Tom Doshi, gjatë një takimi në Vaun e Dejës ka deklaruar se partia e tij është faktor dhe se PS duhet t'i bëjë llogaritë mirë sepse pa PSD-në nuk krijon dot mazhorancë.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate Doshi deklaroi më tej se po bëhet presion ndaj mbështetësve të PSD-së ndërsa shtoi se Benet Becin e solli ai në Shkodër kryetar ndërsa tani i del kundër.
Sakaq, Tom Doshi deklaroi se PSD do të marrë tre mandate në Shkodër dhe një në Kukës. Sipas tij, PSD është faktor dhe nuk janë kundër Partisë Socialiste.
“Ne premtojmë se do të zhdukim korrupsionin. Po bëhet presion te votuesit tanë. Drejtori i Spitalit të Shkodrës thotë se duhet vënë shenjë dalluese kur votohet. Benet Strajcën (Becin) e solla unë në Shkodër kryetar, ndërsa tani na kthehet kundër.
Do të marrim në Shkodër 3 mandate. Do të kemi shpejt zgjedhje të reja për Bashki, sepse nuk mbështesim korrupsionin e Benetit.
Por nuk ia lëmë PD-së ta marrë bashkinë. PSD është faktor në Shkodër, nuk jemi kundër PS-së. Por nuk mbështesim ministrat e korruptuar. Vetë kryeministri ka thënë se nuk jam avokat i tyre.
Do t’i kthejmë dinjitetin PS-së, duhet të ndahet nga korrupsioni. Unë nuk sjell autobusë në mitingje. Në Vaun e Dejës jemi forcë e parë.
Ne do marrim 1 mandat edhe në Kukës. Pa ne nuk ka mazhorancë, t’i bëjë llogaritë PS-ja, sepse me PD-në nuk bëjmë aleancë kurrsesi”- tha Doshi.