Në të gjitha shkollat e vendit sot festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit.
Mësuesja e Gjuhës Shqipe, Eralda Bejleri u shpreh se sot është pasioni ai që i mban mësuesit në këtë profesion, pasi kushtet dhe pagat nuk janë aspak të mira.
“Pasioni është ai që na mban në këtë profesion. Edhe sot, kur shumë profesione zgjidhen për hir të rrogës, ky profesion nuk i ka pagat më të mira, duke u krahasuar me lodhjen që ka.
Nëse një person nuk e ka këtë passion për të mësuar breza, për të mësuar njerëzimin, atëherë mos ta zgjedh fare. Unë e kam zgjedhur që në moshën 11-vjeçare të bëhem mësuese, për hir të atyre mësuesve tanë. Doja të bëhesha si mësuesja ime e Gjuhës Shqipe”, tha ajo në “7pa5” në Vizion Plus.
Ndërkohë, pedagogu Lush Susaj tha se mësuesit paguhen shumë pak dhe dhe trajtohen në mënyrë shumë mizore krahasuar me vendet e rajonit.
“Ndeshem dhe sot, urimet e para në telefon janë nga studentët e mi, ndërsa unë kam uruar mësuesit e mi. dhe i shpreh mirënjohjen time të thellë çdo mësuesi tim, por edhe të Shqipërisë. Ne jemi në një rrugë që e kemi mission, nuk e kemi për xhepin tonë. Një mësues merr 560 mijë lekë të vjetra.
Më i miri mësues në Shqipëri, pasi t’i fusë pak lekë makinës benzinë, e të blejë rroba, lapsa e fletore, i mbeten vetëm 100 euro në muaj. Njerëzit duhet t’u jenë mirënjohës e të gjunjëzohen para misionit të tyre. U rritën pagat, 7% ia rritën vjet mësuesit dhe 90% deputetit. Deputeti ka dalë nga mësuesi. Nuk gjej vend në rajon të trajtohet kaq mizorisht mësuesi, dija. Në syrin tim, siç kanë qenë heronj mësuesit e mi, ashtu janë edhe ata që qëndrojnë sot në sistemin arsimor. Duhet t’ia heqim barrën e stresit e jot a shtojmë me paga të ulëta”, u shpreh pedagogu.