Aranit Muraçi
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje vendeve të tjera anëtare të Europës në NATO që të shpenzojnë 5% të të ardhurave të tyre kombëtare për mbrojtjen.
Ky objektiv është më shumë se dyfishi i objektivit aktual të aleancës ushtarake prej 2%. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u ka thënë gjithashtu vendeve anëtare që të rrisin shpenzimet ushtarake si pjesë e një "mendësie të re të kohës së luftës".
Vendet që shpenzojnë pjesën më të madhe të PBB-së për mbrojtjen janë SHBA-të dhe ato afër Rusisë, si Polonia dhe shtetet baltike. Në korrik 2024, kryeministri Sir Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes në 2.5% të PBB-së.
NATO aktualisht kërkon nga çdo vend anëtar të shpenzojë të paktën 2% të të ardhurave kombëtare - të njohura edhe si GDP - për mbrojtjen. Mendohet sipas BBC se 23 vende e arritën këtë objektiv në 2024 nga 32 vendet anëtare, krahasuar me vetëm tre në 2014. Një ndër vendet që ka arritur objektivin është edhe Shqipëria.
Kjo nuk ka gjasa të jetë e mjaftueshme për të kënaqur shpenzuesin më të madh të NATO-s, Shtetet e Bashkuara, të cilat shpenzuan 3.38% të PBB-së së saj për mbrojtjen në 2024.
Më herët në janar, Presidenti Donald Trump e përshkroi kontributin e Spanjës në NATO si "shumë të ulët" dhe ka kërkuar një objektiv shumë më të lartë shpenzimesh nga aleatët evropianë.
"Unë do t'u kërkoj gjithashtu të gjitha vendeve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së, që është ajo që duhet të ishte vite më parë," u tha Trump delegatëve me lidhje video në Forumin Ekonomik Botëror në Davos më 23 janar. Trump është ankuar prej kohësh se aleatët evropianë po përfitojnë nga Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur se ata duhet të ndajnë barrën e shpenzimeve të mbrojtjes. Megjithatë, objektivi prej 5% është jorealist për Spanjën, sipas analistit Pere Ortega i Qendrës Delas për Studimet e Paqes në Madrid. Sipas tij, të arrish 5% është e pamundur. Kjo do të thotë se Spanja do të duhet të shpenzojë pothuajse 65 miliardë euro. ekspertët vlerësojnë se edhe për shumë shtete te tjera ky objektiv është i pamundur.
NATO - Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut - u formua në Uashington DC në 1949 nga 12 vende: Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Britania e Madhe dhe SHBA. Shqiëpria iu bashkua NATO-s në vitin 2008.
Shpenzimet ushtarake të Shqipërisë për vitin 2024
Shqipëria ka arritur në vitin 2024 objektivin për shpenzimet mbi 2 për qind të PBB-së për NATO-n. Vendi ynë ka shpenzuar 400 milionë euro, gati dyfishi i Malit të Zi, për vitin 2024. Ndërkohë vlerësohet se për të arritur në objektivin 5 për qind të PBB-së (afërisht 20 miliard dollarë), Shqiëpria duhet të shpenzojë edhe rreth 700-800 milionë dollarë të tjera, me qëllim që të përmbushë objektivin e vendosur nga presidenti Donald Trump. Siç tregon edhe tabela, shumë vende anëtare të NATO-s janë larg objektivit të vendosur nga presidenti amerikan.
Shpenzimet ushtarake në botë pothuajse janë dyfishuar që nga fillimi i viteve '90
Shpenzimet ushtarake globale janë dyfishuar që nga fillimi i viteve '90. Sipas bazës së të dhënave të shpenzimeve ushtarake SIPRI , kostot që i atribuohen pajisjeve të mbrojtjes, personelit, operacioneve dhe mirëmbajtjes arritën në afro 1.3 miliardë dollarë në 1993 dhe u rritën në gati 2.4 miliardë dollarë në 2023.
Rajoni i Azisë dhe Oqeanisë është shtytësi kryesor i këtij ndryshimi, pasi ka rritur shpenzimet me 277 për qind ndërmjet viteve 1993 dhe 2023. Ndërkohë, në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, shpenzimet e mbrojtjes u rritën me 154 për qind në të njëjtën periudhë kohore. Megjithatë, siç tregon ky grafik, edhe me këtë rritje, rajoni i Amerikës kishte ende shpenzimet më të larta në 2023 me 967 miliardë dollarë. Në Evropë, shpenzimet ushtarake ishin shumë më të larta në 2023 sesa në 1993, 2003 ose 2013. Kjo i atribuohet kryesisht luftës së Ukrainës.
Sipas SIPRI, shpenzuesit më të mëdhenj të mbrojtjes në 2023 ishin Shtetet e Bashkuara (916 miliardë dollarë ose 37 përqind e totalit botëror), Kina (296 miliardë dollarë ose 12 për qind), Rusia (109 miliardë dollarë ose 4.5 përqind), India (83.6 miliardë dollarë ose 3.4 përqind) dhe Arabia Saudite (75.8 miliardë dollarë ose 3.1 për qind). Ukraina u bë shpenzuesi i tetë më i madh ushtarak në vitin 2023, me 64.8 miliardë dollarë (2.7 për qind e shpenzimeve globale).