Një grup alpinistësh kroatë janë ngjitur sot në “Majën e Jezercës” dhe për fat të keq një nga anëtaret e grupit ka rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.
Si pasojë, 43-vjeçarja ka humbur jetën në vend.
Ekipi i kërkim-shpëtimit ka bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë që do transportohet me helikopter, drejt morgut.
Ndërkohë po vijon operacioni i shpëtimit për të nxjerrë turistët e tjerë të bllokuar në majën e thepisur të malit.
Njoftimi i Policisë:
Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim nga një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”, se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.
Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”.
Turistja kroate, shtetasja 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshkitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën.
Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe do transportohet me helikopter, drejt morgut.