Inxhinierëve të Licensuar” mund të ofrohet edhe informacioni mbi kategoritë përkatëse të secilit profesionist, sipas gjëndjes aktuale dhe zhvillimit në vijim;
Më tej, ky regjistër do të mund të pasurohet edhe me tregues të përditësimit të vazhdueshëm profesional të profesionistit;
Në këtë mënyrë ky “Regjistër” mendoj se do të arrijë njëvlefshmëri të plotë me “Cert Eng” europian;
- Sistemi i përditësimit, pra i informimit dhe formimit të vazhdueshëm, duhet të fillojë të organizohet, të strukturohet e vihet në funksionim hap pas hapi, duke arritur, pas eksperiencës e përmirësimit të vazhdueshëm të tij, edhe në njohjen e “zyrtarizimin” si një proçes i domosdoshëm shtesë në sistemin aktual;
- Proçesi i “Provimit të shtetit” duhet të fillojë të organizohet, për momentin qoftë edhe si një bashkëbisedim-njohje e shkëmbim informacionesh të përgjithshme paraprake, për këdo profesionist të sapo diplomuar, para regjistrimit të tij në “Regjistrin e Licensave”;
Në vijim ai mund të strukturohet e perfeksionohet hap pas hapi, duke arritur, pas eksperiencës e përmirësimit të vazhdueshëm të tij, në futjen “zyrtare” si një proçes i domosdoshëm shtesë në sistemin aktual;
- Sa më sipër jo vetëm do të eleminojë mundësinë e krijimit të një periudhe-vakum, ndërprerje funksionimi të rregullt qoftë të sistemit aktual të regullimit nëpërmjet “Licensave” qoftë të sistemit të ri të regullimit nëpërmjet “Urdhërit Profesional”, por do të mund të krijojë kushte e mundësi të përmirësimit edhe të vetë sistemit aktual.
Gjithashtu koha në vijim, në bashkëbisedim e konsultim të përbashkët, do të japë mundësinë e vlerësimit më konkret e të saktë të njërit apo tjetrit sistem, për të parë avancime apo përzgjedhje të tjera, sa më të mira të mundshme;
Sa më sipër do të mund të arrihet e duhet të realizohet nëpërmjet themelimit e aktivizimit të një “Asamble e Përgjithshme” e të gjithë inxhinierëve, apo organ tjetër i ngjashëm me të, i zgjedhur me votim të lirë prej gjithë profesionistëve të regjistruar aktualisht e në vijim në “Regjistrin e Licensave”;
Anëtarët e kësaj “Asambleje”, të aktivizuar në mënyrë vullnetare dhe pa asnjë pagesë apo shpërblim, do të duhet të merren me zhvillimin dhe organizimin e sa më sipër, sidhe eventeve, aktiviteteve etj.;
- Nga ana e Organeve Shtetërore kësaj “Asambleje” mund e duhet ti akreditohet një ambjent ku anëtarët e saj të mund të kenë një qendër takimi si edhe, gjithë profesionistët e regjistruar apo jo në të, të gjejnë aty një pikë referimi, informimi, bashkë-konsultimi, etj.
Ndërkohë, menjëherë e me përparësinë më të madhe, nga Organet Shtetërore përkatëse dhe Grupet e Punës si të krijuara kohë pas kohe apo të reja, do të duhet:
- Të kompletohet përkthimi, sistemimi e përshtatja e nevojshme e gjithë Normave e Kushteve Teknike – p.sh. Kodet Europiane, me bashkërenditje të të gjitha përpjekjeve në këtë drejtim;
- Të aprovohen ligjërisht Normat e Kushtet Teknike të përditësuara – p.sh. Kodet Europiane;
- Të plotësohen dhe aprovohen ligjërisht Anekset përkatëse Kombëtare;
- Të përditësohen gjithë materialet teknike, rekomanduese, spjeguese, manuale etj., të nevojshme e domosdoshme në fushën e Inxhinierisë, me drejtimet e profilet përkatëse, etj.