Mbledhja e sotme në Konferencën e Kryetarëve është shoqëruar me debate, pasi shumica socialiste abstenoi dërgimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë mbledhjes së Konferencës u shpreh se me vendimin e fundit në sallën e Kuvendit, u hodh në erë Gjykata Kushtetuese.
pjesë nga debati:
Peleshi: Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin; nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e një deputeti, por është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen.
Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo qartësi do të na vlejë neve, dhe gjithashtu do t’ju vlejë edhe juve.
Bardhi: Zonja Kryetare, ju personalisht kishit vendosur te injoronit vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju jeni kryetarja e dyte qe keni vendosur te hidhni ne ere Gjykatën Kushtetuese, duke minuar ne këtë mënyre edhe bashkëjetesën me opozitën. Ne i jemi referuar kushtetues dhe drejtësisë për çështjen e mandatit te Olta Xhaçkës. Ju na e keni mohuar këtë te drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Venecia është organ këshillimor dhe ju e dini shume mire se ai nuk ka efekt detyrimor.
Kjo sjellje e juaj rrëzon gjithë propagandën tuaj se gjasme jeni konstruktiv dhe jeni të hapur. Kjo është propagande pasi veprimet e juaja po na pamundesojne detyrën. Nuk ka ndodhur kurrë që kuvendi të mos zbatoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ju kërkoj që ta miratonit me shpejtësi pasi nuk ka kohë në dispozicion. Praktika juaj gjasme po pyesim Venecian, synon të shpëtojë mandatin me procedure. Këtu nuk ka të bëjë me Individin pasi për ne ikën një Xhaçkë dhe vjen një tjetër, këtu ka të bëjë me parimet kushtetuese.