Çmimet gjatë muajit korrik kanë vijuar rënien, teksa inflacioni mbetet në nivelet më të ulëta që prej qershorit 2021.
Mesatarja e inflacionit brenda vendeve të Bashkimit Europian është 2.6 për muajin qershor ndërkohë që për muajin korrik nuk janë publikuar ende të dhënat.
Çmimet e ushqimeve, që zënë peshën më të madhe të shportës së ushqimeve të familjeve shqiptare, pavarësisht rënies sl inflacionit, kanë vijuar rritjen.
INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2024 është 2,1 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,2 %.
Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2024, krahasuar me Qershor 2024 është -0,2 %. Edhe në qershor, inflacioni vjetor ishte në nivelin e 2.1%.
Që nga muaji shkurt niveli i inflacionit mbetet poshtë objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%, pas rritjes së lartë të dy viteve të mëparshme për shkak të pasojave të pas pandemisë dhe rritjes së çmimeve në bursa nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës.
Inflacioni arriti nivelin më të lartë duke shkuar në 8.3% në tetor 2022.
INSTAT njoftoi se rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,68 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,43 pikë përqindje.
Sipas INSTAT, krahasuar me muajin Korrik 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,5 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 3,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me 2,2 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,1 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,9 % secili, “Shëndeti” me 1,5 %, “Transporti” me 0,3 % dhe “Komunikimi” me 0,2 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “peshk” patën një rritje me 5,4 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,5 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 3,4 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,8 %, “mish” me 2,6 %, etj.