Aranit Muraçi
Ballkani ka qenë historikisht një rajon i njohur nga paqëndrueshmëritë politike dhe sfidat ekonomike. Megjithatë, perspektiva e integrimit në BE ofron një rrugë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të begatë. Angazhimi i BE-së për rajonin është thelbësor, pasi ofron jo vetëm ndihmë financiare, por edhe një kuadër për reformat politike dhe ekonomike.
Dallimet ekonomike mes vendeve të Ballkanit që janë anëtare të Bashkimit Europian me vendet e tjera kandidate, ku bën pjesë Shqipëria, ekzistojnë ende por po vijnë pas çdo viti drejt minimizimit. Janë standardet megjithatë ato që bëjnë më tepër dallime.
23 miliardë dollarë është GDP-ja e Shqipërisë për vitin 2023, sipas vlerësimeve më të fundit të publikuara nga Banka Botërore. Sipas të njëjtave vlerësime, 14 miliardë është GDP-ja e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka një GDP prej 10 miliardë dollarësh dhe 7 miliardë dollarë është GDP-ja e Malit të Zi. Vendet e BE-së së Ballkanit Perëndimor me një popullsi të ngjashme me Shqipërinë, Kroacia ka një GDP prej 82 miliardë dollarë dhe Sllovenia 68 milionë dollarë. Serbia 75 miliardë dhe Bosnje Hercegovina nga ana tjetër ka një GDP prej 27 miliardë dollarësh. GDP-ja e Rumanisë vlerësohet në 353 miliardë dollarë dhe ajo e Bullgarisë në 101 miliard. Produkti i Brendshëm Bruto (GDP) në Greqi ishte 238.21 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2023 , sipas të dhënave zyrtare nga Banka Botërore.
Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor sipas Bankës Botërore parashikohet të përshpejtohet mesatarisht deri në vitin 2025, e nxitur kryesisht nga rritja e konsumit dhe investimeve, e ndihmuar nga rritja e fuqisë blerëse. Sipas Raportit të fundit të Rregullt Ekonomik të Ballkanit Perëndimor të publikuar nga Banka Botërore, parashikohet se rritja ekonomike kolektive e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të arrijë në 3.7% në 2025, një rishikim prej 0.2 pikë përqindjeje në rritje nga edicioni i pranverës i raportit. Rritja për vitin 2024 pritet të arrijë në 3.3%, një rritje prej 0.1 pikë përqindje nga vlerësimet fillestare.
Mali i Zi njohu sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare rritjen më të lartë të produktit të brendshëm bruto (PBB) në Ballkanin Perëndimor, në vitin 2023, me 6.4 për qind krahasuar me një vit më parë. Për më tepër, Kosova dhe Serbia parashikohej se do të kishin rritjen më të madhe të PBB-së për vitin e ardhshëm, prej 3.8 për qind.
SIPAS vlerësimeve të FMN-së, aktualisht Greqia mban GDP-në më të lartë për frymë nga vendet e Ballkanit. Një e tillë vlerësohet në 25.6 mijë dollarë në vit. Në vendin të dytë është Kroacia dhe pas vijnë Rumania e Bullgaria. Nga vendet kandidate të Bashkimit Europian, siç tregon edhe grafiku, Shqipëria mbetet pas Serbisë dhe Malit të Zi, por nuk është më në hartën e vendit më të varfër të varfër. Të paktën nga të ardhurat për frymë, sipas FMN-së, Shqipëria gjatë vitit 2023, ka lënë pas Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën.
E ardhmja e Ballkanit është e lidhur ngushtë me procesin e integrimit në BE. Ndërsa sfidat mbeten, potenciali për rritje ekonomike, stabilitet politik dhe përmirësim të qeverisjes është i rëndësishëm. Mbështetja dhe angazhimi i vazhdueshëm i BE-së për rajonin do të jetë vendimtar në formësimin e një të ardhmeje të begatë për Ballkanin. Ndërsa këto vende punojnë drejt integrimit, shpresa për një Evropë më të qëndrueshme dhe të bashkuar bëhet gjithnjë e më e arritshme.
Pavarësisht përfitimeve të mundshme të integrimit në BE, Ballkani përballet me disa sfida që duhen adresuar:
Paqëndrueshmëria politike: Mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike dhe tensionet etnike mund të pengojnë përparimin.
Pabarazitë ekonomike: Ekzistojnë dallime të rëndësishme ekonomike midis vendeve të Ballkanit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Korrupsioni: Nivelet e larta të korrupsionit minojnë besimin e publikut dhe pengojnë përpjekjet për zhvillim.
Çështjet e migracionit: Rajoni është i prekur nga tendencat e migracionit që ndërlikojnë dinamikat sociale dhe ekonomike.