
Intervistoi: Reldar Dedaj*
Arnold Kariqi është kandidat për deputet në qarkun Tiranë, në listën e Partisë Demokratike. Lindur dhe rritur në qytetin e Kavajës, me një karrierë të shpejtë e intensive në media, po konsiderohet si një nga prurjet më simpatike të këtij subjekti politik që nesër mund të ndryshojë jo vetëm kompozimin e forcës së tij politike, por edhe me gjerë së kaq, të gjithë skenës politike në vend. Është jo vetëm atdheu i tyre, por edhe koha e tyre.
Pse vendosët të merreshit me politikë apo, duke u marrë me të, “matematikisht”, mund të jesh më afër pushtetit. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Ajo që më ka motivuar për të hyrë në politik, është padrejtësia që shikoja në vend. Lufta ndaj padrejtësisë, është lejtmotivi im. Fundi i padrejtësisë, gjëja më e rëndësishme. Jam i vendosur të vazhdoj deri në fund luftën ndaj padrejtësisë. Politikën nuk e shoh si pushtet personal, as nuk do ta shoh kurrë, por si mjet që përmes pushtetit, mund të kem shanset për të kontribuar dhe ndryshuar padrejtësitë e mëdha që shoh, jo vetëm tek brezi im, por edhe tek ai i prindërve të mi.
Si mendoni, a ekzistojnë kushtet reale, sot, për një rrotacion të pushtetit?
Faktorët që kanë krijuar kushtet për një rrotacion politik urgjent janë akumuluar për dymbëdhjetë vjet dhe fatkeqësisht tani nuk zhbëhen me asnjë magji: keqqeverisja, rrënimi ekonomik, papunësia, kapja dhe përdorimi i shtetit, demokracia e manipuluar, institucionet jofunksionale, shëndetësia e rrënuar, arsimi i shthurur është fotografia normale e kësaj mazhorance qeverisëse dhe kjo pamje s’është aspak teprim për asnjë shqiptar, por për të kontribuar në zhbërjen e kësaj fotografie, nuk ndihmon vetëm rrotacioni, kjo është vetëm njëra pjesë e punës, pjesa tjetër na vendos ne të gjithëve, papërjashtim të gjithëve, përballë detyrës së vështirë të ribërjes së Shqipërisë. A do ia dalim? Besoj se po.
A ka potencial real Partia Demokratike për t’i dhënë të “shtymen” mazhorancës socialiste?
Nëse ndryshimin nuk e bën Partia Demokratike, kush tjetër mund ta bënte. Shqipëria po kalon një periudhë të vështirë për shkak të nivelit të lartë të krimit, shpopullimit, varfërisë dhe korrupsionit. A i kemi thënë të gjitha. Jo. PD, ka një plan të fortë për t’u rikthyer në pushtet dhe për të ndryshuar situatën aktuale të vendit. Ajo ka një projekt të madh për vendin, ku një ndër pikat kryesore të këtij plani është edhe përmirësimi i kushteve të jetesës për shtresën e varfër dhe po ashtu, krijimi i mundësive për rikthimin e shtresës së mesme, e cila është zhdukur. Ne, nuk po dalim para shqiptarëve veç me tamin ”të dalë ku të dalë”, por dalim se kemi një plan dhe një alternativë për ndryshimin e gjendjes. Nuk po luftojmë për rikthimin e shpresës në vend, se shpresa pa guximin nuk vlen. Duke iu rikthyer guximin qytetarit, ne besojmë se i kemi rikthyer edhe shpresën. Vetëm një qytetar që ka guxim dhe besim, mund ta bëjë ndryshimin. Dhe, ne atë po bëjmë. Çdo ditë.
Pse tek Partia Demokratike, pse kandidat për deputet i saj?
Është partia e ndryshimit, e momenteve të mëdha. Është partia që çeli rrugët europiane të vendit. Kjo është historia e lavdishme e këtij subjekti që pavarësisht goditjeve të inskenuara si nga jashtë ashtu edhe brenda vendit, e pati aftësinë të qëndrojë në këmbë, përballë dhe pafrikë ndaj kësaj mazhorance socialiste. Të jesh kandidat i kësaj force politike përballë pushtetit të Edi Ramës, mendoj se është një nga aktet më të zakonshme të patriotizmit. Sepse, duke qenë përballë Edi Ramës dhe mazhorancës së tij qeverisëse, në fakt je përballë krimit dhe organizatave kriminale në vend. Duke qenë përballë tyre, pa frikë dhe me guximin për të përballur me ata, nuk mund të jetë veç një akt guximi i thjeshtë, por edhe patriotizmi dhe dëshire që askush, qoftë Rama dhe bandat e tij, apo kushdo tjetër, të mos guxojë nesër të shkatërrojë perspektivën europiane të vendit.
Si e përkufizoni Sali Berishën?
Ai e çmon punën dhe konkurrencën që sjell vlerën, e jo llafologjinë e mediokritetin. Është punë tjetër që, duke kërkuar bashkëpunim me të gjithë, kërkon të zbulojë e të ngjallë më të mirën te secili njeri, sepse në udhën për fitore të përbashkët nuk ka njeri për të humbur./Liberale.al
*Intervista elektorale është një rubrikë e përditshme e gazetës Liberale.al, në funksion jo vetëm të prezantimit të kandidatëve për deputet nga të gjitha subjektet politike në vend që garojnë në zgjedhjet e 11 Majit, 2025, por edhe ballafaqimit me ta, përfaqësimit dhe arsyes pse kandidojnë.