Aktualitet

Si mund të jetojë Europa me Kinën

Shkruar nga Liberale
Si mund të jetojë Europa me Kinën

Carl Bildt

Në një kohë kur tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po përshkallëzohen, a do të ketë Bashkimi Europian akoma hapësirë ​​për të manovruar në ndjekjen e interesave të veta? Kjo do të jetë një pyetje kryesore për politikëbërësit e BE-së në vitet në vazhdim.

Konflikti midis Kinës dhe Amerikës tashmë është shndërruar në një çështje të rëndësishme në vazhdën e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së që do të mbahen këtë nëntor, sepse administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur qartazi se vetëm duke sulmuar Kinën do të largojë vëmendjen nga dështimet e veta. Por edhe nëse Trump humbet para Joe Biden, konfrontimi dypalësh do të vazhdojë të përshkallëzohet.

Megjithatë, edhe me politikat më agresive, është e dyshimtë nëse SHBA-ja – ose dikush tjetër – mund t’ia arrijë qëllimit të saj. PBB-ja për frymë e Kinës (e rregulluar për barazinë e fuqisë blerëse) është afërsisht një e treta e asaj të SHBA-së ose e shumicës së vendeve europiane. Por përsa i përket madhësisë së përgjithshme të ekonomisë së saj, ajo po arrin shpejt SHBA-në dhe BE-në.

Askush nuk mund ta dijë me siguri se si do të shpaloset historia ekonomike e Kinës në dekadat në vazhdim, por tendencat e tanishme sugjerojnë se ajo do të vazhdojë të rritet shumë më shpejt sesa ajo e SHBA-së ose BE-së. Nëse ajo arrin të mbyllë qoftë edhe gjysmën e hendekut të PBB-së për frymë me Tajvanin, ekonomia e saj do të jetë rritur në dyfishin e madhësisë së ekonomive të SHBA-së ose BE-së.

Pavarësisht pandemisë COVID-19, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore të dy presin që ekonomia e Kinës të regjistrojë rritje pozitive këtë vit. Ndërkohë, SHBA-ja dhe Europa po përjetojnë një tkurrje të thellë dhe fundi nuk duket ende. Përfundimi është se pandemia do të rrisë më tej rolin e Kinës në ekonominë globale.

Për të qenë të sigurt, me një popullsi të plakur, një sektor shtetëror masiv, me humbje dhe në rritje të borxhit, Kina do të përballet me vështirësi të mëdha ekonomike në vitet në vazhdim, sidomos nëse reforma strukturore vazhdon të renditet poshtë në listën e përparësive të presidentit Kinez Xi Jinping. Sistemi politik i Kinës nuk mund të menaxhojë një shoqëri moderne. Para se të vdiste COVID-19, Li Wenliang, mjeku nga Wuhani të cilit iu mbyll goja pasi dha alarmin për shpërthimin e koronavirusit, theksoi se “një shoqëri e shëndetshme nuk duhet të ketë vetëm një zë.” Sipas këtij standardi të paarritshëm, sistemi politik kinez është me të vërtetë në gjendje të dobët. Ai do të mbetet i ndjeshëm ndaj të gjitha llojeve të sëmundjeve patologjike dhe të paparashikueshme.

Megjithatë, nuk e mohojmë që Kina do të jetë një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë globale në vitet në vazhdim. Prania e saj e zgjeruar do të sjellë sfida të reja për të gjithë, por veçanërisht për europianët. Për shkak se Europa nuk mund ta llogarisë SHBA-në si një partner të besueshëm, që ndan të njëjtin mendim me të, ajo do të duhet të zhvillojë qasjen e vet.

Strategjia e re europiane ndaj Kinës duhet të bazohet në dy shtylla. Nga njëra anë, angazhimi për çështje me interes të përbashkët mundet dhe duhet të vazhdojë. Kina llogarit rreth 30% të emetimeve globale të gazrave serë. Për shkak se një nga objektivat kryesorë të politikës së Europës tani është të ndjekë kalimin drejt një energjie të gjelbër – të arrijë emetimet zero deri në vitin 2050 – refuzimi i dialogut me Kinën nuk është një mundësi për t’u marrë në konsideratë.

E njëjta vlen edhe për çështje të tjera supranacionale, siç janë tregtia dhe shëndeti publik. Si Europa ashtu edhe Kina kanë një interes të fortë për të ruajtur sistemin tregtar global dhe kjo do të kërkojë bashkëpunim për të reformuar Organizatën Botërore të Tregtisë. Shkëputja e SHBA-së nga OBT-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është tepër kundërproduktive dhe i shton një barrë edhe më të madhe BE-së për të reformuar dhe forcuar këto organe të nevojshme shumëpalëshe. Asambleja më e fundit e Shëndetit Botëror e OBSH-së tregoi se BE-ja mund të luajë vërtet një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në këtë drejtim, edhe pse SHBA-ja vazhdon ta margjinalizojë veten e saj.

Nga ana tjetër, BE-ja e shikon gjithnjë e më shumë Kinën si një “rival sistematik”, vlerat dhe interesat e së cilës do të përplasen në mënyrë të pashmangshme me të vetat. Ekziston qartazi një nevojë për mekanizma më të fortë për të kontrolluar investimet kineze në sektorë të ndjeshëm europianë dhe për të siguruar një konkurrencë të ndershme midis firmave europiane dhe korporatave të subvencionuara nga shteti kinez. Në mes të një sërë çështjesh të ndryshme, politikëbërësit dhe diplomatët europianë do të duhet të bëjnë më shumë që Kina të përmbushë angazhimet që ka ndërmarrë.

Nuk ka asnjë dyshim se opinioni publik europian ka filluar të lëkundet kundër Kinës dhe se kjo do të ketë një ndikim në politikë. Me regjimin kinez që po godet Hong Kongun, kërcënon Tajvanin dhe vazhdon shtypjen e tij në Xinjiang dhe rajone të tjera, do të bëhet shumë më e vështirë që vende si Hungaria të bllokojnë veprimet e BE-së në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Kinë.

Detyra e BE-së do të jetë të arrijë një ekuilibër midis këtyre dy shtyllave. Edhe pse Europa do të qëndrojë së bashku me SHBA-në për shumë çështje, ajo nuk do ta braktisë angazhimin e saj me Kinën për çështje që u interesojnë të dyjave. Dhe ndërkohë që europianët duhet të jenë realist për në lidhje me kapacitetin në rritje të Kinës për të ushtruar ndikimin e saj në skenën botërore, liderët e Kinës do të bënin mirë të mbeteshin gjithashtu realistë. Një shtypje e dhunshme në Hong Kong do ta detyronte BE-në të ndërmerrte një qëndrim më të vështirë kur të hartojë qasjen e saj të re strategjike

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH