Editorial

REFLEKSIONE nga Erl Kodra: Sa për ne, Edi Rama do të mbretëronte edhe 100 vjet

Shkruar nga Liberale
REFLEKSIONE nga Erl Kodra: Sa për ne, Edi Rama do të

Nga Erl Kodra

Kur dëgjoja Edi Ramën që bënte si i virgjër para kamerave, ndërsa fliste se si shoku i tij më i mirë në parti dhe qeveri kishte përzier punët e shtetit me paret e xhepit, i pari mendim që më erdhi ishte se ne e meritojmë jo vetëm Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn, por ne paskemi merituar të gjithë horrat dhe mashtruesit që i kemi patur në qeveri që prej vitit 1992 e deri më sot, madje edhe ata derdimenët e para viteve 90. Them se i paskemi merituar, se përndryshe, ka mundësi që ne ose jemi qenie të ngjashme me kafshët, pa ndërgjegje dhe inteligjencë njerëzore, ose edhe ne jemi ca maskarenjë që bash këtë soj e meritojmë, të hurit dhe litarit, që në rastin e parë që do të na jepej mundësia, do të bënim të njëjtën gjë si ata. Nëse jo 100 %, të pakën 70 % prej nesh do të vidhte e do t'i shkërdhente paret dhe pasurinë publike. Shkurt muhabeti, ne jemi qenie kaq të pjerdhura pa pikën e dinjitetit, sa rrimë dhe e shohim në dritë të syrit një hajdut ordiner që na flet nga televizori duke bërë rolin të indinjuarit me shokët e partisë, që po i dalin të gjithë hajdutë, njëri pas tjetrit, dhe vetëm ai nuk paska ditur asgjë se çfarë ndodhë në një byth vend. Po sigurisht, ai i pastër është, aq sa ç'janë të pastra ujrat e zeza të një shoqërie në degradim.

Ndërsa ne sigurisht që jemi qenie të leshta, të paaftë të nxjerrim qimen nga qulli, përderisa fatin tonë prej 32 vitesh ia kemi lënë në dorë Edi Ramës, Arben Ahmetajt, Saimir Tahirit, Tom Doshit, Vangjush Dakos, Ilir Metës dhe Sali Berishës dhe soj e sorollopit të tyre. Po të ishim aq të zgjuar, me nerv dhe integritet, nuk do të zvarriteshim pas tyre për të na hedhur një kockë, por do t'i përzinim me dhunë, nëse nuk do të mundeshim me votë.

Se m'u kujtua vota. Përgjatë 45 viteve diktaturë ne nuk kishim shanse të zgjidhnim gjë me votën tonë. Atëherë po, ne ishim kthyer në ca gjitarë në mbijetesë, kockë e lëkurë. Edhe atëherë si tani, gjysma jonë ishte kthyer në derra që shkelnin me këmbë gjysmën tjetër, për arsye të ngjashme me mbijetesën. Por atëherë ne ishim bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, sigurisht.

Pastaj erdhën qeveritë shqiptare njëra pas tjetrës, secila më hajdute se tjetra, që ndrroheshin me njëra tjetrën siç ndrrohen klientët në një kuplara. Por shkërrdhata e fundit që kemi për Kryeministër doli me mullarin më të madh se të tjerët; ky po na i kalëron eshtrat që prej vitit 2013, me një ekip hajdutësh ordiner si Arben Ahmetaj me shokë. Imagjinoni pak se sa para u gjetën, vini re! - në shtëpinë e pastrueses së Alda Klosit - një ish-vartëse e tigrit Ben Ahmetaj. Ej, në shtëpinë e pastrueses! Këta nuk ia dinë fundin pareve të vjedhura. Medet, çfarë mjerimi.

Dhe ta mendosh se gjithçka po ndodhë sot nuk është vullnet i Zotit të Gjithësisë, por vullnet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i vendosi në rrjesht 140 deputetë në korrik të vitit 2016 për të votuar Reformën në Drejtësi. Ingranazhet e makinerisë që quhet SPAK kanë filluar të lëvizin, të komanduar nga tjetërkush, se të ishte për "vullnetin e kësaj mazhorance" Ben Tigri do të ishte akoma zv-Kryeministër.

Lajmi i madh është se në Shqipëri ka filluar pastrimi. Kuptohet se nuk është punë e lehtë, por Zoti në qiell dhe Shtetet e Bashkuara në Tokë do t'ia dalim në krye. Sa për ne, Edi Rama do mbretëronte edhe 100 vjet.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH