Pas zgjatjes së hetimeve për dosjen “Buka”, ku po hetohet Arben Ahmetaj, SPAK ka dorëzuar në GJKKO prova të reja.
Përgjatë 3 muajve të fundit, prokurori Elvin Gokaj ka plotësuar detyrat hetimore që gjyqtari i posaçëm i la më herët.
Në këto kushte, avokati mbrojtës i ish-numrit dy të qeverisë kërkoi kohë për tu njohur me provat shtesë që SPAK dorëzoi.
Pikërisht kjo arsye shërbeu si shkak për shtyrjen e seancës paraprake për në datën 17 korrik.
Arben Ahmetaj akuzohet në këtë dosje për “shpërdorim detyre”.
Sipas organit të akuzës, kur shërbente si ministër Financash, Ahmetaj lejoi privatizimin e trojeve të një furre buke, ku tashmë është ndërtuar një kompleks pallatesh.
Ahmetaj është duke u hetuar edhe për tre vepra penale të tjera penale, si “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”, në lidhje me inceneratorin.