Aranit Muraçi
Ndërkohë që Shqipëria dhe Britania janë përfshirë muajt e fundit në një betejë të fortë mes tyre për çështjen e emigrantëve të paligjshëm, shifrat më të fundit zyrtare të Eurostat tregojnë se azilkërkuesit shqiptarë kanë dalë gjatë vitit të fundit nga “harta” si një popull azilkërkues pothuajse në të gjitha vendet e BE-së.
Sipas të dhënave zyrtare mbi emigracionin nga Qeveria Britanike,në periudhën janar-shtator 2022 kanë kërkuar azil në Britani mbi 13 mijë shtetas shqiptarë.
Në tremujorin e tretë të këtij viti, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria pothuajse u dyfishua në raport me 6-mujorin e parë, kur kishin kërkuar azil rreth 7 mijë shtetas shqiptarë. Në 9-mujorin e këtij viti, Britania e Madhe ka regjistruar 52,525 azilkërkues nga e gjithë bota, 25% e të cilëve ishin nga Shqipëria. Në total, për 10-mujorin e parë të vitit 2022 kanë aplikuar për azil në shtetet e Bashkimit Europian dhe në Britaninë e Madhe mbi 24 mijë shqiptarë.
Megjithatë duket se fenomeni i azilkërkuesve shqiptarë, që zgjati prej disa vitesh para pandemisë, në vendet e zhvilluara të BE-së, si në Gjermani, Francë, Itali dhe vendet skandinave, sidomos për të rinjtë dhe fëmijët e mitur e të pashoqëruar, është zhvendosur aktualisht në Britaninë e Madhe. Kjo për arsyen se, pas refuzimit të azilit nga një vend i BE-së, humbet e drejta për të aplikuar në vendet e tjera. Dhe po ashtu nga riaplikimi për azil shifrat e fundit tregojnë se shanset për të marrë azil në vendet anëtare të BE-së janë thuajse zero.
Britania e Madhe është vendi më i madh dhe më i zhvilluar i Europës, jashtë BE-së, çka shpjegon edhe fluksin e jashtëzakonshëm të muajve të fundit drejt vendit ishullor çka ka bërë që të krijojë edhe tensione mes dy qeverive, në Tiranë dhe Londër.
Në tetor 2022, 99.175 aplikantë për azil për herë të parë (shtetas jo të BE-së ) aplikuan për azil në Shtetet Anëtare të BE-së, 8.630 persona më shumë se në muajin shtator, një rritje prej 10%. Krahasuar me tetorin e vitit 2021 (59.870), ka pasur një rritje prej 66% në numrin total të kërkesave.
Por kur bëhet fjalë për numrin e aplikantëve të mëvonshëm (persona që kanë ri-aplikuan për azil pas një vendimi për një kërkesë të mëparshme), ndodhi e kundërta, me një numër të përgjithshëm në rënie. Në tetor 2022, kishte 6 380 aplikantë të mëpasshëm, që tregon një rënie prej 3% (-185 aplikantë pasues) krahasuar me shtatorin 2022. Krahasuar me tetorin 2021, pati një rënie prej 5%.
Janë këto të dhënat mujore më të fundit të azilit-kërkuesve në vendet e BE0-së, të publikuara sot nga Eurostat. Ashtu si në dy muajt e mëparshëm, në tetor 2022, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (18.420 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (13.695) dhe turqit (6.770).
Sipas Eurostat, pas agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, pati një rritje të madhe të aplikantëve ukrainas për herë të parë për azil (nga 2.370 në shkurt në 12.890 në mars 2022), por shifrat u ulën më pas muaj pas muaji, nga 1.510 në prill në 950 në Tetor 2022. Kjo ndodh edhe sepse njerëzit që ikin nga Ukraina përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme.
Në tetor 2022, numri i aplikantëve për herë të parë për azil me nënshtetësi ruse u rendit i 13-ti në mesin e të gjitha shtetësive, me 1.960 aplikime, 650 më shumë se në shtator 2022.
Gjermania vazhdon të raportojë numrin më të madh të aplikantëve për herë të parë për azil, sipas shifrave zyrtare. Që nga fillimi i vitit 2022, nga të dhënat e Eurostat, Gjermania ishte shteti anëtar që raporton numrin më të madh të azilkërkuesve për herë të parë në BE. Në tetor 2022, Gjermania pranoi 24.910 aplikantë për herë të parë, që përbënin 25% të totalit. Gjermania u pasua nga Austria (17.745, 18%), Franca (13.680, 14%), Spanja (10.905, 11%) dhe Italia (8.385, 8%).
Këto pesë vende së bashku përbënin tre të katërtat (76%) të të gjithë aplikantëve që pranuan për azil për herë të parë në BE. Në total, në BE në tërësi, kishte 222 azilkërkues për herë të parë për një milion banorë në tetor 2022. Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2022), shkalla më e lartë e aplikantëve të regjistruar për herë të parë në tetor 2022 u regjistrua në Austri (1.976 aplikantë për milion banorë), e ndjekur nga Qiproja (1819) dhe Kroacia (505). Në të kundërt, shkalla më e ulët është vërejtur në Hungari (0.3).
Në tetor 2022, sipas Eurostat 5.225 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE, me një rritje prej 6% krahasuar me shtatorin 2022 (4.950). Shumica e të miturve të pashoqëruar që paraqitën kërkesa për azil në tetor 2022 vinin nga Afganistani (2.315), Siria (1.440), Somalia (210), Turqia (140) dhe Eritrea (135).
Vendet e BE-së që morën numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar në tetor 2022 ishin sërish Austria (2.055), Gjermania (800), Holanda (590), Belgjika (530) dhe Bullgaria (445). Të gjitha këto pesë vende panë rritje të numrit të kërkesave, përveç Austrisë, e cila pati një rënie margjinale (-15 kërkesa).
Shifrat e fundit zyrtare tregojnë se Shqipëria, veç Britanisë së Madhe, nuk është më një problem serioz dhe ka dalë nga “harta” si një prej vendeve me numrin më të lartë të kërkesave për azil.
/Liberale.al/