Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton do të vizitojë Shqipërinë, vizitë që do të zhvillohet në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Amerikës, e cila daton më 4 Korrik.
Mëson se ish-Presidenti Clinton do të mbërrijë në Shqipëri më 3 Korrik, pas një ftese të drejtuar nga Kryeministri Rama. Ai do të pritet nga kreu i qeverisë në një ceremoni zyrtare që do të organizohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Më pas ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe Kryeministri do të kenë një deklaratë të përbashkët. Në axhendë është edhe një darkë mes tyre. Edi Rama mbush 59 vjeç më 4 korrik dhe vizita e Clinton përkon edhe me ditëlindjen e kryeministrit të Shqipërisë.
Ish-Presidentit Clinton gëzon një popullaritet të madh mes shqiptarëve, për shkak të mbështetjes së tij për Kosovën dhe udhëheqjes së fushatës së bombardimeve ndaj Serbisë.
Vizita e tij përkon me situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, ku si Prishtinës ashtu edhe Beogradit, komuniteti ndërkombëtar po u bëjnë thirrje të ndërmarrin hapa konkrete për qetësimin e gjendjes.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse mbërritja e tij në Tiranë është e lidhur me këtë situatë, për zgjidhjen e së cilës Kryeministri Rama ka ndërmarrë disa nisma.
Pse Klinton viziton Tiranën dhe jo Prishtinën më 4 korrik?
“Për Ballkanin Perëndimor, Tirana është absolutisht qyteti më i besueshëm”, tha juristi Kreshnik Spahiu në një intervistë për Euronews Albania.
Ai komentoi se prania e Bill Klinton në Tiranë më 4 korrik vjen si pasojë e balancës që ka ruajtur Shqipëria në krizat rajonale. Sipas Kreshnik Spahiut, Tirana është kryeqyteti më i vlerësuar për aleatët perëndimorë.
Gjithsesi, Bill dhe Hilary Clinton e kanë vizituar Prishtinën më herët, në 20 vjetorin e çlirimit. Ishte iish -presidenti Clinton ai i cili firmosi bombardimin e Beogradit, për t’i dhënë fund barbarisë serbe në Kosovë. Për nder të tij sot është ngritur një statujë Prishtinë.