
Mbi 129 mijë emigrantë shqiptarë kanë shprehur dëshirën e tyre për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve do të kenë mundësi për herë të parë të votojnë për zgjedhjet parlamentare pa qenë e nevojshme të vijnë fizikisht në Shqipëri.
Kështu, deri më tani të drejtën për të votuar e kanë fituar 61 % e emigrantëve, ose 73 mijë, ndërsa janë refuzuar 45 mijë aplikime.
Kërkesat janë depozituar nga 107 shtete, por lista kryesohet nga Italia, Greqia dhe Gjermania, të cilat së bashku përbëjnë 76 % të aplikantëve.
Sakaq meshkujt shfaqen më të interesuarit për të votuar me 77 mijë e 621 kërkesa (59.9 %).
Ndërsa me shpërndarjen e votës në 12 qarqet e vendit, kryesojnë Tirana, Fieri e Korça me 43.8 % të kërkesave, ndërsa në fund të listës janë Dibra, Gjirokastra e Kukësi me 7.9 %.
Nga të dhënat vërehet se grupmosha me më pak kërkesa për regjistrim vjen nga 18-25 vjeç me 13 mijë e 441 aplikime ose 10.4 %.
Sakaq, kryesisht aplikimet në PER janë bërë më shumë nga grupmosha, 26-35 vjeç me 39 mijë e 99 aplikime ose 27.9 %
Pas saj renditet grupmosha 36-45 vjeç me 35 mijë e 124 kërkesa ose 27.1%.
Po ashtu vetëm 24 mijë e 660 kërkesa janë bërë nga grupmosha 46-55 vjeç dhe 20 mijë e 193 nga grupmosha 56 vjeç plus.
Një staf i KQZ-së, punon me 3 turne për t’u përgjigjur kërkesave, duke i informuar shqiptarët për kalimin me sukses, apo refuzimin e aplikimit të tyre.
Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim, dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri.
Procesi i regjistrimit quhet i suksesshëm kur zgjedhësi paraqet të dhëna të plota dhe kërkesa miratohet. Aplikimet mbyllen në datën 12 mars 2025.
Vetë kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, e cilësoi procesin si një mundësi historike për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.
“Ka nisur për herë të parë regjistrimi i të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit dhe duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 Majit. Regjistrimi është i lehtë dhe i shpejtë”, shkruan Celibashi.
Ai bën thirrje që të vizitohet faqja http://diaspora.kqz.gov.al dhe të mos humbet kjo mundësi unike për të shkruar historinë.
Celibashi, ka theksuar rëndësinë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor gjatë një konference për shtyp lidhur me hapjen e platformës PER, për regjistrimin e zgjedhësve që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Ai shprehu nevojën për rishikimin e disa aspekteve, si kostoja për kthimin e votës, afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore, dhe administrimin e votimit nga jashtë.
Celibashi vlerësoi gjithashtu rëndësinë e arritjes së një kuptueshmërie të përbashkët për ndryshimet e mundshme dhe siguroi që procesi duhet të ketë besimin e të gjitha palëve politike.
“Nuk e di çfarë janë duke diskutuar, por di që ka nevojë për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor. Është çështje e tyre nëse do t’i akomodojnë kërkesat tona, ato që ne mendojmë se duhen ndryshuar janë të karakterit teknik, sjellin një soliditet të administrimit dhe përgatitjet teknike të procesit”.
Ai tha se shpresonte “të kemi një kuptueshmëri të njëjtë, nëse do duhet të bëjmë ndryshime, ka edhe të tjera që lidhen me administrimin e votimit nga jashtë, numërimin e fletëve të votimit”.
Celibashi u shpreh se mund të shikohet mundësia e ndërhyrjes në Kod për t’iu përgjigjur më mirë interesit të ligjshëm të çdo kahu politik për këtë proces, sepse është e rëndësishme që ky proces të gëzojë besimin e të gjitha palëve.
Sa i takon votimit elektronik, Celibashi deklaroi se PD nuk e ka mbështetur zhvillimin e votimit elektronik në Tiranë.