Sot janë bërë 106 vite që kur ka vdekur kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës. Ai vdiq në rrethana misterioze më 24 janar në Peruxhia të Italisë, ku edhe është varrosur. Nuk ka të dhëna të sakta por është aluduar shpesh herë se ai është helmuar.
I biri i Mahmut Nedim beut lindi në Vlorë, në vitin 1844, shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më pas vazhdoi të mesmen në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht.
Kur ishte 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll. Deri në vitin 1900 Ismail Qemali punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane, në Vilajetin e Janinës.
Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar). Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi. Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.
Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ismail Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë.
Ismail Qemali udhëhoqi lëvizjen dhe mbledhjen që u mbajt në sarajet e familjes Vlora, ku më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe u quajt nga të gjitha “baba i kombit shqiptar”.
Në vitin 1900, për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve, la detyrën ku dhe u arratis për në Greqi dhe më pas në Europë. Në gjyqin që u bë në mungesë u dënua me vdekje.