Analizë

“Tokë pa kontinent”, kësaj radhe pa diktat!

Shkruar nga Liberale
“Tokë pa kontinent”, kësaj radhe pa diktat!

Nga Preç Zogaj

Lufta e Ukrainës kundër invazionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus është ngjarja e botës. Ajo ka shtyrë buzë greminës  ligjin dhe rendin ndërkombëtar të pasluftës së dytë botërore. Ajo mund të jetë mitra e një lufte të re botërore që nuk e ka njohur deri më sot njerëzimi.

Qeveritë e Perëndimit  janë  në  punë non stop  për  t’ju përgjigjur sfidave të kësaj lufte. Mediat kryesore televizive të  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Britanisë së Madhe, Europës e me siguri edhe të Amerikës Latine, Azisë, Afrikës dhe Australisë, i kushtojnë  asaj çdo natë emisione të posaçme, ku lajmet  për zhvillimet më të reja  gërshetohen me analiza ekspertësh të dorës së parë.

Njerëzimit mban frymën. Kërkon të jetë i informuar. Kërkon të kuptojë deri ku mund të shkojë Rusia, ku duan të dalin skifterët e Moskës  apo papagallët e Putinit që  po flasin  me termat  e “armiqësisë  absolute”, siç do  të thoshte Rajmond Aron, ku vetë ekzistenca e Perëndimit  konsiderohet një agresion  për  Moskën, ndaj duhet zhdukur nga faqja e dheut!

Kudo  dhe  doemos në Ballkan, pra edhe në Shqipëri e Kosovë, njerëzit kanë nevojë të informohen në dinamikë dhe të kuptojnë se çfarë ka parasysh Putini kur  paralajmëron zgjimin  e dallgëve të radikalizimit në Europë dhe në Ballkan, cilat janë grupet dhe subjektet që Moska i llogaritur  apo i ka kolonë të pestë të saj në Perëndim, sa janë në lojën destabilizuese të Moskës për minimin  e demokracisë dhe sa në logjikën e  konfrontimit të natyrshëm demokratik me qeveritë e tyre  grupet dhe partitë që po “ngrihen” e po “manovrojnë” për të  rrëzuar qeveritë  me orientim perëndimor nga Moldavia e deri te Italia madje. Të gjitha këto janë tema të mëdha të kohës sonë, shqyrtimi i të cilave ndihmon qytetarët të hapin mendjen dhe të pozicionohen sa më drejt  përkundrejt ngjarjeve përcaktuese.

Në Shqipëri, pas ditëve të para të agresionit rus, emisionet për luftën në Ukrainë kanë qenë dhe janë me pikatore ose zero.

Jo  vetëm lufta në Ukrainë  por edhe ngjarje të tjera me jehonë dhe rëndësi botërore gjejnë shumë pak ose aspak hapësirë në “ agorën” tonë.  Një e tillë  është  ekspozimi publik në senatin amerikan i rezultateve të hetimit bipartizan të  sulmeve të dhunshme mbi Kapitol Hill pas zgjedhjeve  presidenciale të  vitit 2020,  në një përpjekje të paprecedent për të anuluar fitoren e ligjshme Presidentit Biden dhe për të imponuar atë të rivalit të tij humbës.

Shumë vëmendje dhe emisione në mediat më të njohura të Perëndimit për këtë ngjarje. Në Shqipëri pak, ose aspak.

Të shkon mendje se izolimi dhe shndërrimi i Shqipërisë në një “tokë pa kontinent” para viteve nëntëdhjetë  nuk ka qenë vetëm i diktuar nga regjimi “as lindje, as perëndim” i Enver Hoxhës, por edhe një mënyrë të menduari që e ka favorizuar diktatin. Dhe që vazhdon sot e kësaj dite.

Ka qenë e pritshme që hapja e mendjeve të ecë më ngadalë se hapja e kufijve, e dyerve, e marrëdhënieve me botën, e legjislacionin e ri.

Por  një “zhytje” me kokë në të voglat e përditshmërisë, në meskinitet, vanitet dhe superficialitet tipik  provincial, si kjo që po shohim kohët e fundit, nuk e kishim imagjinuar.

Ngjarjet vendore  kanë  e  duhet të kenë patjetër hapësirën e tyre  në media.  Vaniteti dhe hedonizmi, tallavatë dhe tralalatë  në  modë  gjithashtu. Nuk jam kundër. Disa bëjnë shumë lekë në tregun e  emisioneve të lehta dhe klisheve që i përshtaten  shijeve dhe kërkesave populiste. Kush thyen një piano ka më shumë  shikueshmëri se  ai që i bie pianos. Kanë  më shumë “blerës” dhe  treg kërshëritë nga  bota e  krimit, vulgaritetet dhe  thashethemnajat lloj-lloj.  Këto i dimë, i pranojmë si  fakte  të gjendjes njerëzore.

Por ka një hierarki , dreqi e mori,  sa i takon vlerës publike të ngjarjeve dhe zhvillimeve. Media e lirë  jo vetëm i shkon pas fillit, por edhe e formon, pa rënë në tendeciozitet, interesin  dhe shijen e  publikut të gjerë.

Përkundër asaj që thuhet rëndom se ngjarjet e mëdha nga bota  kanë interes të vogël në publikun shqiptar,  kemi shumë konfirmime , si për shembull nga drejtuesit e portalit  të madh Ballkanweb,  që  shquhet për larminë e shkrimeve dhe  bollëkun e  lajmeve në kohë reale  nga lufta në Ukrainë, se këto shkrime dhe lajme janë ndër më të lexuarat.

Injorimi i ngjarjeve me rezonancë  botërore në mediat  tona ndikon në formatimin e  mendjeve të  varfra,  të ngushta, të prapambetura, të manipulueshme, të mjera.  Vetvetiu, me dashje a pa dashje,  ky lloj injorimi  i bën jehonë  dritëshkurtësisë se një kallëpi politikanësh,  që  pluskojnë  pa pushim në  kënetën  tridhjetëvjeçare me të njëjtat qasje, të njëjtat tone, të njëjtat grimasa, rrethuar nga të njëjtat fytyra  të klonuara të padijes e dinakërisë. Për interesat dhe hallet e tyre  nuk përtojnë të shërbejnë  në “forma  bashkohore”   një  veçim  të ri  vendit  dhe  aleanca  me regjimet autokratike.

Është një iluzion të mendojmë se ngjarjet e mëdha nuk kanë punë me ne.

Ne mund t'i injorojmë.

Ato jo.

“Askush nuk është një  ishull në vetvete/ secili nga ne është pjesë e kontinentit, pjesë e së terës…”,  thoshte më shumë se  katër shekuj më parë  poeti  anglez   John Donne.  Që shtonte:   “Vdekja e një njeriu  më zvogëlon/  sepse pjesë e njerëzimit jam/  ndaj kurrë mos pyet për kë bie  kambana./ Ajo bie për ty”.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH