Sociale

Vranësira dhe reshje të izoluara shiu, ja si do të jetë moti në fundjavë

Shkruar nga Liberale

Vranësira dhe reshje të izoluara shiu, ja si do të jetë moti

Fundjava karakterizohet nga vranësirat dhe reshjet e izoluara të shiut. Meteorologu Hakil Osmani tha se të shtunën do dominojnë vranësirat, ndërsa reshjet e shiut do të prekin veriun. E diela sjell vranësira më të shpeshta, duke krijuar momente të pakta shiu, më të dukshme në zonat lindore dhe jugore.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje, ku maksimalet pritet të arrijnë në 23 gradë të dielën, kryesisht në zonat e ulëta dhe bregdetare. Sa i përket vendeve të rajonit, meteorologu Hakil Osmani u shpreh se edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të preken nga vranësirat e shpeshta dhe reshjet e shiut.

“Gjatë ditës së sotme, vendi ynë do të jetë në mbizotërimin e kthjellimeve dhe kalimeve të vranësirave gjatë paradites ndërsa pasditja do të sjellë zhvillime të përkohshme të vranësirave, të cilat do të krijojnë mundësi për momente të pakta me pika shiu pjesërisht në zonat qendrore. Temperaturat e ajrit mbeten të larta me maksimume 21 gradë përgjatë vijës bregdetare. E shtuna do të shpeshtojë vranësirat, do të jenë më të dukshme në vendin tonë. Do të kemi edhe intervale me kthjellime por do të jenë më të pakta. Parashikohet që vranësirat të jenë më të dukshme në pjesën e dytë të ditës në zonat veriore, duke krijuar mundësi për reshje të izoluara shiu. Pjesa tjetër e territorit do të mbetet me mot të qëndrueshëm.

Temperaturat e ajrit, edhe pse gjatë së shtunës do të kemi vranësira të shpeshta, do të kemi një rritje të ndjeshme të tyre në orët e para të mëngjesit, duke bërë që vlerat minimale në qytetet e zonave malore të jenë në vlerat 2 gradë celcius, përfshirë Ersekën dhe Peshkopinë ndërsa maksimumet në orët e mesditës përgjatë vijës bregdetare dhe në qytetet e zonave të ulëta, do të kenë rritje me 1 gradë, duke bërë që maksimumet në Durrës, Fier e Vlorë të ngjiten në 22 gradë ndërsa në Shkodër, Tiranë edhe Berat të regjistrohen vlera në 20 apo 21 gradë celcius. Të dielën do t’i kemi prezente vranësirat e shpeshta, të cilat më të dukshme do të jenë në zonat lindore dhe jugore, duke krijuar mundësi për momente të pakta me pika shiu. Temperaturat e ajrit do të rriten gjatë të dielës, duke bërë që maksimumet do të jenë shumë pranë vlerave 23 gradë ndërsa në mëngjes vlerat minimale në zonat malore në 3 gradë.”, tha meteorologu.

Poll
SHQIPENGLISH