Alketa Vejsiu ka folur publikisht për reagimet që revista që ajo drejton bëri ndaj motrave Vjollca dhe Xhemi Shehut.
Portali i Revistës Class 'sulmoi' moderatoren Xhemi Sheu duke i sugjeruar asaj të linte prezantimin për të luajtur rolin e gagaçes, pasi ajo ironizoi me veshjet e Vejsiut në Festivalin e RTSH.
Në emisionin "Opinion", Vejsiu ka thënë se ka qenë stafi i saj që ka bërë ato reagime, pasi iu ka lënë dorë të lirë.
"Unë jam një vajzë e ndjeshme pavarësisht se dukem si e fortë, punëtore, por mbas ekranit të telefonit ndonjëherë rrëshket ndonjë pikë lot, mërzitem. Ishte një luftë, një dorë jo e ashpër po shumë e ashpër dhe ishte e padrejtë sepse në këtë vend nuk mund të pushkatosh, nuk zgjidhet kjo gjë duke futur ingranatën e sa keqes në lëvizje. Është një deformim social i tmerrshëm, duhet të zbutet diskursi publik, duhet të ketë kritika konstruktive, unë ju hap rrugën të gjithë atyre që japin argumenta. Por kur ka ligësi dhe të padrejta, unë nuk ju hap rrugë, jam këtu për të mos ju hapur rrugë, për të thënë të vërtetën time..Unë nuk jua kam kthyer në të njëjtën mënyrë. Kam gazetare në redaksinë time, të cilat më kërkuan të jenë të lira, e lashë të lirë, patjetër që diçka mund të ishte kursyer, ishte ironi. Askush nuk mendoi për mua ‘e bulizuam apo nuk e bulizuam Alketën’! Nuk e di pse për mua nuk e bëjnë këtë llogari”, u shpreh Vejsiu./Gazeta Liberale