Në krye të SASPAC (Agjencise së Koordinimit të Ndihmës së Huaj) që monitoron fondet e BE-së do të jetë Eridana Çano.
Kryeministri Edi Rama ia ka besuar Çanos këtë post, pas shkarkimit të Jona Sulit më 30 Korrik, e cila mbajti këtë detyrë për pak kohë. Ajo u emërua pas arrestimit të Ilir Beqajt për abuzim me fondet e kësaj agjencie.
Eridana Çano ka qenë më herët Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Prej nëntorit të vitit 2017, ajo morin postin e menaxhimit të platformës së bashkëqeverisjes “Me ty për Shqipërinë që duam”, rrjetin e koordinatorëve të bashkëqeverisjes, sistemin elektronik ku monitorohet në kohë reale lëvrimi i shërbimeve publike, si dhe menaxhon Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë dhe prezencën e COD-it në rajone.
Eridana në korrik 2015 – nëntor 2017 ka punuar si këshilltare e më pas zëvendësdrejtore në kabinetin e Kryeministrit, Edi Rama.
Përpara detyrës në kabinetin e Kryeministrit, ajo ka mbajtur prej shtatorit 2013, detyrën e Drejtores së Kabinetit të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Antikorrupsionin. Znj. Çano ka punuar për ideimin dhe hartimin e një sërë instrumentesh në luftën kundër korrupsionit, ndër të cilat Strategjia Kombëtare në Luftën kundër Korrupsionit 2015-2020 dhe Plani i Veprimit 2015-2017, ligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, platforma elektronike www.stopkorrupsjoni.al, si dhe ka koordinuar dhe bashkërenduar veprimet me donatorët dhe aktorët kombëtarë e ndërkombëtarë për të adresuar luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Ajo ka asistuar Ministrin Çuçi në kryesimin e prioritetit nr. 3 – lufta kundër korrupsionit, një prej 5 prioriteteve kyçe në rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Eridana e nisi rrugëtimin e saj profesional në administratën shtetërore shqiptare pas një karrierë 14-vjeçare në organizatat ndërkombëtare, ku ka punuar kryesisht në menaxhim projektesh, duke mbuluar fusha, si lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe mirëqeverisja.
Ajo ka filluar të angazhohet që gjatë viteve të studimeve duke qenë pjesë e anketimeve, e hulumtimeve sociologjike dhe exit polls.
Pas përfundimit të studimeve në vitin 1999, nisi të asistonte projekte zhvillimore me organizma, si Organizata Ndërkombëtare e Migracionit dhe Banka Botërore në fushën psikosociale dhe të trafikimit të qenieve njerëzore, çështjet mjedisore dhe ato ekonomike.
Përgjatë vitit 2003 ka qenë e angazhuar me Qendrën për Studime Sociale dhe Ekonomike si sociologe, ku ka dhënë kontributin e saj në hartimin dhe realizimin e anketimeve të ndryshme në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare si UNDP-ja, Banka Botërore mbi remitancat dhe ndikimin e tyre në shoqëri, situata e komunitetit rom në Shqipëri dhe zhvillimi i kapitalit social në ekonomitë familjare.
Eridana ka ekspertizë në çështjet e luftës kundër korrupsionit, pasi ka menaxhuar një projekt 3-vjeçar të Këshillit të Europës në Shqipëri, i cili asistonte qeverinë shqiptare në hartimin dhe zhvillimin e politikave kundër korrupsionit, përgjatë viteve 2004-2006.
Në periudhën 2007-2011 ka shërbyer si Këshilltare pranë institucioneve të reja të Kosovës në kuadër të projektit të përbashkët të UNDP-së dhe Fondacionit SOROS për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale. Fillimisht në vitet 2007-2009, ka punuar si Këshilltare e Drejtorit të Agjencionit Kosovar kundër Korrupsionit, ku ndihmoi në hartimin për herë të parë të dokumenteve të politikave kundër korrupsionit të shtetit të ri të Kosovës, Strategjisë Kombëtare kundër Korrupsionit dhe Planit të Veprimit 2009 – 2011, si dhe në fuqizimin e kapaciteteve të Agjencionit duke asistuar në përfaqësimin e tij në organizma rajonalë dhe europianë. Gjatë periudhës 2010 – 2011, znj. Çano ka qenë Këshilltare e Avokatit të Popullit për çështje të mirëfunksionimit institucional dhe forcimin e zbatimit të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Në vitin 2011, Eridana u largua nga pozicioni që mbante tek Avokati i Popullit të Kosovës për të drejtuar në mënyrë të suksesshme projektin shumëdimensional të Këshillit të Europës në Moldavi, financuar nga Bashkimi Europian, mbi demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, pavarësinë parlamentare, lirinë e medias dhe fuqizimin e shoqërisë civile.
Në vitin 2012, ajo iu bashkua Fondacionit SOROS në Kosovë për të drejtuar projektin e diplomacisë kulturore në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, për të ngritur ura bashkëpunimi me 5 shtetet të cilat nuk e njohin pavarësinë e saj.
Eridana është e diplomuar për sociologji në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës. Ajo zotëron gjuhën angleze, italiane, franceze dhe spanjolle.
SASPAC u krijua në vitin 2021 si një “agjenci” që do të menaxhonte dhe shpërndante fondet e huaja në Shqipëri.
Prej krijimit, SASPAC ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet e projektet zhvillimore, monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022-2030, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale.