Aktualitet

Përfundon pa marrëveshje takimi në Bruksel, Vuçiq fajëson Kurtin

Shkruar nga Liberale
Përfundon pa marrëveshje takimi në Bruksel, Vuçiq

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak,

Mësohet se takimi i radhës mes palëve do të mbahet më 18 mars.

Pas takimit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha për mediat se në këtë takim janë dakordësuar për të biseduar sërish, megjithatë ka shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me kundërshtimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Nuk është arritur asgjë përveç që do të bisedojmë. Si të bisedojmë kur ka kundërshtime për Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Së pari duhet të zbatohet, sido që ta ktheni, Asociacioni është në rend të parë. Pastaj do të shohim çfarë do të ndodh tutje. Kam ardhur për të nënshkruar një propozim”, ka thënë ai.

Më tej ai është shprehur se ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes së Asocicacionit, por që sipas tij, kryeministri i Kosovës ka refuzuar. “Mendoj se është e rëndësishme që njoftimi i BE-së do të përmbajë fjalë për domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte tani, por do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, tha ai.

Vuçiq dha detaje edhe për takimin e radhës, duke treguar se do të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut.

"Me sa kam kuptuar, më 18 mars do të duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell do ta vizitojë rajonin", tha Vuçiq.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe 2015.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të themelojë Asociacionin. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH