1

Për profesor Ramadan Sokolin, në 100-vjetorin e lindjes

               Publikuar në : 17:39 - 23/06/20 liberale

Vegimi i një nate vere

Zhani Ciko

Të dielën e 14 qershorit të nxehtë, në gati agun e një dite që dukej se do të zagushonte, m’u bë se dikush po priste zgjimin tim të plotë. I buzëqeshur paksa, me aksentin e njohur të një zëri karakteristik, të butë e të thellë, m’u drejtua nga aty lart ku ishte ulur në poltronën e tij me shpinore tani më të lartë, mes mjegullimit: “Të shoh si të shqetësuar miku im. S’ke pse. Ti më njeh mirë dhe hershëm. Po s’do jesh i vetmi aty! Mes të afërmve, ju miqve dhe nderimit nga zoti i shtëpisë, gjithçka do shkojë mirë. Do jem aty pari se i thonë një shekull jete e gati kaq pune, në tokë dhe këtu. Të ectë goja dhe pena mik!”

Të ectë goja dhe pena mik!

-”Vetëm me disa nga visaret e veprës tënde profesor, më keni dhënë çelësin dhe, edhe për këtë, merita është gjithmonë e juaja”.

Si jehonë e një kange “Maje krahi” u vanit në qiell zëri dhe imazhi mjegullor …..

Fillesat

Shkodra e viteve 1920, mes dallgësh të një historie që prodhohej çdo ditë, jetonte tronditjen që kishte krijuar pasiguria e copëtimit dhe rrëmbimit të trojeve të shtetit shqiptar të brishtë ende. Jetonte mbylljen e konfliktit të parë botëror që kishte zënë fill aty sipër saj, në Sarajevë, e s’po shterte ende.

Shtëpia gjysmëkullë e trimit Hodo Pashë Sokoli, e atij që ishte ndeshur egër për t’i thënë Shkodrës Shkodër e jo Skadar, ishte ato ditë edhe pse i përkisnin gjeneratës së dytë mbas tij, plot lëvizje e ankthe. Zukaste si një koshere e shqetësuar:

Në njërën prej netëve verore të mesqershorit, kur gjithsesi nata qetësonte tollovinë, në agun e ditës së re piskoi brritja e një njomishteje që me sa duket, prindja e priste.

U mor si ogur i mbarë lindja e djalit të dytë të Jusufit të Hodo Pashës, Ramadanit, që pas piskamës së parë kushtruese s’bëzani ma …….

Ai u rrit i tillë, i shëndetshëm, i bukur dhe jo fort çamarrok. “Boll halle kanë këta!”

Kapte dy guralecë dhe i tingëllonte ritmikisht. Tërhiqte nga sergjeni bilbilin a cylen dhe jo alltien aty pranë. Dhe vegla të tjera që i përdornin njerëzit e shtëpisë në ditë festimesh….

I pëlqeu shkolla fillore më e afërta në Dërgut.

Më pas, ai dhe prindja zgjodhën gjimnazin e shtetit, se për atë shtet kishte ba luftë Hodo Pasha dhe baba Jusuf me shokë.

Ramadanin e ri e tërhiqte krahas shkollës edhe muzika, që buçiste me bandën e qytetit. U afrua dhe u shtrua të mësojë të luajë në instrumente.

Me vete kishte filluar të fishkëllente motive që i krijonte. Shokët ia pëlqenin…

E tërhiqnin të rinj aktivë si Qemali, Tutulani dhe Draçini. Me ta u bashkua dhe në protestën e parë të rinisë antifashiste në qytet, për t’i hequr flamurit shqiptar sëpatat e Liktorit. U hidhërua shumë kur atin Jusuf e arrestuan dhe e nisën në Itali në kampin e Bolonjës.

Dëshirën e kishte të zjarrtë të studionte muzikën seriozisht. Përfitoi për të marrë një bursë pas demonstrimit të talentit dhe përgatitjes muzikore. Me zell u nis në Konservatorin e muzikës “L.Cherubini” të qytetit të kulturës rilindëse, Firences.

“Kam dhe babë Jusufin pranë”,- mendoi.

Firence ndikoi në formimin muzikor po se po, por dhe në atë kulturor. Tiparet e treguara më vonë, librat dhe gjurmimet bibliografike, afrimet me krijuesit e arteve pamore, tërheqja ndaj traditave të hershme dhe jeta brenda institucioneve u ngjiz aty, në subkoshiencën e tij.

Ja, rruga e ngushtë nga ku mezi shikohet fasada e teatrit “La Pergola”, ku ndiqte shfaqje teatrore dhe madje ndonjë opera.

Ato vite, muzika e Vivaldit ishte zbuluar pak, madje as nuk përmendej ndokund se pikërisht në “La Pergola” ishte shfaqur më 1718 opera e Vivaldit për Heroin tonë Kombëtar “Scanderbeg”, rast unik kur një personazh historik përfshihet në një opera të periudhës së barokut.

Ato vite, konkretisht më 1935, në Firence ishte xhiruar filmi “Lorenzo de’ Medici”, me protagonist aktorin e madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisi, fakt ky që e bënte të ndihej akoma më mirë. Krahas flautit, mori mësime edhe në kompozicion dhe vlerësimet i kishte të larta. Ndërkohë ndiqte zhvillimet e luftës në Shqipëri dhe përjetonte atmosferën antifashiste në qytet. Te Firence shihte shembullin se si do të donte të zhvillohej Shkodra e tij dhe tan Shqipëria. Muret e gurta, myshqet dhe shermasheku që i mbulonte, a nuk i gjente dhe në qytetin e tij të lashtë ?! ….

Mundohej të kuptonte përmes shtypit të një propagande belikoze jorealiste zhvillimet e luftës. Lajmi mbi vrasjen e Qemalit e hidhëroi për ditë të tëra. Po kështu, edhe shumë marrëdhënie shokësh dhe familjarësh me qëndrime të ndryshme politike ishin pjesë e shqetësimeve dhe dëshirës për t’u kthyer në atdhe. Koha e vështirë e luftës ia ndërpreu studimet më 1944. I keqardhur ngushëllohej nga mendimi se në atdhe do të kishte rastin të tregonte veten me profesionin e tij dhe ta ushtronte atë krahas artistëve të tjerë të shquar, një pjesë të të cilëve i njihte.

Kishte besim te të rinjtë dhe zhvillimet pozitive, që me gjithë rrënimet, paslufta do sillte….

Reprizë në Atdhe

Gjeti derte të mëdha në shtëpi. Babë Jusufin dhe vëllanë e madh i kishin marrë dhe dënuar rëndë si nacionalistë dhe kundërshtarë të regjimit. Pa u çmallur mirë e morën edhe atë, si duket për të mos i lënë dy të parët pa të tretin….

Në kampin e Bedenit të Kavajës, jetesa ishte tepër e vështirë. Puna ishte sfilitëse dhe trajtimi i egër.

Ai kuptoi se pas kësaj, fati i tij kishte marrë një goditje të fortë që do të ndryshonte gjithçka në jetën dhe profesionin e tij për të ardhmen.

Në kamp, pak nga pak filloi të ambientohej dhe të njohë njerëz të tjerë me përgatitje kulturore elitare. Vuanin njësoj si ai, por mbeteshin dinjitozë në vuajtje. Mes pëshpërimave flitej dhe për histori, letërsi, madje dhe muzikologji.

Ndikimi i Fishtës, Konicës, Martin Gjokës etj., e nxiste bisedën larg. Kohët kalonin dhe ai e ndiente mungesën e praktikës në instrument. Nuk thonë kot se “Instrumentin po e le një ditë, ai të lë një javë, një muaj e me vite”.

Bisedat, sidomos me At Frano Gjinin, e tërhiqnin veçanërisht. Figurat e muziktarëve të lashtë, karakteristikat e folklorit tonë muzikor, origjinaliteti dhe lashtësia e kombit ishin tema që e përgatitën për t’u hedhur në të ardhmen në një fushë të re të muzikës, gati të paprekur, atë të historiografisë, folkloristikës dhe muzikologjisë. Filloi të shohë një horizont të largët që e tërhiqte për t’u afruar drejt tij. Mbase, mbase…..

Por ai kuptoi se në këto vite të vështira kishte gjetur kurajën dhe me ndershmëri e dinjitet do të kërkonte shtigje të reja. Mbase dënimi, ndonëse i pamerituar, nuk do të ishte fatal për të.

“Ai do konsiderohej jo i preferuar, por i toleruar”. Profeci kjo?! Pas daljes në dritë, ai kreu së pari shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Priti si ndihmë të fatit kryerjen e shërbimit në Gjirokastër, zonë e interesave të mëdha kulturore dhe folklorike. Me objektivin e qartë ji fut njohjes së asaj që e pagëzoi “Polifonia shqiptare”.

Tipat, struktura dhe modalitetet, marrëdhëniet me dialektin tosk, origjinaliteti i trevës së Çamërisë dhe drama e saj. Plotësoi një ndarje të zonave folklorike etj., etj.

Muzikantë që kërkonin elementë të përgatitur për t’i angazhuar në institucionet muzikore të vendit që sapo ishin krijuar, gjeti disa.

Kolonel Gaqo Avrazi, pasionant dhe i përkushtuar ndaj Ansamblit të Ushtrisë, e thithi menjëherë. Më pas erdhi përfshirja në strukturat organizative të festivaleve të para folklorike, që u organizuan në stadiumin “Q. Stafa”, duke e afirmuar për kompetencën e tij.

Fakti që, kur për herë të parë në Shqipëri u organizuan ekspeditat e mbledhjes dhe studimit të folklorit, si ajo shqiptaro-gjermane, ishte Ramadan Sokoli që përfaqësonte studiuesin e palës vendëse. Profecia e tij, “jo i preferuar por i toleruar”, po realizohej dhe jeta profesionale kishte marrë kthesën e duhur. Miq të prirur për mirë dhe evidentues të vlerave të tij intelektuale, si Llazar Siliqi dhe të tjerë më lart, e çuan përpara aktivizimin e “Studiuesit tashmë të njohur, Ramadan Sokoli”.

Liceu dhe krijimet

Mësues i flautit, disa lëndëve teorike dhe iniciues i mësimit të folklorit muzikor në shkollat artistike të vendit do të ishte drejtimi i aktivitetit të tij mësimor dhe pedagogjik për shumë vite të ardhshme.

U shfaq në dyert e Liceut Artistik “J. Misja” të Tiranës, në 1 shtatorin e 1954-ës.

Në një nga bankat e klasës së solfezhit atë vit, si nxënës fillorist njoha mësuesin e sapoardhur, ose siç e quanim ne më vonë, profesor Sokolin. Tërheqës, i përgatitur, autoritar, me një histori njerëzore të veçantë. Ai ngjallte interes dhe ishte në qendër të vëmendjes. Krahas mësimit, shpejt filluam të dëgjojmë dhe krijime të profesorit. Krijimtaria e tij e veçantë për nga përmbajtja, stili dhe gjuha muzikore, dallonte edhe nga titujt e veprave. Asokohe, këto mbresa nuk dija t’i shpjegoja, por me kohë përbënë konsideratën time për veçanësitë që ato përmbanin. Kryesisht, instrumentore, nuk ishin aspak skema tipike të krijimtarisë së rëndomtë të kohës. Ndër të parat vlerësoja “Ekspromt për violinë dhe piano”, “Rapsodi për flaut” (që e luanin dy nxënësit e tij, Gjovalin Shestani dhe Shaqir Rexhvelaj), “Eklog” për piano, “Legjenda e trojeve”.

“Buzë liqenit” ishte një suitë për orkestër harqesh me katër kohë, me një natyrë deskriptive dhe e orkestruar me finesë, me një stilistikë të patrajtuar deri atëherë. E luanim me shumë dëshirë ne, nxënësit e orkestrës, që e drejtonte profesor Ymer Skënderi.

Ndër këngët e tij shquheshin për afërsinë me melosin popullor: “Turtulleshë”, “Zanusha”, “Blegërin delja”, “Rritu mollëzo”, që i këndonin krahas artistëve tanë më të mirë si Marie Kraja, Luçie Miloti, Vaçe Zela etj., dhe këngëtarët e rinj të shkollës. Për të kuptuar më mirë natyrën e tij të pandikuar nga koha, ai p.sh. shkruante “Tokë e lashtë” kur temat e kohës ishin tokat e reja, ose “Lis i papërkulur”, kur u këndohej filizave të partisë. Ai shkruante disi për vete dhe shumë për shkollën.

Nga vitet e para të ’90 programova një koncert me krijimtarinë e profesorit me orkestrën e RTSH-së dhe me solistët më në zë të kohës, si: Ibrahim Madhi, Shqipe Zani, Fatos Qerimi, Astrit Selita etj. Kuptuam se kjo ishte shumë pak për raftet e mbushura të shkrimeve të autorit. Më pas dhe sot, askush nuk u kujtua për ta vijuar iniciativën. Ka shumë vepra që i shërbejnë plotësimit të antologjisë së muzikës shqiptare, CD dhe produksione që i meriton krijimtaria e profesorit. Për shembull, për mua kurora e krijimeve të zgjedhura të Ramadan Sokolit është “2 kangjelat e Milosaos”, vepër ende e paekzekutuar, me poezinë e De Radës, e cila nuk është prekur në marrëdhënien me muzikën tonë. Absurde, kur kemi veprën e profesor Sokolit shkruar më 1980.

Dikur, gjatë drejtimit tim në Operën e viteve ’70, me koreografin Agron Aliaj dhe dramaturgun e ri Shpëtim Gina filluam përgatitjen për një libret baleti, me temë nga bota arbëreshe. Ishim 10 vjet përpara veprës së Ramadan Sokolit. Por dhe po të ishte shkruar, koha nuk na favorizoi as ne, as veprën.

Koha e munguar

Kur bisedova me profesorin pas koncertit në lidhje me krijimtarinë e tij të paekzekutuar, ai më dha një përgjigje që për momentin m’u duk e çuditshme: “Nuk kam më kohë të merrem me to”?!

Ishte mesi i viteve ’90. Ai diçka kishte kalkuluar për jetën e tij në vijim. Një vandak me botime historiografike muzikore e digjte brenda, të cilat duhej t’i nxirrte e t’i botonte, se ndryshe “16 shekuj muzikë” do t’i bjerrte përgjithmonë.

Në këtë lëmë, ai kishte botuar (1954) shkrimin për “Jan Kukuzelin, muziktarin shqiptar “kur Shqipëria nuk ekzistonte (siç), “Vallet shqiptare” (1954), “Lahuta shqiptare”, “Veglat muzikore të popullit tonë”, që u bë më vonë botim prestigjioz, “Organografia shqiptare” (1975), “Prozodia dhe metrika popullore” (1958). Vijojnë më pas punimet “Skënderbeu në muzikën tonë” (1967), “Mbi Ali Pashë Tepelenën” (1970), disa shkrime mbi krijimtarinë e Fan S.Nolit (nga viti 1970 e më pas), “Gjurmime folklorike” (1982), “16 shekuj”(1985), “Antifonari i Gjergj Danush Lapacaja” (2000) dhe “Gojdhanat e botës shqiptare” (2000).

Kjo listë është përzgjedhje jo e rastit, por sipas bindjeve të shkruesit për vlerat e qëndrueshme të titujve të cituar. Këtij kontributi i duhen shtuar edhe shumë artikuj në shtypin e kohës e sidomos ato të përzgjedhura në revistën “Les lettres albanaises”, të kuruar nga shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, botim i “LSHA”.

Për të gjitha studimet e lartpërmendura, profesor Sokoli ka gjurmuar shumë, por dhe ka bashkëpunuar jo vetëm me njerëzit e përzgjedhur prej tij brenda vendit në institucionet tona dhe jashtë tyre, por dhe duke shfrytëzuar çdo mundësi për të korresponduar me studiuesit kryesorë të fushës në rajon dhe Europë, të cilët kanë përmendur kontributin e profesorit tonë në studimet e tyre. Ai u është referuar studimeve të B.Bartokut, Z.Kodaly, C.Brailoiu, A. Lloyd, E. Comisel, R. Katcarova e shumë të tjerëve.

Nuk ishte qëllimi i këtij shkrimi sjellja e kujtimeve personale. Referencat në to kanë shërbyer për rilevimin e portretit me një rezolucion më të ndjeshëm.

I tillë është dhe momenti i afrimit në periudhën e qëndrimit tim të larguar nga jeta qendrore artistike.

Ishte: “Kënga patriotike” për “ditë të vështira” Kur ai, për të shkruar titullin e lartpërmendur, vinte vazhdimisht në shtëpinë tonë për të biseduar me veteranin e muzikës shqiptare, Mihal Ciko, për fillesat e këngëve patriotike dhe korit të “Shoqërisë së Arteve të Bukura” më 1920 në Korçë. Në shumë faqe të librit si dhe në këngët e përmbledhura, ndiej ende të gjallë frymën e këtyre bisedave. Disa herë rastisja ose ai krijonte rastin për prezencën time, duke mirëkuptuar çdo dialog, që veç kënaqësisë profesionale, forconte dhe marrëdhëniet njerëzore. Atëherë më lindi ideja se vetëm “puna afron njerëzit”, më e plotë “labor omnia vincit”.

Shembulli i lartësimit përmes punës mbi meskinitetin, anashkalimin dhe të jetuarit modestisht deri ditën e fundit, është triumfi i personalitetit me vlera të qëndrueshme dhe të ngritur mbi mundësitë që i krijoi koha. Ramadan Sokoli mendoi, punoi dhe ia doli!/Panorama

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back