Aktualitet

Tri rrugë të mundshme opozitare për PD-në

Shkruar nga Liberale
Tri rrugë të mundshme opozitare për PD-në

Gentian Kaprata – Polity & Ideology

Ky fillim shtatori e gjen PD-në në situatën më të vështirë të gjendur ndonjëherë në jetën e saj relativisht të shkurtër. Ndërsa ka refuzuar të pranoj rezultatet negative që arriti në zgjedhjet e prillit të këtij viti, grupi i kandidatëve fitues të saj është i detyruar të hyj në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë është e qartë për edhe më fanatikun nga deputetët e ardhshëm demokrat- për të mos thënë, për çdo anëtar të saj- se alternativa për të bojkotuar është vetëvrasje përfundimtare.

Në jetën politike ka vetëm një rregull, dhe ai është pjesëmarrja. Nëse merr pjesë ka gjasa edhe të dëgjohesh; nëse nuk merr pjesë, nëse nuk flet, askush nuk mund të dëgjoj atë që ke ti në mendje edhe sikur të jetë i interesuar. Gjë, disa fish e pamundur kjo, po të kemi parasysh karakteristikën përqendruese të pushtetit te vetja, që e dallon këtë shumicë qeverisëse. Në këtë kuptim është e qartë se PD do të hyj në Kuvend, por mbetet akoma e paqartë se cila është rruga që do ndjekë ajo për të bërë që fjala e saj të dëgjohet në këtë legjislaturë. Dhe çka është po kaq e rëndësishme, rruga që ajo duhet të ndjekë për t’u vet-realizuar si shumicë qeverisëse për legjislaturën tjetër.

Tre, janë tipologjitë e mendimit politik që e përbëjnë PD-në e sotme, dhe duket se këto janë edhe rrugët e mundshme nëpërmjet të cilave ajo mund të synojë ardhjen në pushtet. Në këtë shkrim të shkurtër opinioni, ne do të tentojmë ti kuptojmë të tria ato, duke shpresuar se një rrugë e katërt që i “nakatos” ato në një “frymë” të vetme do ishte një gabim shumë i madh për opozitën. Në fakt, ne besojmë se ishte pikërisht kjo rrugë e katërt që PD-ë që e la atë për tetë vite në opozitë.

Kalimi herë pas hershëm dhe në mënyrë të përsëritur nga një opozitë revolucionare e ‘rrëzimit të qeverisë me protesta’ të forta, te një opozitarizëm mbështetur në diskursin e vetëm “anti-komunist” dhe “anti-korrupsion”, të shoqëruar ndonjëherë edhe me premtime anemike liberalizuese dhe demokratizuese, është arsyeja pse PD-ë nuk ja doli të fitonte kundër qeverisjes më të keqe që ka pasur vendi në këto vite tranzicion.

Ishte ky miksim tipologjish të mendimit që pamundësoi përfshirjen masive të votuesit gri (atij që mendon përpara se të vendosë), në projektin për ti dhënë Shqipërisë një qeverisje të ndryshme nga ajo që vegjeton prej tetë vitesh.

Bërë këtë parantezë për të prezantuar edhe tre grupet e mendimit në PD-së. Për ta nisur me grupin më të dëmshëm, mund të thuhet se këta besojnë se qeveria duhet “rrëzuar”. Ajo duhet mbajtur në presionin e protestave ku intensiteti mund të shprehet edhe me dhunë. Nën këtë presion ajo detyrohet, përgjithësisht nga ndërkombëtarët, të dorëzoj pushtetin apo “të rrëzohet” sikurse ju pëlqen atyre të thonë! Këta nuk kuptojnë se demokracia liberale përveç parimit se ‘liria duhet mbrojtur edhe me armë kur rrezikohet’, ka edhe një tjetër. Për ta shprehur me fjalët e Linkolnit të madh, ky parim na thotë se “ajo që vendoset me votë, nuk mund të përmbyset me shpatë”!

Grupi i dytë i mendimit politik në PD-ë, janë akuzatorët. Këta mendojnë se duke e monopolizuar diskursin opozitar vetëm te akuzat ndaj qeverisë, do të krijojnë një masë kritike votuesish kundër saj. Duke qenë se sistemi është bipartizan, sipas tyre, kjo masë do të votoj për PD-në. Megjithëse edhe anëtarët e këtij grupi besojnë se ‘qeveria rrëzohet’ ata nuk janë aq të dëmshëm sa anëtarët e grupit të parë. Por sidoqoftë, kanë një qasje të gabuar ndaj politikës dhe mbeten të dëmshëm për aspiratat qeverisëse të PD-së. Këta nuk kuptojnë se, fakti që në sytë e publikut ‘qeveria është e keqe’, nuk e bën ‘PD-në më të mirë’! Të paktën jo pas 30 vitesh rotacioni sipas të njëjtës skemë.

Grupi i tretë janë parimorët. Këta besojnë se ndryshimi nuk vjen nga ‘rënia e qeverisë’, por nga ‘ngritja e opozitës’. Kurse ngritja e PD-së mund të vij vetëm nëse kjo i kthehet parimeve, anti-komuniste dhe liberalo-klasike, mbi të cilat u krijua 30 vite më parë. Në të kundërt, këta besojnë se PD-ë do të kthehet në një fotokopje të PS-së dhe nuk do të arrij të frymëzoj një masë të tillë votuesish sa të bëhet shumicë qeverisëse. Për më tepër, edhe nëse për ndonjë rastësi fatlume PD-ë do të vij në pushtet, sipas anëtarëve të këtij grupi, pak gjë do të ndryshojë për shoqërinë, sepse ky do të ishte një rotacion emra pushtetarësh, jo ndryshim i thellë programor në qeverisje.

Sigurisht që këto grupe mendimi nuk janë të strukturuara në nivelin që i prezanton ky shkrim modest opinioni. Në të kundërt PD-ë do të ishte një parti me fraksione, bile një parti demokratike. Prandaj është pothuajse e pamundur të presim që ajo të ndjekë vetëm një rrugë opozitarizmi në muajt e vitet në vijim. Porse një gjë është e sigurt, nëse PD vijon me këtë lëmsh strategjie e mendimi opozitar: sa tek “revolucioni” e sa te “inkuizicioni”; për të mos harruar shakarat pa kripë të ‘zotimeve qeverisëse’ me gjëra falas, rritje rrogash, pensionesh e subvensionesh, asgjë nuk ndryshon për të dhe aq më pak për Shqipërinë, në të ardhmen e afërt. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH