Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së Florian Sulejmani ka qenë sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Berat, për verifikimin e masës së “Pezullimit nga Detyra”.
Gjykata e Beratit kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë së Beratit për pezullimin nga detyra të drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, pasi është nën hetim për shpërdorim detyre lidhur me proçedurën e ndjekur në transferimin e oficerëve të policisë gjyqësore, që dyshohet se është kryer në kundërshtim me legjislacionin përkatës.
Prokuroria e Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm të Beratit njoftoi në16 prill caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj drejtorit të Përgjithshëm të AMP-së Florian Suljemani, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar ndaj tij për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas prokurorisë, çështja penale në ngarkim të Sulejmanit ka të bëjë me transferimin e vartësve të Sulejmanit.
Gjykata e Beratit, duke konfirmuar ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se nga ana e Sulejmanit janë transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim të plotë me parashikimet ligjore të ligjeve “Për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, dhe për “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” ka kryer sot verifikimin e masës ndaj tij.
Ka qenë gjyqtari Ilirjan Hysi, i cili pasi ka ndenjur rreth 1 orë në dhomën e këshillimit, ka shpallur moskopetencë territoriale, duke ja kaluar çështjen e Sulejmanit Tiranës. Po kështu, gjyqtari Hysi ka vendosur vazhdimin e masës për pezullimin nga detyra të Sulejmanit.