Kryesore

Paratë janë problemi i demokracisë shqiptare

               Publikuar në : 09:28 - 22/05/20 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Politika shqiptare ka shumë probleme me korrupsionin, me drejtësinë, me ekonominë, me konkurrencën e drejtë dhe meritokracinë, por problemi bazë që sjell të gjitha këto pasoja është padyshim mënyra e financimit të partive politike.

Nëse për të zhvilluar aktivitetin e tyre normal gjatë fushatës zgjedhore apo për funksione të ndryshme, aktivitete të cilat sot kanë një kosto të lartë, dhe buxheti i shtetit iu mbulon atyre vetëm 20 për qind të kostove, atëherë pjesa tjetër që financon ato, do të vijnë medoemos nga para jashtë sistemit, që shpeshherë kanë burime klienteliste ose kriminale

Në këtë kuptim, të gjitha këto para që financojnë partitë politike në mënyrë jo të ligjshme dhe kriminale deformojnë tenderat publikë, krijojnë ekonomi kriminale, dhe të gjitha pasojat e tjera  tqë  kanë ato në sistemin politik dhe shoqëror shqiptar.

Sistemi i financimit të partive politike në Shqipëri, është një sistem më së shumti okult dhe që ka dështuar plotësisht. Ka dështuar mënyra e financimit, ka dështuar dhe mënyra e kontrollit.

Kështu që, nëse duam vërtet ta zgjidhim në gjenezë këtë problem, duhet me patjetër të reformojmë të gjithë skemën e financimit.

Në radhë të parë, duhet të pranojmë në mënyrë të sinqertë, që partitë politike shqiptare sot, por edhe politika në përgjithësi, buxhetit të shtetit i kushton pak në krahasim me kostot reale të aktiviteteve të tyre. Partitë politikë funksionojnë me anë të lobimeve, me anë të fushatave zgjedhore, fushata të cilat sot, nuk janë njëherë në katër vite, por janë konstante, në çdo kohë. Në këtë kuptim, për të garuar me kundërshtarët kanë nevojë për financime, dhe nëse ato nuk janë mjaftueshëm nga sistemi ligjor, me patjetër do të vijnë nga ai joligjor, me të gjitha pasojat që ai ka. Kështu funksionon demokracia dhe gara për të fituar pushtetin.

Në radhë të dytë, mënyra e kontrollit të financimeve është plotësisht e dështuar, pasi ata që kontrollojnë këto financime janë njerëz të cilët zgjidhen po nga këto parti, prandaj ka nevojë urgjente për një ent administrativ të pavarur nga politika që të kontrollojë në mënyrë efikase këto financime. Modelet janë të ndryshme, mjafton të marrë si shembull atë francez, gjerman apo britanik dhe ta aplikojmë në politikën shqiptare.

E rëndësishme është që të pranojmë që sot partitë politike janë të financuara në mënyrë të pamjaftueshme nga paratë ligjore, dhe si pasojë kërkojnë mjete të tjera, që shpesh kanë burime kriminale.

Partitë politike janë institucionet më të rëndësishme në rendin kushtetues shqiptar. Janë ato që sigurojnë përfaqësimin politik, janë ato që përcaktojnë politikat kombëtare, janë ato që shpesh zgjedhin pushtetet e tjera. Në këtë kuptim, për hir të demokracisë dhe garës normale të saj, buxheti i shteti duhet t’i financojë në mënyrën më të mjaftueshme të mundshme, për të garantuar demokracinë dhe kostot që ajo mbart. Në të kundërt, le të legalizojmë lobimet, dhe t’iu japim fund njëherë e mirë hipokrizive. Të paktën, në këtë mënyrë, çdo lidhje klienteliste do jetë transparente dhe qytetarët shqiptar do të ishin në gjendje të gjykonin për të gjitha financimet e partive, ashtu sikurse ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vëndi më demokratik në botë.

Politika kushton, demokracia dhe gara brenda saj edhe më shumë. Në këtë kuptim, duhet ti japim fund hipokrizive shoqërore që politika duhet të funskionojë me ideale, pa kosto, e të  tjera diskutime si këto. E rëndësishme është që këto financime të jenë trasparente, të kontrolluara dhe të mundësojnë aksesin në politikë të të gjitha grupeve politike. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një garë të barabartë demokratike. Sepse, me këtë mënyrë sic po ecim tani rrezikojmë vërtetë që të largojmë njërëz me integritet nga politikëbërja. E vemtja mënyrë për të shpëtuar politikën dhe demorakcinë shqiptare është bërja e saj një profesion ‘’joshës’’ për të gjithë njërzit e përgatitur dhe brezat e ardhshëm. Në të kundërt, do të vashdojmë të përfaqësohemi nga njërëz mediokër, të paaftë dhe të inkriminuar. /Gazeta Liberale

 

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back