Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën rurale Mollas-Selitë në Cërrik, ku mbetën dy persona të vdekur.
Policia e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen dhe ka vënë në pranga 24-vjeçarin, i cili drejtonte automjetin që u bë shkak për aksidentin ë rëndë.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, në përfundim të veprimeve të para hetimore arrestuan në flagrancë shtetasin:A.H., 24 vjeç, banues në Klos, Cërrik, për veprën penale, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Shtetasi A.H, mbrëmjen djeshme në rrugën rurale Mollas-Selitë, tek “Ura e Sharrës”, në fshatin Kamuna, Cërrik, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në kushtet e errësirës dhe fushëpamjes së kufizuar në kthesë ka goditur karrocën që tërhiqej nga një kafshë pune dhe më pas ka humbur kontrollin mbi mjetin duke dalë në krah të kundërt ku është përplasur me mjetin tjetër që vinte përballë.
Për pasojë ka humbur jetën shtetasi A.M., 53 vjeç, banues në fshatin Kamuna, Cërrik i cili ishte drejtuesi i karocës dhe shtetasi A.Sh., 48 vjeç, banues në fshatin Lumas, Cërrik, i cili ishte pasagjer në një nga automjetet”, tha Policia.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme./Gazeta Liberale