Aktualitet

Thoma Thomai - Thumbi mbi ndërgjegje

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Ishte ditë  shtatori, fillim jave. Kisha dalë herët nga shtëpia pasi më kishin njoftuar se do të vendosej një shtatore e Nënë Terezës diku te Korpusi i Universitetit. Në fakt, qe një ditë e gëzuar, me disa re të harlisura, si një shuk letrash hedhur pa kontroll, në një të kaltër të kërcyer gati kobalt. Ishte një nga ato ditët e oksigjenuara mirë, që ndihej si ndërvarje shkëmbimesh natyrore në dorë të lirë. Dukej sikur e zhvendosje peizazhin me dorë, si në një mozaik lëndësh të buta.

Me sa duket isha me humor të mirë dhe po e merrja ditën për dore.

Mora një aparat fotografik me vete dhe dola për të marrë pjesë në këtë ngjarje të kryeqytetit me statusin e heshtur të dëshmitarit në përurimin e një vepre të re arti.

Ishte një moment që ndihesha i mbushur me një dalldi të epërme, por me një skulpturë të pritur përballë. Gjithsesi u prira sërish drejt tolerancës, siç më ndodh shpesh në kompromiset e mia, fundja për të shijuar një skulptor që më kishte ushqyer urinë e hershme me veprat e tij. Ishte edhe një lloj testi i heshtur për të  matur aftësitë e një brezi që vazhdonte të shfaqej në pjacë si një kurajë e talentit të tyre, paçka se dukej si një model që i takon historisë.

Iu afrova vendit të ngjarjes. Një mekje palëvizshmërie totale; as zogj nuk dëgjova për një moment.

Nuk vonoi shumë dhe sheshi u shndërrua në një akt performativ plot zhurmë. Te shkallët e universitetit u dyndën dy kamionçinë festivë të  mbingarkuar me punonjës të bashkisë me ngjyrën emblematike portokalli, si dhe me hartat e shkruara në kurriz në blu mavi, shoqëruar me logot e  atëhershme. Mu duk krejt sikur po jetoja në një tablo të impresionistit francez Camille Pissarro.

Sheshi që kishte dhe emrin e shtatores, që do të përurohej ishte kthyer në një hare asimetrike. Diçka mbresëlënëse, një akt kolektiv që e shndërroi si me magji atë kënd. Provova një  gëzim të brendshëm: pasi më tërhiqnin skenat masive si fëmijë  m’u duk se po jetoja diku në  Londër, Pragë a Paris. Nisa të fotografoj dhe më lindën shumë ide, se si ashtu papritur në jetën urbane ndodhin me mijëra shkaqe nga ku mund të fillosh udhën e vëzhgimit për të përftuar një video apo një formë shprehëse përjashta skemave të njohura.

Fotografova edhe për qejf të mikut, duke menduar se po fiksoja një ngjarje që ai e priste me padurim.

Fakti që shtatorja e shenjtores ishte vënë butë e pa kalime me piedestal, por sheshazi pranë e me njerëzit, e bënte hapësirën publike ftuese e të ngrohtë.

Veç një sy ndryshe mund të bënte këtë zgjedhje të përkorë, që nuk imponohet e nuk bërtet, gjë që përkon edhe me çfarë përfaqëson kjo skulpturë.

Kjo vepër krijonte një tjetër ndërvarje koncepti mes skulpturës tradicionale të sheshit dhe skulpturës alternative që mund të haset ngado nëpër Europë.

Nënë Terezën jemi mësuar ta ndërlidhim me vuajtjen dhe dramën e njeriut në nevojë, duke e parë si një shpëtimtare që ruan hirin. Ndërsa në rastin e skulpturës në fjalë dukej sikur cenohej ky imazh, pikërisht ngaqë ishte lënë aq “e shkurtër” dhe “e fshehur” si në një narrativë proces. Me pak fjalë, nuk kemi të bëjmë me një shtatore apo bust të radhës që zapton qendra të përsëritura.

Pikërisht për këtë arsye kisha refuzuar një shkrim që më pat kërkuar autori, si shenjë sensibilizimi që kjo vepër të rivendosej në një rreth rrotullim, gjë që do e çonte këtë skulpturë në territorin e veprave tipike që synojnë hapësirën publike, sikur e skematizonte e përsëritur në ndërhyrjen e saj..

Nuk e priste këtë refuzim. Ia bëra të qartë, duke i thënë se ti nuk e di që unë mendoj krejt ndryshe. Iu prish qejfi për disa kohë, qoftë edhe për faktin se nuk iu shpjegova më gjatë. Por, e ndieja se ishte më i matur me mua, duke mbajtur shtruar e padukshëm një afrim disi më formal, pasi asnjë nga ne nuk e uronte humbjen e miqësisë. Sidoqoftë, të menduarit ndryshe mbetej mes nesh, si një relike e ekuilibrit të ushqyer në kohë me shumë dashuri e përkorje.

Në fakt, Thoma Thomai është një skulptor kalibri, përjashtuar kufizimit si thjesht  i epokës socrealist, që e përdorim rëndom vend e pa vend. Ai erdhi nga shkolla e Pragës, që gjithsesi kishte një ajër të ndërmjetëm kulturor me Perëndimin. Studioi skulpturë dhe arte të aplikuara (arkitekturë dhe dizajn). Ai është marrë kryesisht me skulpturën historike, duke rrëfyer kështu përmes imazhit (formës).

Në një zgjatje të zmadhuar në historinë e skulpturës në Shqipëri, Thomai ishte në referencë si asi nën mëngë, për shkak të inteligjencës dhe një përkoreje mbi formën, gjë që i ka mbetur edhe sot, si një thumb i presuar mbi ndërgjegjen e krijuesve, nën përpunimin e një shijeje të zgjedhur që ai afronte.

Gjithnjë i pazhurmë e në gjysmë hije. Përzgjedhja e tij ndihej e kursyer, analitike, gjë që në skulpturë mbeti një jehonë e zgjatur e argasjeve mbi formën, duke e bërë skulpturën e tij të dukshme në shije e të menduar si logjikë e lexueshme.

Një rizbulim i figurës së tij do të më mbetet i pashlyer në kujtesë, në një  tjetër udhëtim, në Barmash, në vendlindjen e tij; një emocion i paharrueshëm edhe për shkak të një natyre magjepsëse, por edhe si pasojë e një mashtabi tejet të çliruar prej skulptori plot pjalm, që nuk e ka infektuar artin e përshtatjes natyrore. Një ndërhyrje brilante në një befasi kompozicionale të mirëpërputhur .

“Vepra si metabolizëm urban” kam shënuar diku me qëllimin e mirë e të përputhur me idenë e identitetit dhe shfaqjen organike. Nuk ka shumë nevojë  për të qenë në kujtesën e një vendi, por ligjërata elitare për një vepër më  asociohej shpesh me shtyllat e mendimit e të gjuhës në historinë e këtij vendi. Kur rri me Thoma Thomain të radhitet në ballë një kujtesë e jashtëzakonshme e tij mbi historinë e artit dhe kulturës në përgjithësi.

Më ndërlidheshin gjithnjë poetë të mirënjohur, ose reflekse të një kulture që të përqafonte. Më dukej sikur jetoja me rilindës e me burra soji në një kulturë të epërme.

Kishte thellësinë e një personazhi që duhet të rrije veshngrehur për t’u kujtuar se ke përpara një enciklopedi datash dhe emrash. Është tipike te skulptorët: pak stil, miqësi, bashkëkohësi, traditë dhe mite dhe recitues poezish krejt fantastik me një kujtesë mahnitëse..

Thomai është një ndër ata që të mbetet në mendje. Nuk e harroj një kërcim elegant të tijin me rastin e një mbrëmje, kur ishim në universitet. Një vallëzim i paharrueshëm e tingëllues si një zbulesë që të bënte me djersë të ftohta. Një moment ku i duhet njeriut të tingëllojë në gjuhë trupi si një tregues i kujdesshëm i elegancës së lartë të tij.

Në një vështrim standard, skulptorët më dukeshin më të vonuar se të tjerët edhe në shkëputjen prej socrealizmit. Thomai ishte një përthyerje që e prishte këtë përfytyrim. Ndieje papritur një energji që të vjen nga një shenjë që të duket e pashpresë.

