Pak orë përpara skadimit të afatit zyrtar të vendosur nga KQZ-ja për depozitimin e listave të kandidatëve, ethet në dy selitë kryesore janë shtur së tepërmi.
Siç edhe pritej, më shumë zhvillime ka pasur në radhët e koalicionit opozitar, i cili tashmë nga 26 parti, është rrudhur në 25. Kjo për shkak se partia e minoritetit maqedonas, e cila pretendonte një vend në listen e hapur të qarkut të Korçës, ka dalë nga koalicioni.
Ndërkohë jo vetëm aleatët, por edhe brenda grupit parlamentar të PD-së ka nisur tashmë largimi i atyre që nuk do të kandidohen.
Dashnor Sula, deputet i qarkut të Elbasanit, është njoftuar që nuk do të jetë kandidat për deputet, për shkak, siç thotë ai, të qëndrimeve pro SPAK-ut.
Në selinë e demokratëve, kryetari Berisha ka njoftuar një mbledhje kryesie dhe më pas mbledhjen e Këshillit Kombëtar që do të miratojë edhe listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë.
Ndërkohë është publikuar lista paraprake për Tiranën ku në radhët e PD ka emra si Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë, por mungojnë shumë deputetë aktualë të PD-së.
Kjo është lista ende jozyrtare e PD-së për Tiranën:
Lista e mbyllur
1. Sali Berisha
2. Belind Këlliçi
3. Albana Vokshi
4. Flamur Noka
5. Fatmir Mediu
6. Jozefina Topalli
7. Edi Paloka
8. Ted Blushi
9. Klevis Balliu
10. Besart Xhaferri
11. Erisa Xhixho
12. Mesila Doda
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka nisur në mesditë mbledhjet e veçanta me të gjithë drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit.
Do të jetë ora 18:00 kur Rama dhe Kryesia Socialiste do të hartojnë listën finale për ta dorëzuar në KQZ para orës 24:00.