Aranit Muraçi
Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2023 është 4,5 %, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 7,4 %. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, çmimet kanë rënë krahasuar me një vit më parë, sikurse kanë pësuar një rënie të lehtë edhe në krahasim me muajin Maj 2023. Në inflacionin e këtij muaji ndikuan kryesisht zarzavate përfshirë patatet” të cilat sipas INSTAT u rritën me 26,1 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 14,4 %, “mishi” me 10,9 %, “fruta” me 9,6 %.
Inflacioni në BE
Rënie e lehtë e çmimeve në vendin tonë është reflektuar kryesisht nga rënia e çmimeve në tregun europian. Kjo për arsyen se mbi 70 për qind të tregtisë së Jashtme Shqipëria e zhvillon me vendet e Bashkimit Europian. Inflacioni në Eurozonë u ngadalësua në 5.5% në vit në qershor 2023. Kështu, inflacioni në Evropë po ngadalësohet për të dytin muaj radhazi dhe këtë e dëshmojnë të dhënat e mëparshme të Eurostat-it: Në maj 2023, ky tregues ishte 6,1%, dhe në prill – 7%. Ndërkohë, inflacioni me bazë vjetore, i cili përjashton kostot e energjisë dhe ushqimit, u përshpejtua në 5.4% nga 5.3% në maj. Çmimet e energjisë u ulën me 5.6% krahasuar me një rënie prej 1.8% në maj 2023.
Normat më të ulëta të inflacionit u regjistruan në Luksemburg (1%), Belgjikë (1.6%) dhe Spanjë (1.6%), dhe më të lartat në Sllovaki (11.3%) dhe Estoni (9%). Në Gjermani ishte 6,8%, në Francë – 5,3%, në Itali – 6,7%.
Inflacioni në Shqipëri
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,63 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,45 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,40 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,24 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,22 pikë përqindje secili etj.
Sa u përket ndryshimeve vjetore të grupeve kryesore, krahasuar me muajin Qershor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 10,3 % secili, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7 %, “Shërbimi arsimor” me 2,2 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1 %, “Komunikimi” me 1,4 % dhe “Shëndeti” me 1,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 16,2 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 26,1 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 14,4 %, “mish” me 10,9 %, “fruta” me 9,6 %, “peshk” me 9,0 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,3 %, “bukë dhe drithëra” me 4,0 %, etj.
Krahasuar me muajin Maj 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,2 % pasuar nga çmimet e grupit “Transporti” me 0,3 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,8 %, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0,4 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3 % secili dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 %. /Liberale.al/