Kishe gjithnjë përpara një burrë të imët, por në një gatishmëri inteligjente, që të tregonte se duhet të ishe i kujdesshëm, në mënyrë që të ndiheshe mirë përballë tij.

Arketipet e tij të kujtojnë epokën mbas Luftës së Dytë Botërore, të cilët i kthen në akte site specific, ku përshtatja i përgjigjet kujtesës kolektive.

Thoma Thomai është një nyjë e rëndësishme e kalimit të traditës më të mirë të skulpturës së pasluftës, me pararendës si Paskali e Paço; madje në një shkëputje disi më të abstraguar, në një eko të lartë asociimesh historike, për të mbërritur më vonë nga të tjerë artistë në zell të lartë në një krijimtari disi më të drejtpërdrejtë të shkollës ruse, nga përfaqësues të njohur tashmë në Shqipëri.

Me një zhvendosje të ngulët e të ngadaltë, jo në bujë e në famë, ai krijoi një profil të veçantë, me një gjuhë të thjeshtëzuar dhe bindëse.

Asnjëherë në ballë apo në vrull të parë, gjithnjë nën një racionalitet të shtrirë e të kontrolluar, me një psikë të mirëpërcaktuar në kërkimin e formës, si një vizatues i minutave të heshtur e analitikë.

Plastika e volumeve të tij është gjithnjë e mirëmenduar me mjedisin, rrjedhojë e pritshme e një edukimi estetik që imponon një maturi të gjatë.

Vajza që këndon është një nga skulpturat kufi që ndan socrealizmin nga skulptura e lirë.

Ndalesa pikante në krijimtarinë e gjatë të Thoma Thomait, për njëfarë kohe u kthye në një shkollë të vërtetë për nga struktura. Shumë krijues të kësaj kohe dolën nga ky lloj orientimi.

Të ashtuquajturat korrente të lehta të sugjestionit kolektiv, si shkolla e Thoma Thomait apo e Janaq Paços, ose ajo e Danish Juknit dhe Ismail Lulanit, ose shkolla e vlonjatëve me Skënder Kamberin e Nestor Jonuzin, apo shkolla e ithtarëve të thekur të Naxhi Bakallit janë ngjyrime ndërvarjesh, që në njëfarë mënyre lëviznin skenën e vogël të artit në Shqipëri.

Të gjitha këto korrente apo rrymëza në sugjestion ishin pasojë e një personaliteti mësymës e dominant në bodrumet e padukshme të komunikimit mes artistëve.

Të ndërtosh historinë e artit përmes artistësh shqiptarë është si të vështrosh një mur, që nëse e zhvendosim në një optikë më të gjerë krahasuese, mund të duket një hiç, për shkak të gjymtimit dhe të një bjerrjeje gati njëqind-vjeçare. Në fakt, ky mur, në dukje i shpërfillur, është historia jonë e vogël, frymëmarrja dhe gjurmët nën trysni; një histori njerëzish që kanë shënjuar me energji, me dijen dhe padijen e tyre.

Janë frymorë që do të donin – me dashje a padashje – të krijonin një kornizë kohore që duhet rilevuar. Kush nuk e do këtë histori, kjo do të thotë se nuk e ka kuptuar se si mund të ndërtohet një mur, qoftë dhe pa qenë vepër arti, por një histori në afsh njerëzor, në respekt të parakalimit me vuajtje e rezistencë në një kohë të ndaluar.

Koha është diktatura më e re që zhbën e fshin pa mëshirë gjëra të paqëndrueshme, ama është po koha dhe njerëzit që e veshin me arsye e motiv këtë regjistër të kujtesës sonë të përbashkët.

Kështu që, na duhet durim në një maratonë të gjatë e të pakthim të lëvizjes së vlerës, herë e zbuluar e herë jo.

Profile të tillë, që ushqejnë e stimulojnë forcën e shembullit, i bëjnë mirë njerëzimit, i bëjnë mirë artikulimit dhe frymës kritike; i bëjnë mirë përsëritjes së frymës njerëzore, si një rishikim apo pikë takimi.

Ja përse shkruaj: për të dëshmuar, qoftë dhe me gabime, ama janë gabime me fryte, natyrisht për ata që dinë të vjelin./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH