Editorial

Qeveria dhe Ministrat si CEO-t

Shkruar nga Liberale
Qeveria dhe Ministrat si CEO-t

Anjeza Xhaferaj

Në sistemet parlamentare, ekzekutivi apo ‘qeveria’ rrjedh prej dhe është përgjegjëse para parlamentit. Si i tillë formimi dhe ‘mirëmbajtja’ e qeverisë përbën një ndër funksionet kryesore të parlamentit. Qeveria, cilado qoftë ajo, dhe sado herë që të ndryshojë ajo ka nevojë për mbështetjen e parlamentit. Kjo gjithsesi mbetet në rrafshin e normatives, të asaj që dëshirojmë, që mendojmë se është e drejtë në një vend parlamentar. Megjithatë, qeveria e mandatit të dytë të qeverisë Rama nuk ka qenë objekt ‘mirëmbajtjeje’ e ca më pak llogaridhënëse ndaj parlamentit. Ministrat janë hequr, shtuar, zhvendosur, kanë ri-hyrë në mënyrë të vazhdueshme në këto katër vite.

Fenomeni nuk është i ri dhe ndodh edhe gjetiu, për arësye nga më të ndryshmet, si p.sh kur një ministër ose disa japin dorëheqje, ministri të reja krijohen/ndryshohen/shkrihen apo edhe kur një krye-ministër i ri i së njëjtës parti merr postin në periudhën midis dy zgjedhjeve. Megjithatë kjo nuk i jep përgjigje pyetjes se pse kryeministrat vendosin të ndryshojnë kabinetin.

Menaxhimi i kabinentati mund ta ndihmojë të menaxhojë partinë. Emërimi apo shkarkimi i ministrave është një pjesë e rëndësishme e pushtetit të kryeministrit. Pëmes këtij procesi ai/ajo mund të shpërblejë besnikërinë apo të dënojë disidentët, mund të ndërtojë aleanca dhe të menaxhojë partinë duke bërë të mundur që të gjitha fraksionet brenda saj të ndjehen të përfaqësuara në qeveri. Por mund të ndodhë që të kërkojë të menaxhojë më mirë performancën e kabinetetit dhe në këtë rast ndryshimet janë një oportunitet për të promovuar ministra me performancë shumë të mirë në pozicione me përgjegjësi më të madhe dhe të heq sigurisht ata që nuk performojnë mirë për të përmirësuar performancën e ministrisë. Një arësye tjetër mund të jetë ndryshimet në politikë-bërje – lëvizja e ministrave mund të jetë një mënyrë për të treguar se cilat janë priroritetet e qeverisë. Ri-freskimi (ri-rilindja në rastin tonë) për të treguar se partia nuk po vjetërohet, nuk qëndron në stanjacion mund të jetë një motiv tjetër dhe së fundmi ngjarjet e papritura, ato që janë përtej kontrollit të qeverisë mund të jenë një arësye tjetër.

Që në mandatin e dytë të qeverisjes ka patur ngjarje të papritura kjo është e qartë: skandali me vëllain e ministrit Xhafaj në 2018 që solli ndryshim në Ministrinë e Brendshme, protestat e studentëve në dhjetor 2018 që nxitën një sërë ndryshimesh në qeveri që prekën arsimin, ministrinë e jashtme, financat dhe ekonominë, infrastrukturën dhe energjetikën, kulturën, bujqësinë dhe zhvillimin rural, zv.kryeministren) dhe sollën dy ministri të reja, atë për marrëdhëniet me parlamentin dhe atë për sipërmarrjen. Ndryshimet e fundit, dhe jo pak, i përkasin vitit 2020, dhe u bënë vetëm pak muaj para zgjedhjeve të reja. Ato përfshinë sërisht arsimin, punët e brendshme dhe punët e jashtme, edhe pse motivet për secilën prej dorëheqjeve janë pa lidhje dhe të pavarura nga njera-tjetra.

Ri-freskimi me fytyra të reja u tentua në ndryshimin e parë, atë të 2018-19-ës, por nuk pati sukses, se fytyrat e reja ikën dhe me ikjen e tyre u kthye avazi i vjetër. Menaxhimi i partisë, zbutja e pakënaqësive për mbetje jashtë (si në rastin e Niko Peleshit), bashkimi i fraksioneve, duket si një arësye tjetër, ose së paku kështu përflitet, për ndryshimet e ofruara.

Po cilat janë problematikat që vijnë nga ndryshimet e shpeshta? Ndryshimet e vështirësojnë fitimin e ekspertizës në një sektor të caktuar dhe ia bëjnë të vështirë parlamentit detyrën për të kërkuar llogari për performancën e një ministrie të caktuar. Ndryshimi i vazhdueshëm i ministrit/es dëmton zbatimin e politikave, madje çon edhe ndryshimin e tyre edhe pse ndryshimi i politikave mund të mos ketë qenë arësyeja e ndryshimit të kabinetit. Te mos harrojmë që bashkë me ministrat lëvizin edhe kabinetet dhe tashmë të gjithë duhet të lundrojnë në ujëra të tjera.

Megjithatë, nuk mund të mos vësh re se kohëzgjatje të tilla të shkurtra janë të ngjashme me ato të trajnerëve të futbollit apo CEO-ve në sektorin privat që zhvendosen sa nga njëra kompani në tjetrën, gjë që sigurisht është shqetësuese. Besnikëritë, përkushtimet ndaj ministrisë janë afat-shkurtra në këto raste dhe vështirë të ofrojnë synime afat-gjata, e ca më pak t’i vënë në tjetë ato. Përveç kryeministrit dhe një bërthamëze të vogël, ekipi i 2017 ka ndryshuar shumë. Dhe në këtë rast, kush është përgjegjës para parlamentit dhe më gjerë elektoratit: qeveria apo kryeministri?/Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH