Edhe sot nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama ka lëshuar një sërë akuzash të rënda për një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh duke i etiketuar si pjesë e grupit më të madh kriminal në vend, “KÇK”.
“I them parlamentit se ka ardhur koha që të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vetingun e dinë që nuk e kalojnë dhe kanë nxjerrë dhe një togfjalësh mes tyre, KÇK, kap ca të kapësh. Këtë grupim KCK ky parlament duhet ta shpalli grup në kërkim, jo metaforikisht, e them në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Ta shpalli në kërkim, me cdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu të gjithë së bashku, është e kotë ti bëjmë njëri tjetrit predikime dhe e kotë që nga tryezat e opozitës të ngrihemi këtu e të fajësojmë qeverinë, apo nga qeveria të ngrihemi e të justifikojmë. Procesi i vetingut për të përfunduar do kërkojë disa vjet, e ne nuk lejojmë që prokurorë si ai i Durrësit, gjykatës si ajo apo plot të tjerë të bëjnë kërdinë mbi njerëzit, cdo ditë”, tha Rama. /Gazeta Liberale