Kronikë

17-vjeçari goditet 3 herë me thikë, parregullsitë në hetim lënë të lirë autorët

Shkruar nga Liberale
17-vjeçari goditet 3 herë me thikë, parregullsitë në

Më 27 mars 2025, një 17-vjeçar në Sarandë u godit tre herë me thikë në bark nga dy bashkëmoshatarë pas një konflikti për shkak të një vajze. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, kur 17-vjeçari ishte në takim me të dashurën e tij dhe u ndoq nga autorët.

Ky ishte sulmi i dytë, pasi më 22 mars ata kishin goditur të riun me sende të forta, por ai nuk e kishte treguar këtë ngjarje nga frika as te prindërit e tij.

Prindërit e viktimës akuzojnë në emisionin “Stop” në Tv Klan autoritetet për mosmarrje masash duke theksuar se njëri nuk është proceduar, ndërsa tjetri u la i lirë me detyrim paraqitje.

Ata pretendojnë se prokuroria dhe gjykata nuk kanë mbledhur provat e duhura dhe se dy adoleshentët janë lënë të lirë pa u ndëshkuar.

“Mos paguaj lekë. Mua i ati i tij më tha vetë këtu në shtëpi, mos t’i marrë lekët gjykata, prokuroria e shteti më tha mua. Ato lekë që ke paguar në spital t’i jap unë, më tha mua. Jo i thashë, gjakun e fëmijës unë nuk e laj me lekë”, shprehet babai i 17-vjeçarit.

Emisioni “Stop” ndërhyn për të siguruar provat e kamerave të sigurisë që tregojnë sulmet.

Gazetari provon të takojë edhe prokuroren  e çështjes,  Esmeralda Basho e cila justifikohet duke kërkuar që t’i drejtohet me një shkresë zyrtare.

Sipas informacioneve të “Stop”, 17-vjeçari është dërguar për mjekim të specializuar pranë spitalit në kryeqytet./tvklan.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH