Kronikë

KAS pranon ankimin e Partisë së Lirisë, do të shqyrtojë mandatin e Kreshnik Hajdari

Shkruar nga Liberale
KAS pranon ankimin e Partisë së Lirisë, do të shqyrtojë

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ ka pranuar pjesërisht ankimin e Partisë së Lirisë, që kundërshton vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që i la mandatin e kryetarit të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdarit.

Sipas KAS, Celibashi do të shqyrtojë përsëri kërkesën për heqjen e mandatit e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili akuzohet nga opozita se ka fshehur një dënim të formës së prerë të marrë nga Gjykata e Greqisë.

“KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore numër 95/1 datë 24.11.2023 paraqitur nga Partia e Lirisë.
Shfuqizimin e vendimit nr 816 dt 14.11 2023 të komisionerit shtetëror të zgjedhjeve për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të prokurorit të përgjithshëm për subjektin Kreshnik Hajdari, kryetari i bashkisë Kuçovë.
Kthimin e çështjes për shqyrtim te Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve duke e lënë detyrë që të shqyrtojë faktin nëse KQZ në trajtimin e kërkesës ndodhet në kushtet e nenit 66 të Kodit të Procedurës Administrative”, thuhet në vendimin e KAS. Kujtojmë se ka qenë Lefter Maliqi ai që në emër të Partisë e Lirisë ka kërkuar heqjen e mandatit të Kreshnik Hajdarit, ndërsa shkak është bërë mosdeklarimi i një dënimi në Greqi, të cilën nuk e ka plotësuar në formularin e dekriminalizimit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH